Para vitit 2013, Edi Rama shfaqte publikisht një farë ndjeshmërie për Shkodrën. Jo rrallë e përsëriste se ishte “nip Shkodre” apo fliste me krenari për “gjyshen katolike” të tij nga ky qytet. Për hir të realitetit, qasja e tij në këtë linjë, u konstatua në disa raste edhe gjatë viteve si kryetar bashkie i Tiranës. Disa shkodranë, u bënë pjesë e administratës së tij në vite të ndryshme, edhe pse në dukje bindjet politike i kishin të ndryshme nga Rama.
Gjatë viteve të opozitës, vizitat e takimet publike e private në Shkodër, ishin të shpeshta. Ndoshta jo aq shumë, por krahasuar me ato pas vitit 2013 sigurisht. Rastësia apo përzgjedhja pse jo provokuese, sollënqë pikërisht në Shkodër, me 1 prill 2013, në Teatrin “Migjeni”, Rama të firmoste me Metën paktin politik që e solli në pushtet pak muaj më pas.
Ngjitja në krye të shtetit, duket e ka ndryshuar totalisht qasjen e Ramës me Shkodrën. Kanë kaluar 7 vite dhe asnjë qytetar, qoftë i majtë apo i djathtë, nuk di të tregojë me gisht një investim të qeverisë Rama në qytet e për ta zgjeruar, as në Bashkinë e Shkodrës, ku një pjesë e komunave që iu bashkëngjitën pas 2015-ës, drejtoheshin nga të majtë socialistë.
Këto shtatë vitet e fundit, Rama qarkoi Shkodrën me investime qeveritare. Edhe pse më shumë fasada të “Rilindjes urbane”, para u hodhën në Malësi të Madhe, Pukë, Fushë Arrëz dhe pas vitit 2019, edhe në Vau- Dejësin e qeverisur nga e majta.
Pak apo shumë, për fasadë ose jo, kudo u hodhën para ndërsa Shkodra mbeti si një ishull ku investimet qeveritare, nuk erdhën. Edhe aty ku u prenë shirita (apo do të priten), edhe aty ku u inspektuan punime, paratë janë të donatorëve të huaj ose projekte në vazhdimësi që para 2013- ës.
Këto javët e fundit, me ardhjen e Ilir Beqajt si koordinator politik për qarkun Shkodër, kanë nisur të duken investime. Natyrisht, asnjëherë në infrastrukturë rrugore, rehabilitime urbane brenda territorit të Bashkisë Shkodër. Është një kompani shtetërore, OSHEE, ajo që është hedhur në sulm me investime. Investime, që në fakt, duhej të ishin kryer prej vitesh e vitesh, madje edhe para 2013- ës në rrjetin e energjisë elektrike. Ndërsa koordinatori politik shëtit cep më cep qarkun, duke shijuar edhe produktet e kulinarisë të cilat i demonstron edhe me foto, Edi Rama thuajse ditë për ditë, poston foto e video nga atmosfera festive në shumë bashki e qytete të vendit.
Nuk mund të mos evidentohet mungesa e vëmendjes edhe në këtë aspekt, për Shkodrën. Edhe pse Thesari i ka mbyllur fondet që me 20 tetor (sipas deklaratave publike edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi), qyteti është zbukuruar, ka disa kënde që ia vlejnë të fotografohen dhe evidentohen. Pavarësisht se zbukurimet apo dekoret janë realizuar nga Bashkia e Shkodrës, fotot dalin shumë bukur e këndshëm. Janë qindra foto, edhe psofesionale që lundrojnë përditë në internet, në rjete sociale.
Edhe pse atmosfera festive në qytet është ndërtuar nga Bashkia e Shkodrës (sigurisht, me paratë e taksapaguesve të djathtë e të majtë të Shkodrës), ajo shijohet nga të gjithë, pavarësisht bindjeve politike. Por përsëri Edi Rama mesa duket nuk gjen stimul të kthejë tytën e aparatit fotografik nga Shkodra, edhe pse prej gati një vit e gjysmë, Këshilli Bashkiak i qytetit, është 100% i majtë dhe thellësisht i dominuar nga këshilltarë socialistë.
E nëse nuk ka dëshirë “të reklamojë” punën e Voltana Ademit (marrëdhëniet e vështira politike- publike të Ramës me të janë të njohura), mund të gjente një kënd tek Katedralja e Shën Shjefnit. Të paktën për një urim me rastin e Krishtlindjes, në sheshin e zbukuruar mrekullueshëm. Aq më shumë kur dikur krenohej me “gjyshen e tij katolike” nga Shkodra apo si i indikuar prej saj që të pagëzohej si katolik… /Shënim i ShkodraWeb Media/