Duket e çuditshme por mbase vlen të ngrihet si hipotezë. E natyrisht, për të ngritur këtë hipotezë, duhen argumente ose së paku, indicie që e mbështesin këtë tezë të çuditshme.
Sot kur Teatri Kombëtar si ndërtesë mund të nisë e të quhet edhe si ish- Teatri Kombëtar, me siguri që Edi Rama nuk është i kënaqur. Mbase është edhe…i pènduar.
Ata që i kanë shpëtuar vetëflijimit, përgjithësisht nuk e kanë riprovuar. Po ashtu, ata kanë pohuar se ndjenja e pendesës shfaqet në të njëjtën sekondë që bëhet veprimi që synon fundjetën. Për shembull, kur tërhiqet këmbëza, kur shtyhet stoli, kur trupi përshkohet nga energjia elektrike atj.
Pak a shumë, në këto kushte besoj se ka qenë edhe Edi Rama. Ndoshta jo si kryeministër, ndoshta jo si artist i suksesshëm por si i shkolluar në Arte dhe si pedagog, kësaj ndjesie besoj se nuk i ks shpëtuar dot.
Është vërtetë e rëndë të jetosh gjithë jetën me peshën e prishjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar të një vendi, duke ardhur nga bota e artit, edhe pse si piktor aspak i suksesshëm.
Ed Rama e ka pranuar publikisht se prej 22 vitesh, ëndërronte ta shèmbte Teatrin Kombëtar. Për shumë arsye, por nuk e shémbi. Zyrtarisht e shèmbi Erion Veliaj me mbështetjen e 50 apo më shumë këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Tranës. Për ata që e kuptojnë ndryshimin, po flasim për formën dhe jo përmbajtjen.
Mund të ketë lexime të ndryshme, por kalimi i pronësisë së Teatrit Kombëtar me VKM tek Bashkia e Tiranës, mund të lexohet edhe si “larje duarsh” e tipit Ponc Pilat nga Edi Rama me një “patate” të nxehtë. Ndoshta, i grishur deri në provokim edhe nga Veliaj, i cili mbase ka dashur ti tregojë “provën e forcës” si pasardhës kryeministrit të tij.
E ndoshta, Rama me këtë VKM ka dashur të zbatojë shprehjen: Me një gur vras dy zogj! Fillimisht, heq çdo përgjegjësi për Teatrin Kombëtar duke ia kaluar Erion Veliaj në pronësi. Më pas, i tregoj Erionit se nuk je më i zoti se unë, as ti nuk mund ta shembësh, siç nuk ia dola unë.
Në këtë rast, “sa mendohet i mençmi, budallai ka kryer punë”, pa guxuar të themi se cili ishte i mençmi apo budallai, Rama apo Veliaj, Veliaj apo Rama. Kështu, Teatri Kombëtar u shemb, me kontributin unikal të Sandër Lleshajt dhe metodologjisë së implementuar tek trupa e Policisë së Shtetit. Po a nuk e kishte në dispozicion Rama ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj për shembjen e Teatrit Kombëtar? Madje të sprovuar në përballjet jo të lehta me opozitën, pas por sidomos para 30 qershorit? Atëherë pse nuk e përdori? Sepse Rama preferon ti shfrytëzojë kauzat e tij ashtu siç një fëmijë i llastuar bën me lodrat e tij. Veç kësaj, ai e kuptonte se ndërkombëtarët nuk do ti jepnin bekimin. Madje, edhe në këto orë pas 17 majit, nuk është çudi që Rama “po lan duart” nga Teatri Kombëtar, duke ia kaluar përgjegjësinë Erion Veliajt.
Ndoshta ngjan si fantazi e tepruar, por Teatri Kombëtar është edhe kurban i luftës për atë që do të pasojë Edi Ramën në krye të PS-së apo Rilindjes por edhe gjatë 8 viteve të opozitës që e presin këtë forcë politike. Nuk përbën sekret se përbrenda PS-së nga vitin 2005, ka nisur përthithja e elementëve që vinin nga “Mjaft”, mes tyre më të spikaturit Erion Veliaj dhe Endri Fuga, edhe pse “ushtria” e mjaftistëve është e stërmadhe sot dhe me pozicione mjaft të rëndësishme të në gjitha nivelet.
“Mjaft” mund të jetë në betejën finale për marrjen e kalasë “PS” apo “Rilindje” dhe i nevojiten një “provë force” si Teatri Kombëtar. E po ta shikosh në këtë këndvështrim, natyrshëm të vjen apo lind pyetja: A është penduar Edi Rama për shembjen e Teatrit Kombëtar…?! /Nga Blerti DELIJA/