U deshën plot 31 vite që të “zbulohej” në radhët e politikës shqiptare “armiku i rrezikshëm”…Sali Berisha. Ai u “dekonspirua” nga një foto, e cila e tregon pranë diktatorit komunist Enver Hoxha në fund të viteve ’70. Realisht në post- diktaturë, kanë qenë të shumta përpjekjet për të “vertetuar” një kontakt fizik të Berishës me Enver Hoxhën. Kjo, edhe pse kanë qarkulluar dhe qarkullojnë foto me numrin 2 të Partisë Komuniste (Punës) të Shqipërisë Hysni Kapo, edhe pse është shfaqur edhe në krah ministrash të kohës si Simon Stefani, edhe pse është fotografuar në një varkë në Pogradec me fëmijët e ish- diktatorit, madje edhe në një ambjent të brendshëm familjar.
Të ndalesh në analizën e një fotoje, të kuptosh rrethanat në të cilat është shkrepur, statusin e Sali Berishës në atë takim me Enver Hoxhën, ia ka dhënë apo nuk ia ka dhënë dorën diktatorit, është e kotë pas rreth 50 viteve nga shkrepja. Edhe nëse do të klasifikohej “krim”, ai tashmë mund të konsiderohet i parashkruar pas gati gjysmë shekulli. Nëse do ta fajësojmë Berishën se nuk e ka treguar asnjëherë këtë detaj (pra, ka gënjyer se nuk e ka takuar asnjëherë diktatorin), nuk është as i pari e as i fundit politikan shqiptar që e bën.
Kolegët e tij tregojnë se Sali Berisha ka qenë student i talentuar, më pas edhe mjek i spikatur. Nuk është aspak çudi që një nivel i tillë, të afrohej pranë udhëheqjes së kohës. Nuk është sekret se ka qenë një ndër mjekët e Hysni Kapos, numrit 2 të regjimit sa ishte gjallë.
Sali Berisha nuk e ka konsideruar asnjëherë veten disident i regjimit. Madje, ai ka qenë një ndër drejtuesit e organizatës së partisë së tij në institucionin ku punonte. Në vitet 70- 80, çdokush do të kërkonte ti shpëtonte gijotinës së regjimit, sidomos në nivele ku arriti djaloshi nga Tropoja. Realiteti i asaj kohe, nuk mund të gjykohet në kontekstin e kohës ku jetojmë. Çdo kush do ta kishte ëndërr të kishte një foto me njeriun më të pushtetshëm të shtetit të kohës, madje nuk do të ishte çudi as ta lante dorën pasi ia ka shtrënguar udhëheqësi.
Sali Berisha është një ish- komunist, antar i PPSH- së për mëse 20 vite, i cili në fillim të viteve ’90 pati intuitën, guximin apo bëri përllogaritjet jo vetëm për të hyrë në politikë por edhe të jetë figurë qendrore e saj në 31 vite demokraci. Kjo është aftësi jo e vogël për një politikan, i cili hoqi “bluzën e bardhë” për të bërë presidentin, kryeministrin, liderin e opozitës, deputetin dhe sot kandidatin për lider zyrtar të opozitës.
Sa i takon vendosjes në krye të PD- së, metodave e mënyrave që ai përdori (që për hir të realitetit nuk ndrzshojnë shumë nga ato të politikanëve të tjerë shqiptarë), pikë së pari është çeshtje e antarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në këto 31 vite. Ardhja e tij si president apo kryeministër, është çeshtje e deputetëve apo parlamenteve që e zgjodhën. Natyrisht, edhe e shqiptarëve që e votuan, kur e votuan si kandidat për president (indirekt, 1992) apo kandidat për kryeministër (2005 dhe 2009).
Sali Berisha krijoi në këto 31 vite modelin e politikanit të fortë. Shablloni i krijuar nga ai, u përdor edhe nga liderë të tjerë të rëndësishëm si Meta, Rama por edhe Nano. Ky i fundit, sipas gjasave më shumë se ambicjen për të qendruar në politikën e lartë, zgjodhi shijimin e jetës pa limite nga politika.
E për tu kthyer në realitetin tonë. Këto 30 vite janë të shumtë ata që kanë koleksionuar foto me liderë politikë. Shumë syresh i kanë përdorur për të plotësuar dosje emigracioni si azilant politik jashtë Shqipërisë. Por nuk janë të paktë as ata që kanë koleksionuar albume, përmes të cilave kanë kërkuar dhe kanë marrë edhe poste të rëndësishme politike apo administrative. E pra, po flasim për 30 vitet e fundit, teorikisht në demokraci.
Sa për kujtesë. Në Shkodër por edhe në Shqipëri, ka pasur edhe fenomene “të çuditshme”. Brenda një familje apo fisi, bashkëjetonin (sigurisht në distancë sigurie) të persekutuar të regjimit komunist dhe të përkedhelur, të mbështetur e stimuluar nga i njëjti regjim. Në mbledhje organizatash partie para 1990- ës, vëllai dënonte vëllain e persekutuar, kushëriri i binte “hasha” kushëririt në burg apo internim. Pa folur për ndryshim mbiemrash, duke nisur nga një gërmë deri tek gjeneralitetet e plota. Si për ironi të fatit, pas 1990- ës, nga vëllai apo kushëriri i mohuar në diktaturë, nuk ishin të paktë ata që morën përfitime të ndryshme, ndërtuan karriera edhe pse nuk i kishin përmendur apo nuk i kishin folur për 20- 30 vite.
Sigurisht që Sali Berisha ka qenë i privilegjuar në diktaturë, mbase edhe për shkak të aftësive të tij profesionale si mjek, të aftësisë për tu përshtatur apo komunikuar. Kush nuk do të ishte përpjekur tënte të njëjtën gjë në atë kohë?! Kohë kur të ikte koka për një fjalë goje të thjeshtë “buka qenka e ftohtë sot”. Sali Berisha është ky që është sot edhe për shkak të të kaluarës së tij. Nëse ka akoma shqiptarë që e ndjekin pas, e preferojnë dhe duan ta shohin sa më lart në politikë, nuk është aq shumë për atë që ishte para 1990- ës por për atë që shpërfaqi pas këtij viti. Nëse doni, edhe si autokrat por mesa duket, model i preferuar nga shqiptarët për të paktën 13 vite që ai udhëhoqi vendin.
Edhe pas 31 viteve, sidomos në nivelet e larta të politikës, vazhdon të vlejë shprehja e famshme biblike “Kush është i pa mëkat, të hedhë gurin e parë”. /Nga Blerti DELIJA/
P.S. Fotot që ilustrojnë këtë shkrim, janë gjetur në internet për rreth 3-4 minuta kërkim. Mund të ketë mijëra të tilla.