“Foltorja” e ish- kryeministrit Sali Berisha këtë javë që nis, do të zhvillojë sipas gjasave udhëtimin e fundit drejt Lezhës. Organizimi i saj nga ish- kryetari i PD- së, ka qenë në nivel qarqesh, pra 12 takime në total. Në “Foltoren” e Beratit, e parafundit me shumë mundësi”, Berisha ka paralajmëruar se këtë javë do të bëjë publike datën kur do të thërrasë Kuvendin Kombëtar të jashtëzakonshëm. Akoma nuk ka një shifër zyrtare, por jo zyrtarisht po artkulohet se janë mbledhur 50% të firmave të delegatëve të Kuvendit Kombëtar, teksa për ta thirrur ato duke anashkaluar kryetarin, kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, duheshin vetëm 1/4 e firmave të delegatëve.
Nga ana tjetër, kryetari i PD- së Lulzim Basha ka ripërsëritur se nuk ka ndërmend të lejojë një Kuvend Kombëtar që shqyrton vendimet e DASH. Po ashtu, për rezervat apo pakënaqësitë që mund të ketë, ka ftuar Berishën ti drejtohet institucioneve të partisë. Por nuk është e vështirë të kuptohet se Berisha ka ndjekur një rrugë tjetër, bazuar në një nen të statutit të PD- së.
Neni 43, pika 2, thotë shprehimisht “Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.”.
Nëse Berisha ka mbledhur më shumë se 1/4 e firmave të delegatëve, atyre u lind e drejta e thirrjes së Kuvendit Kombëtar. Po të lexohet me kujdes kjo pikë, pavarësisht se flet në numër njëjës, Basha nuk ka të drejtë të mbledhë apo mos mbledhë Kuvendin Kombëtar. Atë e thërret Kryesia, por nëse e propozon kryetari Basha. Pra, nëse nuk ka një kompromis kryesi- kryetar, nga këto dy institucione, nuk mund të thirret Kuvendi Kombëtar. Pra vendimmarrja për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, realisht, ësht[ë vetëm në dorën e Këshillit Kombëtar dhe 1/4 të delegatëve.
Referuar këtij neni, jemi në kushtet kur Kuvendin Kombëtar e kërkon 1/4 e delegatëve të tij. Këtu nisin teknikalitetet e statutit. Përpara mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, duhet të ketë një njoftim një muaj para datës së caktuar. Ajo çfarë mbetet evazive, është se kush duhet të njoftojë datën e Kuvendit Kombëtar kur ai thirret nga delegatët.
Në nenin 46, pika 1 të statutit, nënvizohet se “Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. “. Që do të thotë, Basha kryeson edhe Kuvendin Kombëtar. E thënë më ndryshe, ai duhet të njoftojë datën dhe rendin e ditës së çdo mbledhje të Kuvendit Kombëtar, qoftë edhe e thirrur nga 1/4 e delegatëve të tij. Ai e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të thërrasë Kuvendin Kombëtar të kërkuar nga Berisha, pas mbledhjes së firmave të delegatëve.
Nuk është e vështirë të kuptohet se statuti ka një vakuum rregullash në situatën aktuale, e cila realisht nuk është aspak normale dhe nuk është aspak çudi që nuk është parashikuar në statutin e PD- së. Duke folur me “gjuhë të ftohtë” juridike, Basha nuk ka asnjë interes të njoftojë apo thërrasë Kuvendin Kombëtar të iniciuar nga Berisha përmes firmave të delegatëve. Ndoshta mund të konsiderohet edhe “konflikt interesi” i bashës, por gjithsesi roli i tij është i sanksionuar në statut si kryesues i organeve qendrore. Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: Nëse nuk e thërret Basha, kush mund ta thërrasë atë?
Siç e thamë më sipër, duhet sintoni kryesi- kryetar që të dy bashkë të thërrasin Kuvendin Kombëtar. Në kushtet aktuale, vështirë të arrihet. Mbetet Këshilli Kombëtar, i cili duhet të mblidhet dhe me shumicë votash, të thërrasë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, në zbatim të vullnetit të 1/4 së delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Nëse do të kishte një vendimmarrje të tillë, atëherë datën dhe rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, normalisht do të duhej ta shpallte kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.
Kuvendi Kombëtar mund të marrë shumë vendime por që të jenë legjitime, duhen në zbatim të statutit të PD- së. Mund të ndërmarrë edhe ndryshimin e statutit, por më herët duhet të nisë punimet dhe në zbatim rigoroz të statutit. Edhe nëse Kuvendi Kombëtar mblidhet, ka vakuum tek drejtimi i punimeve të tij që të jetë i ligjshëm dhe në zbatim të statutit. “Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.”, thuhet në nenin 43, pika 2 të statutit të PD-së. Pra sërish është në vullnetin e kryetarit të PD-së.
Të gjitha skemat e mundshme hamendësuese për mbledhjen ose jo të Kuvendit Kombëtar, tregojnë se përballja Basha- Berisha për kreun e PD- së, do të përfundojë para një gjykate. Me shumë mundësi, Berisha do të shpallë një datë të Kuvendit Kombëtar, mbase pikërisht 8 dhjetor 2021, siç e ka paralajmëruar edhe më herët, në një datë simbolike të fortë për PD- në. Nëse ai ka mbledhur mbi 50% të firmave të delegatëve, Kuvendi Kombëtar mund të marrë edhe vendime, siç mund të jetë shkarkimi i kryetarit Basha. Por neni 43, pika 3, germa ç, sqaron se Kuvendi Kombëtar ka kompetencë për “shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar”. Gjithsesi, dokumentet, procedurat, vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar, duhet të depozitohen dhe të shqyrtohen, rrjedhimisht, edhe të miratohen nga një gjykatë.
Nëse këtë nuk e bën Berisha dhe Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm që ai mund të mbledhë, mund ta bëjë Basha. Mund ti drejtohet gjykatës duke kërkuar ta konsiderojë të paligjshëm Kuvendin Kombëtar të PD- së të thirrur nga Berisha, rrjedhimisht edhe çdo vendim që mund të jetë marrë aty. Përtej ndikimit të mundshëm politik, gjykata me shumë mundësi, do të gjykojë procedurat e thirrjes, mbledhjes dhe vendimmarrjes së Kuvendit Kombëtar dhe baza e gjykimit, do të jetë pikërisht statuti i PD- së. Me kompetencat që ka aktualisht kryetari Basha në statut, pa vullnetin e tij, vështirë të konsiderohet legjitim Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Berisha. Në mes përmbajtjes e procedurës, jurisprudenca është e prirur ta shohë çdo gjë nga këndvështrimi i të dytës.
Ajo që duhet bërë dhe me shumë urgjencë madje, është procesi i ndryshimit të statutit, i cili i ka lënë shumë mundësi e hapësira kryetarit të partisë, i cili në situatën e krijuar tani në PD, është dukshëm i favorizuar edhe përballë 25% e më shumë delegatëve të Kuvendit Kombëtar që kanë të drejtë statutore ta thërrasin, por pa sqaruar procedurat. Nëse nuk ka vullnet kryetari i PD- së të dëgjojë apo lexojë firmat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Me shumë mundësi, Basha dhe Berisha, po aktivizojnë të gjithë juristët e tyre për të qenë të përgatitur me argumente e kundërargumente në këtë fazë të përballjes. Me shumë gjasa në një gjykatë, mbase edhe përballë një gjyqtari të vetëm që mund të vendosë fatin e PDSH- së. /Nga Blerti DELIJA/