Kjo javë që po mbyllet, pritej të ishte intensive, pse jo me produkt konkret për bashkimin e Partës Demokratike. Negociatorët e palëve Paloka dhe Bardhi mund të jenë takuar, por çdo gjë ka mbetur jashtë vëmendjes së mediave. Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit zyrtar të negociatave, në horizont nuk duket akund “tym i bardhë”. Përkundrazi!
“Si rrfe në qiell të hapur”, kështu erdhi marrëveshja e paralajmëruar mes Berishës dhe Metës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Me gjasë, marrëveshja u përshpejtua në shpalljen e saj publike, edhe në funksion të situatës aktuale në Partinë Demokratike. “Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë”, është pika e parë e marrëveshjes, e cila “de jure” dhe “de facto” i mbylli rrugën mundësisë së bashkimit në PD. Ndërkohë në Durrës, Tiranë e Elbasan, po bëhet gati zhvillimi i primareve për të përzgjedhur kandidatët për kryebashkiakë të koalicionit PD- PL.
Tashmë zyrtarisht, “grupimi Alibeaj” në PD, është kundër zhvillimit të primareve. Arsyet mund të diskutohen lidhur me bazueshmërinë e tyre, por tashmë primaret janë fakt i kryer, i përforcuar nga marrëveshja PD- PL. Madje, nuk u morën parasysh as sugjerimet e aleatëve të tjerë të djathtë si Shehi apo Duka, të cilët propozuan organizim sondazhesh për caktimin e kandidatëve për kryebashkiakë.
Berisha nxitoi të nënshkruajë marrëveshjen me Metën, për të vënë para faktit të kryer jo vetëm “grupimin Alibeaj” por edhe aletët e tij të vegjël, me të cilët ka rënë parimisht dakort për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023. Nuk ka dyshime, se në emër të numrave gjithmonë hipotetikë, pjesën më të madhe të tortës që mund të ndahet pas zgjedhjeve vendore, do ta marrë PL- ja e Metës. Madje, PL- ja e deklaroi qartë se synohet rezultat në këshillat bashkiakë. E thënë ndryshe, do të kërkojë ti imponohet PD- së apo PS- së përmes “parlamenteve” të vogla të bashkive. E përkthyer plotësisht, do të kërkojë pozicione apo “vënde pëllumbash” në administratat lokale, aty ku opozita do të jetë shumicë.
Praktikisht, aleatët e vegjël të PD- së, përveç PL- së, me shumë mundësi do të ngelen, në mos “me gisht në gojë”, në mëshirën e kryebashkiakëve të neserm të opozitës apo edhe të njohjeve e lobimeve personale. Nuk është e vështurë të kuptohet se llogaritë politike në këtë rast, nga ana e Berishës por jo vetëm, janë matematikore. Kush sjell më shumë vota në “thesin” e opozitës. Ideologjia nuk ka prirë asnjëherë sepse për hir të së vertetës, këto 32 vite, askush nuk është lodhur të hartojë e aq më pak të ndërtojë, teza ideologjike sipas krahut të spektrit politik që pretendohet se përfaqësohet.
Shkurt e thjeshtë, marrëveshja Berisha- Meta, ka në themel vetëm pragmatizmin. Tashmë pritet vetëm reagimi i partive të vogla por edhe i “grupimit Alibeaj”. Nuk ka asnjë dyshim që pas 3 nëntorit, do të ketë zhvillime, do të ketë lëvizje e mbase edhe një “pol të tretë” veç PS- së dhe PD- PL. A ka hapësirë? Sigurisht që po, ndoshta edhe për të patur ndikim në disa bashki të vendit. /Nga Blerti DELIJA/