Sot, Lulzim Basha, kryetar i PD- së zyrtare deri më sot, ka njoftuar se do të publikojë emrat e 5004 delegatëve që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ai me 18 dhjetor 2021. Lideri historik i PD- së deklaroi pak orë para 11 dhjetor 2021 kur u mblodh Kuvendi Kombëtar i thirrur nga antarësia sipas tij, kishin firmosur 5200 delegatë. Në fakt, zyrtarisht, të numëruar ishin 4935 delegarë ndërsa u bënë publik nga degët e PD- së para 11 dhjetorit 2021 emrat e 4890 delegatëve.
Edhe pse jo të gjithë e kanë qejf, matematika mund të na ndihmojë të kthjellojmë diçka nga kjo “betejë shifrash” për “fronin” e PD- së. Zyrtarisht, në Kuvendin Kombëtar të fundit të 17 korrikut 2021, numri total i delegatëve ishte rreth 7621. Flasim gjithmonë për delegatë që për shkak të funksionit kanë në strukturat e PD- së, gëzojnë këtë status.
Në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, nuk kanë marrë pjesë rreth 2686 (numri total, minus numrin e pjesëmarrjes së deklaruar). Ndërsa në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit, nuk kanë marrë pjesë rreth 2617.
Në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, gjithmonë sipas organizatorëve, kanë votuar kundër Bashës si kryetar i PD- së (pra, pro shkarkimit të tij) 4446 delegatë. Nga delegatë që kanë votuar por jo kundër Bashës në atë kuvend, janë 489 persona. Me shumë mundësi, ata kanë marrë pjesë edhe në kuvendin e 18 dhjetorit.
Po ti shtosh numrit 2686 (që nuk firmosën për pjesëmarrje në kuvendin e 11 dhjetorit) 489 delegatët më sipër, numri maksimal i mundshëm i delegatëve të kuvendit të 18 dhjetor 2021 arrin në 3175. Praktikisht, janë më pak se 50% + 1 e totalit të delegatëve, minimumi për të marrë vendime Kuvendi Kombëtar. Gjysma e delegatëve si numër, duhej të ishte 3811. “Kleçka” apo diferenca për tu plotësuar kuorumi i nevojshëm është vetëm 636 delegatë (3811 minus 3175). Pyetja që mund të ngrihet është: A u shkarkuan nga 11 dhjetor deri me 18 dhjetor nga Kryesia Basha 636 delegatë (për shkak të funksioneve si pasojë e mosbindjes për të zbatuar vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit?)?. Këtë provë duhet të japë Basha që të legjitimojë kuvendin e tij. Sepse ai, me kuvendin e 18 dhjetorit, duhet “të thyejë” para gjykatës kuvendin e 11 dhjetorit. Me shifra.
Sigurisht, demokracia, edhe brenda një partie nuk është numra por votë. Por në finale, pikërisht matematika e numrave bën diferencën. Sepse nuk ka logjikë njerëzore se nga 4446 delegatë që votuan shkarkimin e Bashës me 11 dhjetor, një pjesë të shkojnë një javë më pas për ta mbështetur atë kundër Berishës. Them me logjikë njerëzore gjithmonë edhe pse në politikë jo çdo herë është e pagabueshme.
Diferenca në mes delegatëve të Berishës dhe atyre të Bashës (5004 minus 4935) është vetëm 69 persona. Nëse bëhet fjalë për të njëjtën trupë të delegatëve, atë të deklaruar me 17 korrik 2021 në Kuvendin Kombëtar të fundit të përbashkët të PD-së, është praktikisht e pamundur që të dy kuvendet të jenë legjitime. Njëri patjetër është “fake”. Përveç rastit kur njëra nga palët ka përdorur një faktor “X”… Por natyrisht, transparenca e emrave dhe funksioneve të dy kuvendeve, krahasuar me listën e Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut 2021 (nëse ekziston apo është bërë publike ndonjëherë), ndihmon në këtë rast edhe vetë matematikën.
Është e qartë se këtu dikush gënjen për shifrat. Gënjen Berisha, gënjen Basha apo…gënjen matematika? Naytrisht, duke folur me gjuhën e ftohtë të shifrave e logjikës e logjikës normale njerëzore. Ironia e fatit është se një gjykatës në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ku dy kuvendet janë dërguar apo do të dërgohen për regjistrim legjitimiteti, do të duhet të gjykojë së pari matematikisht. Nëse kërkon prova, ato këtë herë mund t’ ia sigurojë fillimisht matematika. /Nga Blerti DELIJA/