“Bashkëpunim pa kufij, pa asnjë tabu me Partinë Demokratike dhe lidershipin e saj”. Propozimi është i Edi Ramës, kryeministër aktual i vendit dhe sipas KQZ- së, fitues i mandatit të tretë radhazi për të qeverisur këtë vend. Gjatë ditëve të fushatës, bashkëpunimi që Rama i ofroi PD- së dhe Bashës, u pa si diversion në funksion të fitores së zgjedhjeve. Përsëritja e këtij propozimi, edhe pas fitores së mandatit të tretë, ngre shumë hamendësime për pozicionimin e kryeministrit.
Siç e pranon edhe vetë, në themel të këtij bashkëpunimi, është interesi. Rëndom, interesi i Shqipërisë e më pas, edhe i PS- së dhe PD- së. Rama këtë e artikuloi qartë dhe pa asnjë ekuivok. Sigurisht, Rama është komod në pozicionin e tij dhe “bashkëpunimi” lë shteg për ikje nga modeli i arrogancës me të cilin qeverisi për 8 vite vendin.
Një bashkëpunim për çeshtje të rëndësishme deri në bashkëqeverisje në sektorë të veçantë siç mund të jetë drejtësia, reforma zgjedhore, reforma administrative- territoriale, reforma kushtetuese e sidomos integrimi europian, nuk do të ishte hera e parë. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, në emër të këtyre parimeve, u arrit e paimagjinueshmja për kohën, bashkëqeverisje në mes dy “armiqve” më të ashpër të fushatës elektorale të atij viti, Ilir Metës dhe Sali Berishës. Si ishin ato 4 vite të bashkëqeverisjes dhe pasojat e saj, janë të njohura për palët por edhe për shqiptarët.
Ndryshe nga ky precedent, sivjet kryeministri nuk ka nevojë për mandate shtesë për të ndërtuar qeverinë. Edhe pse ganatoi se PSD nuk do të jetë pjesë e qeverisë, sipas gjasave 3 mandatet e PSD- së do të jenë në mbështetje të PS- së, duke e rritur mazhorancën në 77 mandate, pa llogaritur ndonjë “rrjedhje” të zakonshme për politikën shqiptare edhe nga radhët e opozitës drejt mazhorancës.
Natyrisht, Edi Rama fillimisht mendon për veten e tij, më pas edhe për PS- në, në vijim edhe për të lënë gjurmë në këtë vend, në atë që mund të konsiderohet etapa e fundit e karrierës së tij politike aktive në këtë vend. Nuk do të ishte çudi që të ishte pasuesi i Ilir Metës në presidencën e vendit në 2022- in, kapitulli i fundit i një karriere fantastike politike në këtë vend. Në 2027- ën, me mbylljen e mandatit do të mbushte plot 30 vite në politikëbërje të këtij vendi, duke tejkaluar çdo rekord e lundruar të gjitha pozicionet më të rëndësishme shtetërore, më shumë se askush tjetër.
Një marrëveshje e mundshme bashkëpunimi me PD- në, do të fuqizonte shumë PS- në e pas erës së tij, duke tkurrur LSI- në e duke thithur antarësinë e saj majtas por edhe tek PD- ja. Pas katër viteve nga sot, LSI nuk do të kishte asnjë mundësi të ishte më e fortë dhe me më shumë mandate se sot.
Një opozitë që rikthehet në sistem në shtator, pas dy viteve e gjysëm jashtë tij, pa akses në qeverisjen vendore dhe institucionet e krijuara nga 2017- a e këtej, pas humbjes së dytë radhazi të zgjedhjeve politike, nuk do të ishte në pozitat më të mira të mundshme përballë në mazhorance në mandatin e saj të tretë, me të njëjtin kryeministër. Pa llogaritur këtu, një ndryshim të mundshëm të lidershipit por edhe nëse do të vazhdonte i njëjti, të pakënaqurit, të zhgënjyerit apo edhe kritikët e përhershëm brenda e jashtë saj, do të krijonin një atmosferë të ngjashme me atë nga 2017- a deri më sot. Pse jo, edhe me shkëputje të tjera në formën e subjekteve politike, të cilat prishin punë, siç u pa edhe në këto zgjedhje.
Lulzim Basha nuk e ka aspak të lehtë të marrë në konsideratë, aq më pak të pranojë çfarëdo lloj bashkëpunimi me Edi Ramën. Hija e marrëveshjes së 17- 18 majit 2017, është akoma e fortë dhe pasojat akoma nuk janë shuar. Po ashtu, pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, sytë e demokratëve janë nga lëvizja e radhës e Bashës. Kanë nisur kërkesat për dorëheqje, teksa shumë janë ata që kërkojnë që beteja të vazhdojë. Pra, të vazhdojë denoncimi i “regjimit”, i “kapjes së institucioneve”, i “makinerisë shtetërore që vjedh e blen zgjedhjet” e të tjera pozicione.
Fillimisht Basha duhet të saktësojë, legjitimojë apo forcojë pozicionin e tij në PD. Do të dorëhiqet në mënyrë të parevokueshme, do të dorëhiqet dhe të bëhet pjesë e garës për liderishpin e ri demokrat spo do të vazhdojë mandatin që ka në drejtimin e PD- së. Pa realizuar këtë hap të detyrueshëm pas rezultatit të 25 prillit, është e vështirë të merret në konsideratë ose të refuzohet ftesa e Ramës.
Sigurisht, në lojë është interesi i Bashës, PD- së por edhe Shqipërisë. Partia e parë opozitare në këtë vend, po futet në një fazë të panjohur deri tani në politikën shqiptare. Asnjë opozitë nuk e kishte qendrimin larg pushtetit për tre mandate radhazi, askush nuk mund të tregojë pasojat e saj.
Duke folur për Shqipërinë, interesin e shqiptarëve dhe sidomos reformat kryesore, integrimin europian të vendit, nuk ka asnjë dyshim se çdo proces do të ecte më shpejt me një bashkëpunim zyrtar mes palëve, i cili mund të shtrihet deri në bashkëqeverisje me afate dhe me targete në fusha të caktuara. Ka ndodhur në Shqipëri por edhe në vende të tjera, për pragmatizëm votash për të ndërtuar qeveri por edhe për realizim objektivash që një palë e vetme, e ka të pamundur ti realizojë.
Një bashkëpunim- bashkëqeverisje PD- PS, me të drejtë ngjall shqetësimin e mungesës së opozitës si kontrolluese e pushtetit. Por kjo vetëm në rafshin teorik, sidomos në një vend si Shqipëria. Kur artikulon si argumentin më të fortë të refuzimit të bashkëpunimit, ose nuk ka ndjekur politikën këto 30 vite ose kërkon të shfaqet “më katolik se Papa” në kuptimin e idealizmit dhe funksionimit real të sistemit në Shqipëri.
Nuk ka asnjë rast të vetëm të suksesshëm që një opozitë në këtë vend, ia ka dalë të kontrollojë një qeveri. Sidomos nga 2017- a e këtej por edhe më herët, nuk ka ndodhur kurrë. Janë prodhuar e artikuluar me mijëra orë diskurse publike, dokumente e materiale filmike, të cilat kanë patur vetëm efekt mediatik, janë harruar ose janë shuar dyerve të gjykatave apo prokurorive.
Është një vendim i vështirë, si çdo gjë që ka të bëjë me “kapërcim ylberi” politik. Natyrisht, mund të konsiderohet edhe si diversion politik për të dobësuar opozitën, për ta bërë pjesë dhe bashkëfajtore në shumë çeshtje e tema me interes kombëtar të kaluara por edhe që mund të dalin rrugës së bashkëpunimit pozitë- opozitë. Por përveç të tjerave, politika është edhe arti i kompromisit, kontrollit e vetëkontrollit, i sfidës dhe i zgjuarsisë në gjykim sot por edhe nesër. Por mbi të gjitha, politika është arti i zëdhënies së interesave të qytetarëve, duke nisur nga ata që të mbajnë mbi supe me votën e tyre.
Për mundësinë e bashkëpunimit me “armikun” më të madh, PS- në dhe Edi Ramën, gjykimin apo vendimin mund dhe duhet ta marrin fillimisht antarët e PD- së e pas tyre pse jo, të gjithë qytetarët shqiptarë përmes një referendumi publik, sipas dëshirës, por duke u regjistruar paraprakisht si pjesëmarrës. Sepse sovrani, qoftë nën strehën e një partie por edhe nën strehën e Shqipërisë, nuk gabon asnjëherë. /Nga Blerti DELIJA/