“Deus ex machina” është shprehja e parë që më erdhi në mendje teksa “bashkimi” brenda PD Rithemelimi, u blatua me ndryshimin e Statutit për të kooptuar në poste drejtuese individuale dhe kolegjiale disa emra që u bashkuan me këtë grupim pa bërë as “mea culpa”- n më të vogël, qoftë edhe hipokrite. Sigurisht, është çeshtje e brendshme e këtij subjekti politik por meqë synon dhe nesër mund të jetë në pushtet, lind e drejta të merrem të paktën moralisht me këtë çeshtje.
Fillimisht, të sqarojmë termin “Deus ex machina”, për ata që nuk e njohin, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e atyre që kanë kryer të mesmen në kapërcyell të 1990- ës, e kanë mësuar përmes librave të letërsisë. “Hyji që zbret nga makina” është përkthimi i thjeshtë. Origjinali tregon në personazh të tragjedisë greke, një hyjni që shfaqet në skenë për ti dhënë zgjidhje një drame tashmë të pazgjidhshme sipas koncepteve klasike. Përgjithësisht, ulej në skenë nga lart një karrocë (kosh) që “shpëtonte” personazhin që nuk kishte shpëtim apo e vdiste atë atëherë kur nuk kishte asnjë mundësi reale të ndodhte.
“Bashkimi” i shumë kërkuar, erdhi nga lart- poshtë dhe që këtu lindin problemet e para. “Bashkimi” u justifikua në emër të përballjes me të keqen më të madhe, që sipas “të përbashkuarve”, është Edi Rama. Siç e ceka, kanë ndodhur edhe herë të tjera “zgjidhje” jo logjike, të mveshura bukur në dukje por të brishta deri në shkatërrim përbrenda.
Nuk ka asnjë dyshim se baza e këtij subjekti politik, e ka kuptuar me kohë por sot e vërtetoi. Një subjekt politik, i konsoliduar mbi forcën morale, gjen zgjidhje proceduriale për “bashkimin”. Ekzakt siç i kanë dhënë e deri tani të paktën, po i japin zgjidhje gjykatat shqiptare dhe institucionet çeshtjes së vulës dhe selisë së PD- së. Thuajse askush nuk ka dyshime se shumica e demokratëve mbështesin PD Rithemelimin, por institucionet njohin si vulëmbajtës zyrtar Lulzim Bashën dhe pjesëzën e tij të PD- së.
Gazment Bardhi “solli në pajë” disa deputetë, mbase 20 të tillë, më pak apo më shumë. Pesha e tyre politike apo elektorale, po të doni edhe institucionale si ligjvënës të njohur nga strukturat e shtetit, zgjat maksimumi edhe 1 vit e gjysmë. Sepse vitin që vjen ka zgjedhje dhe do të duhet të rinkonfirmohen, nëse kjo do të ndodhë. Po ashtu “solli në pajë” dhe mundësinë e tërheqjes nga çeshtja e vulës nëpër gjykata, gjë që tashmë nuk mund të ndodhë. Zyrtarisht nga sot, Gazment Bardhi nuk ka asnjë tagër të përfaqësojë PD- në e Bashës në çeshtjet gjyqësore të vulës, sepse nga sot, “de jure” është numri 2 i PD Rithemelimi, ndërsa “de facto” është numri 1.
Sot Bardhi është nënkryetar i këtij subjekti politik dhe me statut, në kushtet e arrestit në shtëpi të Berishës, është figura kryesore e PD Rithemelimi. Sepse është edhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD- së, e vetmja strukturë që njihet zyrtarisht nga KQZ, Kuvendi dhe institucionet e tjera shtetërore. Pra, Gazment Bardhi nga sot, është kryetar i PD Rithemelimi, me gjasë edhe me shkresë nga vetë Berisha, siç e parashikon Statuti, meqenëse ish- kryeministri është në arrest shtëpie dhe nuk mund të ushtrojë funksionin.
Një opozitë e fortë, me ide e program, e shëndoshë sidomos në konceptin moral, është premisë e mirë për një qeverisje të mirë kur të vijë në pushtet. “Bashkimi” Berisha- Bardhi apo afrimi i këtij të fundit tek PD Rithemelimi, duke marrë poste ai vetë dhe të tjerë me kooptim dhe ndryshim Statuti, tregon se është ndjekur vetëm logjika e numrave, edhe kjo e përkohshme, siç e përmenda më sipër. Pra, në sallën e Kuvendit, 43 deputetë bëjnë më shumë rrëmujë se 17 apo 20 deputetë.
Sigurisht, ndjej keqardhje për demokratët e thjeshtë, mes të cilëve edhe qindra shokë e miq të mi. Nga 9 shtatori 2021, ata ishin promotori i një lëvizje politike por edhe më shumë morale, brenda PD- së: Vula, selia, logo duhet të jenë aty ku është shumica. Asokohe, Bardhi dhe të gjithë ata që sot u kooptuan në poste drejtuese, ishin përballë, duke përdorur më shumë procedurën se votën. Fiks siç ndodhi edhe sot: U votuan ndryshimet në Statut por nuk u votua nëse Këshilli Kombëtar ishte dakort që “gazistët” apo “bardhistët” të marrin postet drejtuese. Tani mbetet të shihet nëse do të mbeten në fuqi…primaret. Sepse aty mund “të mbetet në klasë” Bardhi dhe ndjekësit e tij, pikërisht për shkak të votës së demokratëve të thjeshtë. Gjithmonë nëse atyre do tu lihet akoma ky pushtet.
P.S. Jam i sigurtë se shumë demokratë të thjeshtë ndajnë të njëjtin opinion, edhe pse nuk e shprehin publikisht. Kjo në emër të “bashkimit” apo “solidaritetit”, të cilat duhet ti kishim lënë pas nga 11 dhjetor 1990. /Nga Sokol N. SOKOLI/