Shkëndijat apo “xixat” që lëshon guri flesibël janë simbolika e fortë e asaj që ka ndodhur në Partinë Demokratike të paktën nga 9 shtatori 2021. Në ankthin e ruajtjes me çdo kusht të karrikes në selinë blu, Basha dhe enturazhi i tij ndërmorën një veprim të paimagjinueshëm në një shtet demokratik, antar i NATO-s dhe aspirant për në BE.
Blindimi i hyrje- daljeve të selisë së PD- së, është pak të thuhet se ishte çmenduri. Beteja ishte për vulën dhe logon, e cila siç edhe ndodhi apo mund të ndodhë edhe në vijimësi, është në dorën e një gjyqtari në Gjykatën e Tiranës. Nëse Basha dhe të tijët i druheshin një hyrje “të dhunshme” të mbështetësve të “Foltores” në selinë e tyre, mjaftonte të mos ishin atë ditë aty. Aq më shumë, kur ishte zyrtarisht ditë pushimi.
Arsyetimi i mësipërm mund të ridimensionohet pak, nëse projekti për ndërtimin e kullave shumëkatëshe në truallin e selisë së PD- së, është i vertetë dhe në parametrat që janë bërë publike. Ateherë, justifikohet qendrimi paradoksal i Bashës por edhe “lufta civile” me 8 janar në oborr dhe brenda selisë blu. Për pronën, shqiptarët janë vrarë me komshiun, vëllanë madje edhe me babanë që i ka bërë kokën.
Edhe sot, kur Lulzim Basha të paktën “de jure” ka dhënë dorëheqjen, askush nuk e ka të qartë arsyen logjike të lidhjes së tij aq të fortë me karrigen e kryetarit të PD- së. Disa javë pas 9 shtatorit, çdo njeri me arsyetim minimal, arriti ta kuptojë se të paktën 51% e demokratëve mbështesnin Berishën në betejën me Bashën. Me gjasë, edhe vetë Basha e mbështetësit e tij, e kishin kuptuar.
Përveç masivitetit të “Foltoreve” që u konstatuan që në herët e para, me zgjuarsi juridike, Berisha veproi edhe me strukturat. Provat finale ishin Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit 2021 dhe votimi pasues “1 antar, 1 votë” për shkarkimin e Lulzim Bashës. Nëse do të kishte nuhatjen minimale politike, duke patur në dorë listat e antarëve të Kuvendit Kombëtar dhe të antarësisë, Basha duhej të bënte hapin pas që bëri disa ditë më parë.
I keqkëshilluar apo edhe me vetëdije, Basha vendosi të luajë me Berishën sipas rregullave të këtij të fundit. Thirri me 18 dhjetor një Kuvend Kombëtar, kur numrat nuk ia jepnin këtë mundësi. Mbushi sallën e Pallatit të Kongreseve me të afërm të besnikëve të tij, ku “qershia mbi tortë” ishte votimi i proklamuar nga Jemin Gjana: Votuan pro 5004 delegatë, teksa salla nuk merrte më shumë se 1958 persona. Kjo ditë, ishte mundësia e dytë e Lulzim Bashës të bënte një hap pas.
Lulzim Basha ndjehej i fortë me mbështetjen e gjërë në Grupin Parlamentar të PD- së. Në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe: pjesa dërrmuese e tyre morën privilegjet e deputetit pikërisht për shkak të vullnetit të Bashës, i shprehur edhe me firmën e tij në fund të listave që u dorëzuan në KQZ. I kishte mbetur vetëm Grupi Parlamentar, pasi Këshilli Kombëtar ishte i zhytur në ilegjitimitet sa i tako kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, siç edhe Kryesia, e cila më shumë se e zgjedhur ishte e emëruar dhe pa garë siç e parashikonte statuti i PD- së.
Basha ishte i bindur apo e kishin bindur se vazhdonte të kishte shumicën e demokratëve pas vetes. Edhe pse prova më e mirë për të kundërtën, ishte mosdalja e tij në takime me bazën e partisë së tij. Ideja e artikuluar se “nuk donte të përçante partinë”, mori fund zyrtarisht njëherë e mirë me 8 janar 2022. Ishte mundësia e tretë që Basha të bënte një hap pas, kur demokratët luftuan kundër njëri- tjetrit me mjete të paimagjinueshme edhe në përballje me kundërshtarët politikë.
Lulzim Basha ishte i sigurtë se do të mposhtte Berishën me 6 mars. Nuk ka asnjë dyshim se kjo datë u caktua nga presidenti Mete edhe për të testuar se kush ishte shumicë në PD. Basha e quajti pas zgjedhjeve “kurth” 6 marsin ndërsa para tij, ai dhe mbështetësit e tij flisnin vetëm për fitore. Ata më realistët, shikonin fitore vetëm në Bashkinë e Shkodrës dhe sondazhet apo edhe përllogaritjet, identifikonin fitues kandidatin e Berishës në bastionin e PD- së.
Rezultatit i turpshëm i 6 marsit, nuk ishte më një mundësi por një detyrim që Lulzim Basha të bënte një hap pas. Por aq shumë ishte lidhur me karrigen, sa edhe pas humbjes së zgjedhjeve- test, u përpoq të kundërvinte Kolegjin e Kryetarëve (organ këshillimor i tij) me Grupin Parlamentar, anëtarët e të cilit masivisht i kërkonin dorëheqjen.
Tani po qarkullojnë informacione e foto. Në ndjekje të teorisë së Mao Ce Dun “fshati rrethon qytetin”, duket se Lulzim Basha ka nisur një tur në bazë. Edhe pse paralelisht qarkullojnë foto në nisje nga aeroporti siç edhe darka me mbështetës të tij. Nuk ka dyshime se i kanë mbetur mbështetës. Janë gati 9 vite në drejtim të PD- së dhe është normale ti ketë. Nuk ka dyshime as që ata janë të paktë, shumë të paktë në radhët e PD- së.
Nuk përjashtohet që pas Bashës, të ngelen akoma edhe disa deputetë të PD- së. Vendimi i fundit i Gjykatës së Tiranës që njohu Komisionin e Rithemelimit dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, i ka dekurajuar shumë deputetë, duke i bërë të ndjehen edhe në faj për mbështetjen publike që i kanë dhënë Bashës. Por sigurisht, firma e tij në fund të listës për kandidimin e tyre, nuk mund të harrohet lehtë. Gjithmonë, nëse nuk është vënë në këmbim të ndonjë…
Pavarësisht retorikave publike, Lulzim Basha nuk mund të ketë më vend në PD, në Partinë Demokratike që me gjasë, pas pak muajsh do të drejtohet nga Sali Berisha. Natyrisht, do të jetë deputet deri në shtator 2025, nëse nuk jep dorëheqje. Në një farë mënyre, e gatoi vetë pozicionin e tij në partinë që drejtoi për dy mandate në opozitë. Përveç raporteve jo të mira me aritmetikën që do ta ndjekin gjatë në jetën publike (nëse do ta ketë), ai konsumoi shumë kreditet e tij duke i çuar afër zeros sot.
Megjithatë, askush nuk mund ta largojë atë nga jeta publike apo edhe angazhimi politik përveç vetvetes. Nuk është çudi që Basha të iniciojë një parti të re, mbase edhe me mbiemër “demokratike” apo edhe “pro amarikane”. Është e drejta e tij, me gjasë edhe detyrim ndaj vetes por më shumë ndaj ndjekësve besnikë që i kanë mbetur. Mund të krijojë edhe një grup parlamentar ku duhen vetëm 7 deputetë. Periudha deri në prill- maj 2025, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, janë mundësi e mirë të testojë veten dhe partinë që mund të krijojë. Nëse ia del, mund të marrë në të djathtë rolin që LSI- ja ka në të majtën shqiptare. Nëse jo, fundi i tij do të jetë i ngjashëm me atë të Fatos Nanos që në 2009- ën, u tërhoq nga politika. Ndryshon vetëm shteti i rezidencës, Austri me Holandë. Pyetja e fundit që mund të ngrihet është: A do të ketë guxim apo ndërgjegje që të dëmtojë sërish PD- në dhe të djathtën Lulzim Basha? Nëse ndodh kështu, do të dilte zbuluar, edhe për rolin në 9 vite drejtim të opozitës shqiptare. /Nga Blerti DELIJA/