Ilir Meta në cilësinë e Presidentit të Republikës, ka firmosur një dekret sovran ditën e sotme. Sepse, siç e ka thënë edhe vetë, “presidenti flet me dekrete”. Ashtu siç para “popullit të Kushtetutës”, foli me dekret kundër mazhornacës aktuale eë qeveris vendin, me 2 mars 2020 në një titing të paprecedent të thirrur nga vetë ai në “mbrojtje të Kushtetutës” dhe kundër “grushtit të shtetit”. Një javë më pas, Shqipëria si e gjithë bota, hyri përballjen apo “luftën” me armikun “e padukshëm”, COVID-19. Kjo është historia e re!
Edhe 9 ditë, marsi do të pasohet nga prilli dhe dita e parë t këtij muaji, nuk është fiksuar vetëm si “dita e rrenave”. Me një kumbar ndërkombëtarisht të njohur si PSE- Partia Socialiste Europiane, me 1 prill 2013, Rama dhe Meta nënshkruan në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. Asokohe, Ilir Meta akoma nuk ishte shkëputur plotësisht nga koalicioni me Partinë Demokratike, me të cilën nisi një qeverisje 4 vjeçare pas zgjedhjeve të 2009, falë “katër mandateve të arta”, siç u cilësuan në atë kohë.
Ilir Meta koalicionin qeverisës me PD-në në 2009-ën, por edhe atë me Rilindjen në 2013-ën, i cilësoi “për interesat e Shqipërisë”. Në rastin e marrëveshjes së 1 prillit 2013 në Shkodër, Meta e quajti “koalicion i natyrshëm, solid dhe afatgjatë”.
Historia e re e këtyre dy marrëdhënieve, tregoi se Ilir Meta dhe LSI-ja e tij, nuk mund të rezistojnë më shumë e 4 vite “luajalë” me partnerët në qeverisje. Para zgjedhjeve të 2017-ës, LSI prishi edhe “koalicionin afatgjatë” me PS-në. Madje, duke hedhur pas krahëve edhe një premtim shumë të rëndësishëm: Futjen e Shqipërisë në BE brenda dy mandateve!
Deri këtu, nuk ka asnjë mister, asnjë sekret. Ilir Meta dhe LSI-ja, konsiderohen “faktori X” që ka mundësuar qeverisjen “në interes të shqiptarëve” por më shumë në interes të tij. Sepse kjo është politika dhe nuk mund të jetë ndryshe në këtë vend. “Kapërcimi i ylberit” është fenomen i zakonshëm dhe i gjithëpranuar në këtë vend. Edhe pse pas 2 marsit 2020, nuk ka ndonjë koordinim publik të spikatur, LSI-ja e drejtuar nga Monika Kryemadhi, është rreshtuar në opozitë, në krah të PD-së.
“Institucioni i vetëm legjitim në këtë vend”, siç e ka cilësuar vetë veten e tij Presidenti Meta, i dha legjitimet një parlamenti dhe një qeverie, që po sipas të njëjtit aktor, nuk janë plotësisht legjitim. Më shumë se një herë, publikisht, me shkrim apo me zë e figurë, Ilir Meta ka vënë në diskutim legjitimitetin e Kuvendit të dalë pas zgjedhjeve të 2017-ës, e sidomos pas gjysmës së shkurtit 2019, kur opozita “dogji” mandatet. A është i mjaftueshëm “shëndeti i shqiptarëve” për ti dhënë legjitimitet një parlamenti të tillë? Në gjykimin me dekret të presidentit Meta, po! Edhe pse, shumë faktorë të shoqërisë civile, grupe interesi kanë qenë kundër ndryshimeve të Kodit Penal, sidomos në një situatë të tillë, duke i dhënë kryeministrit fuqiplotë, edhe më shumë pushtet. Nëse i’u kujtohet, të enjten e kaluar, seanca e miratimit të ndryshimeve të Kodit Penal, u ndërpre për një pushim 5 minuta të kërkuar nga Taulant Balla. Më pas, erdhi miratimi e sot, dekretimi i ndryshimeve nga Presidenti Meta.
Dekreti i sotëm i Presidentit Meta, u paralajmërua kohë më parë. Publikisht kryeministri vlerësoi pozicionimin e kreut të shtetit, ndërsa ishte pjesëmarrës entuziast i dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit, duke komentuar me superlativa atmosferën virtuale aty.
Një republikë normale, përveç pushtetit ekzekutiv e ligjvënës që buron nga Kushtetuta e institucionet, ka edhe atë që quhet “pushtet moral”. Presidenti Meta u rreshtua në këtë anë, bashkë me opozitën e vertetë, Partinë Demokratike. Në një farë mënyre, duke izoluar kryeministrin “si të keqen” e këtij vendi dhe përparimit të tij. Nga sot, Ilir Meta si President, të paktën ka dhënë perceptimin, se nuk është më pjesë e pushtetit moral të këtij vendi. Më qartë, i ka dhënë nga pushteti i tij moral, pushtet “kreut të grushtit të shtetit kundër Kushtetutës”. Sigurisht, kjo është vetëm një këndvështrim dhe sigurisht, i paplotë. Mungon në këtë puzzle, edhe pozicionimi i opozitës së vërtetë, PD-së dhe LSI-së për dekretin më të fundit të Presidentit Meta, i cili është i justifikuar nëse ka luajtur thjeshtë si “lojtar politik”.
Më pak se një javë më parë, një vend që Meta e përmend shpesh për kushtet që i ka vendosur Shqipërisë për anëtarësimin në BE, përmes Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur se edhe në kohë pandemie, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, duke respektuar rregullat e distancimit social e mbrojtjes nga korona virusi. Sigurisht e natyrisht, nuk kanë lidhje direkt me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dekretuara nga Presidenti Meta! Apo jo…?! Shqipëria akoma nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale por ka të drejta e liri të qytetarëve të snaksionuara në Kushtetutë, të cilat kishte marrë përsipër ti shprehte e mbronte edhe institucionalisht, me dekret, presidenti i vendit Ilir Meta.
Në pamje të parë, nga 2009 deri më sot, është i njëjti personazh, thuajse në të njëjta pozita dhe me vetëm një ndryshim…disa dhjetra kilogramë më pak… /Nga Blerti DELIJA/