Vrasja e një shqiptari në Ekuador ka shtuar edhe më shumë enigmat e lidhjeve të grupeve të trafikimit shqiptar me boten e krimit nga më të rrezikshmit në botë në Ekuador dhe Kolumbi.
Duket se “armëpushimi” Nuk ka zgjatur as dy javë pas kapjes së gjysmë toni kokainë në Shqipëri. Si gjithmonë kur droga që vjen nga këto vende bie në duart e policisë gjithmonë do të ketë viktima.
Vrasja në Ekuador e shqiptarit të tretë, Fadil Kaçaniç bashkë me të shoqen Fatime, është shenjë se zullumi është trashur dhe atje tashmë ndodhet një bazë shumë e fortë e bandave shqiptarë të trafikut të drogave të forta.
64-vjeçari i vrarë barbarisht bashkë me gruan e tij mësohet se ka qenë agjent sekret i UDB-së jugosllavë por pas daljes në pension është lidhur me grupe shqiptarësh nga Kosova që i kanë kërkuar të blinte kokainë nga kolumbianët, shkruan tesheshi.com. Kaçaniç dyshohet se ka vite që është njeriu i cili porosit drogën që menaxhojnë shqiptarët në Europë.
Vrasja e tij është një shenjë shumë e rëndë, pasi për të nuk ka pasur asnjë problem për mbi 15 vjet ngaqë ka qenë një profesionist në diplomaci dhe marrëveshjet me palët.
64-vjeçari Fadil Kaçaniç (Kaçaniku) dhe bashkëshortja e tij 63-vjeçare, Fatime,u gjetën të vrarë në rrugë por mësohet se janë ekzekutuar më parë në banesë.
Ata u gjetën të vdekur në një zonë të banuar pranë qytetit të Guajakilit, në perëndim të vendit. Kaçaniç u qëllua për vdekje me tre plumba, ndërsa bashkëshortja ishte goditur me sende të forta. Hetuesit kanë thënë se bëhet fjalë për disa pjesëmarrës në krim të cilët hynë në shtëpinë e tyre të veshur si policë.
Pasi i vranë, ata u kishin marrë edhe një shumë të madhe parash që Kaçaniç mësohet se i kishte përfituar nga trafiku i drogës. Shqiptari i Malit të Zi mësohet se ishte një njeri kyç dhe më i besuari i kartelit që furnizonte bashkëatdhetarët e tij me kokainë.
Hetime po kryhen për lidhjet mes këtij rasti me ngjarjeve e dy viteve të kaluara. Rasti i parë është ai i majit të 2016-ës, kur shqiptari Ilir Hidri u qëllua për vdekje në Guajakil.
Hidri u vra me 3 plumba pas koke, siç edhe u mësua më vonë nga një tjetër shqiptar. Ai dyshohet se është vrarë pasi prej disa kohësh ishte inflitruar në një rrjet të trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Europë e Shqipëri.
Por nuk përfundoi me kaq. Rasti i tretë ishte plagosja e shqiptarit nga Kosova, Remzi Azemi, gjithashtu i dyshuar si trafikant kokaine.
Azemi lëvizte me një automjet të blinduar, kur iu afruan dy persona që lëviznin me motoçikletë. Ata qëlluan në drejtim të tij 4 herë. Azemi ndodhej në shoqërinë e bashkëshortes së tij me origjinë shqiptare si dhe vajzës 3-vjeçare.
Ekuadori ka një pozicion tejet strategjik, pasi ndodhet mes Kolumbisë dhe Perusë, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në Amerikën Latine. Edhe DEA amerikane ka ka gjurmuar e para që grupet shqiptare kanë arritur që të bëhen tërheqës të kokainës direkt nga tregtarët e drogës që vijnë nga Kolumbia dhe Peruja.
Në Ekuador është krijuar një komunitet i vogël shqiptarësh që jeton aty dhe merret vetëm me sigurimin e mallit nga prodhuesit, si dhe lëvizjen e parave që vijnë nga droga dhe përdoren për të blerë kokainën.
DEA ka arritur të hyjë edhe në disa grupe të mëdha trafikantësh shqiptarë nga Britania e Madhe dhe Holanda, të cilët po hyjnë në nivelet e larta të klasifikimit në krahasim me grupet e tjera të krimit të organizuar.
Ilir Hidri, i vrari i parë ishte arrestuar në Spanjë si pjesë e një grupi ndërkombëtar trafiku të kokainës nga Ekuadori në Spanjë, drogë kjo që shpërndahej më pas edhe në vende të tjera të Europës./tesheshi