Ekulibrat janë prishur. Bota dhe njerëzimi nuk funksionon më sipas rregullave të shkruara e të pashkruara. Siç ka patur ndikim në jetët e njerëzve dhe familjeve, pandemia e Covid- 19 ka ndikuar edhe në parametrat makro ekonomikë të shteteve. Kriza energjitike, nevoja e pjesës derrmuese të Europës për gazin rus, i japin jo pak bonuse Rusisë së Putin. Nisja e asaj që mund të konsiderohet prag lufte globale, nuk mund të thuhet se është rastësi. Aneksimi i Krimesë nga Rusia në 2014- ën, pak pas “revolucionit ukrainas”, u shoqërua nga mosveprimi i organizmave ndërkombëtarë si OKB, NATO etj.
Trazirat në Donetsk dhe Lugansk, kalimi i tyre thuajse në pavarësi të plotë, u kalua sërish në heshtje. Dënimi nga ana e kalncelarive ndërkombëtare i njohjes së tyre si republika nga Rusia “nënë”, nuk solli asnjë prapsje të planeve të presidentit Vladimir Putin. Mëngjesin e sotëm, në orën 05.55 sipas asaj ruse, nisi zyrtarisht sulmi ndaj Ukrainës nga ushtria e Rusisë. Objektivat e parë ishin mbrojtja kundërajrore e Ukrainës, e cila sipas Rusisë është shkatërruar plotësisht.
Në nivelin politik, Rusi- Ukrainë, përballja duket shumë e pabarabartë. Një ish- agjent i KGB- së përballë një ish- komediani në krye të dy shteteve respektive. Putin, në pushtet prej mëse 20 vitesh, trashëgimtar i mentalitetit sovjetik të Boris Jeltsin. Përballë, Volodymyr Zelenskyy, i cili nga 2019 është president i Ukrainës, akoma nuk ka “ngrohur”karrigen. Rusia, një shtet që dëshirën për hegjemoni e ka genetike dhe që kërkon ta forcojë përmes armatimit të vazhdueshëm. Ukraina, një shtet akoma i pastrukturuar, në dyert e NATO- s dhe BE- së që nga 2008- a kur aplikoi zyrtarisht për tu bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në kuadër të kësaj dëshire, ku 69% e ukrainasve janë pro hyrjes në NATO (sondazh i 2017- ës), në shkurt 2019 parlamenti i Ukrainës amendoi edhe kushtetutën për ti hapur edhe ligjërisht rrugën antarësimit.
Pas sulmit të sotëm, mundësitë që të ketë një kundërveprim nga NATO apo ndonjë strukturë tjetër, vështirë të ndërmerren. Arma e vetme është ajo e sanksioneve të forta, të cilat me gjasë, do të tentojnë ngushtimin e “lakut ekonomik” për Rusinë e Vladimir Putin. Ky i fundit, ka paralajmëruar shtetet e tjera që mund të ndërhyjnë në konfliktin ruso- ukrainas, ndersa i ka kujtuar edhe NATO- s rrezikun që mund ti kanoset nga aktivitizimi i nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut: Kur një shtet anëtar sulmohet, konsiderohet se është sulmuar e gjithë organizata.
Me gjasë, konflikti Rusi- Ukrainë nuk do të jetë i shtrirë në kohë. Pas aneksimit të Krimesë, Putin do të kërkojë futjen në suazën e federatës ruse edhe të dy “republikave” të saponjohura nga ai: Donetsk dhe Lugansk. Më pas, do të ketë qetësi. Pak a shumë, si në rastin e Krimesë kur bota qëndroi e pafuqishme dëshmitare përballë Rusisë. Asgjë, asnjë paralajmërim apo sanksion, nuk e bëri presidentin Putin të tërhiqet nga ekspansioni rus. Mbase për tu rikther sërisht në aksion pas 7-8 apo më shumë vitesh. Siç duket, po kërkon të rikthejë nën “perandorinë” ruse atë 40% të popullsisë që u tkurr me shpërbërjen e ish- Bashkimit Sovjetik pas përfundimit të “Luftës së ftohtë”.
Edhe për shkak të moshës, Vladimir Putin nuk do të jetë edhe për shumë vite në krye të Rusisë. Me shumë mundësi, ai po përgatit një pasardhës në nivelin e ambicjeve të tij, pak a shumë siç veproi Jeltsin me të. Nga ana tjetër, ai kërkon të lërë një Rusi më të madhe dhe të fuqishme gjeografikisht por edhe demokrafikisht. Nuk është çudi që ai të ëndërrojë një trajtim si Lenini apo edhe Stalini, me një mauzoleum në Moskë, ku rusët ta adhurojnë edhe pas ikjes së tij fizike.
Sot është njoftuar se nga bombardimet me raketa ruse, kanë humbur jetën 7 shtetas ukrainas. Ndërkohë, trupat ruse kanë depertuar në Ukrainë edhe përmes territorit të Bjellorusisë. Ky i fundit, ka mobilizuar ushtrinë bjelloruse, duke lënë të hapur kështu skenarin e një konflikti tashmë trepalësh. Rreziku i vertetë, real, është ai i shtrirjes së konfliktit edhe përtej rajonit ku ai lindi. Një nga më të rrezikuarit, është padyshim edhe Ballkani Perendimor, ku ndikimi i NATO- s është i dukshëm jo vetëm përmes shteteve anëtare. Pyetja që të gjithë ngrejnë është: Bota në prag të një lufte globale apo një beteje të radhës për ekspansion nga Vladimir Putin?! /Nga Blerti DELIJA/