Lulzim Basha është anatemuar vazhdimisht, deri me 9 shtator 2021, si një person i afruar, stimuluar e mbështetur fort nga Sali Berisha. Në në vitin 2005 kur ai hyri i katapultuar në politikë përmes radhëve të KOP- it dhe deri në ditën që njoftoi pezullimin e Berishës nga GP i PD- së, basha konsiderohej nga të gjithë, brenda e jashtë PD- së si “besniku” i lidershipit të vjetër.
Lulzim Basha e ka mohuar gjithmonë dhe Sali Berisha e ka përsëritur disa herë, se nga 2013- a vendimmarrjet në PD kanë qenë vetëm të pasardhësit të liderit historik në krye të demokratëve. Por javët e fundit, vetë Basha e ka pranuar se ka vënë interesin e Berishës jo vetëm para interesit të tij por edhe të PD- së. Njerëz pranë Bashës, media pranë tij, proklamojnë se lidershipi i vertetë i tij, do të shihet tani që “vrau” Sali Berishën, “atin e tij shpirtëror”.
Në daljet e para publike pas vendimit të 9 shtatorit, Basha theksoi se nuk dëshironte të implikonte as Kryesinë e as Këshillin Kombëtar për vendimmarrjen për Berishë sepse nuk donte të krijonte përçarje. Të njëjtën përgjigje, Basha dha edhe kur gazetarët e pyesnin pse nuk zbret në bazën demokrate teksa Berisha kishte filluar “Foltoren” e tij.
Sot Lulzim Basha vendosi të zbresë në bazë. Edhe pse jo “live” dhe me regji qendrore, Basha nisi takimet me bazën demokrate, duke dalë kundër vetes dhe duke nisur zyrtarisht “përçarjen”, në emër të së cilës ai kishte anashkaluar institucionet e PD- së për vendimmarrjen për Berishën. Sot, Basha rrezikon realisht të stimulojë përçarjen, madje deri në ndarje të PD- së.
Mbështetësit e PD- së, të shfaqur publikisht në “Foltoret” e Berishës, janë padyshim demokratë. Mund të jenë nostalgjikë të Berishës, mund të jenë kritikë të Bashës, por përpara janë demokratë, mbështetës, antarë e kontributorë të PD- së. Shkurt e thjeshtë, votues e propagandues të PD- së, qoftë nga viti 1990, 1997, 2005, 2013 e 2021. Me teserë të vlefshme, të parinovuar, të padigjitalizuar në sistemin elektronik të PD- së, por demokratë. Në varësi të nkë vendimmarje të mundshme të gjykatës, çarja deri në krijimin e një partie të re, është thuajse e zyrtarizuar. Pak a shumë në linjën e PS- së dhe LSI- së.
Duke u kthyer disa javë pas, duket se Basha nuk po e kopjon Berishën vetëm në replikimin apo përsëritjen e “Foltores”, pavarësisht sloganit të ndryshëm, “Zgjedhim të ardhmen”. Kur Berisha artikuloi nevojën e një Kuvendi Kombëtar, Basha e kundërshtonte duke thënë se nuk ka arsye për ta mbledhur, nuk mund të mblidhet një Kuvend Kombëtar që merr në shqyrtim vendimet e Amerikës. Ndërsa 11 dhjetori u përcaktua si ditë e Kuvendit Kombëtar nga Berisha, Basha thirri të vetin me 18 dhjetor.
Ka mbetur edhe një tjetër hap që Basha të ecë 100% në gjurmët e Berishës në këtë përplasje për lidershipin e PD- së. Referendum me antarësinë për të rrëzuar përfundimisht Berishën dhe mbështetësit e tyre. Ashtu siç bëri Berisha me 18 dhjetor, ku rreh 43835 demokratë, shkarkuan Bashën pasi më herët këtë vendimmarrje kishte vendosur edhe Kuvendi Kombëtar.
Lulzim Basha e konsideron të mbyllur “betejën” për PD- në me Berishën. Vetëm kështu mund të arsyetohet nisja e turit të takimeve me bazën demokrate. Qartas ai po punon të forcojë radhët e atyre që i kanë mbetur pas një rrjedhje të mundshme të antarësisë në mbështetje të Berishës. Po ashtu, Basha duket se është i qetë edhe në pjesën ligjore të çeshtjes. Nuk është e vështirë të hamendësohet se ka garanci që gjykata do të vendorë në favorin e tij, duke i lënë vulën e logon e PD- së. Vetëm kaq, sepse me gjasë fati i selisë blu si ndërtesë, pritet të vendoset me 8 dhjetor 2022. /Nga Blerti DELIJA/