Nga e hëna Edi Paloka dhe Gazment Bardhi mund të fillojnë takimet në përpjekje për të arritur bashkimin e shumë kërkuar nga të gjithë në Partinë Demokratike. Dy bashkëbiseduesit e javës së kaluar kanë qenë hermetikë duke shprehur para mediave vetëm vullnetin për të ecur drejt bashkimit. Megjithatë, diçka është mësuar, ndoshta gjëja më e rëndësishme: Primaret janë “molla e sherrit”!
Vetëm pak orë më parë, Berisha në fillim e më pas të gjithë mbështetësit e tij në formë reaksioni zinxhir, kanë shpërndarë një poster promovues për primaret në PD. Kjo, pasi kryesia e drejtuar nga Berisha zyrtarizoi datat e primareve dhe me 4 dhjetor, shqiptarët duhet të njohin kandidatët e PD- së për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Sigurisht, ishte përgjigje për kërkesën kryesore të “grupimit Alibeaj”, e cila kërkon me ngulm që kandidatët për kryebashkiakë apo këshilltarë të mos dalin prej primareve, pra votimit të emrave nga antarësia e PD- së. Kjo është bërë e qartë edhe në një mbledhje që Alibeaj- Bardhi zhvilluan me Kolegjin e “kryetarëve të tyre” në Durrës javën që u mbyll.
Pse janë kundër primareve mbështetësit e “grupimi Alibeaj”? Sepse në antarësinë e PD- së ku do të votohen kandidatët, ky grupim vijon të jetë minorancë. Që do të thotë, të gjithë emrat e propozuar nga ky grupim, nuk do të rezultonin fitues me siguri matematikore 100%. Kështu që, ky grupim nuk do të kishte asnjë përfaqësues në qeverisjen e neserme vendore, jo vetë në nivel kryebashkiakësh por as këshilltarësh.
“Grupimi Alibeaj” do të preferonte sondazhet publike ose…lejimin e fraksioneve në PD që nga këto zgjedhje. Po flitet nën zë për një kuotë, e cila arrin deri në 30% të kandidatëve të PD- së, të cilët duhet të futen në lista (kandidim, jo votim në primare) si të propozuar nga “grupimi Alibeaj”. Është një temë që do të jetë pjesë tryezës Paloka- Bardhi nëse nuk gjendet asnjë artificë që “grupimi Alibeaj” të pranojë primaret.
Me 3 nëntor 2022, Gjykata e Apelit Tiranë duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për legjitimitetin e drejtimit të PD- së. Këto 10 ditë janë garë kundër kohës për të gjetur marrëveshje bashkëpunimi në PD. Vështirë që gjykata të japë një vendim që mbyll situatën në PD, duke lënë në hamendje politike e publike se kujt i takon drejtimi i partisë më të madhe në opozitë.
Nëse gjykata e shkallës së dytë nuk njeh Berishën si kryetar të PD- së siç e njohu shkalla e parë, Alibeaj do të vijojë të konsiderohet si kryetar të paktën nga Kuvendi dhe KQZ- ja, duke krijuar probleme për garën e kandidatëve demokratë në zgjedhje. Edhe pse Flamur Noka nga Shkodra ka thënë se do të jetë një logo koalicioni dhe partie, qoftë ajo edhe PD- ja.
Edhe “3 nëntori”, bashkë me “fraksionet” do të jetë temë e diskutimeve por edhe përllogaritjeve në takimin Paloka- Bardhi. Edhe pse sot bashkimi duket më larg se kurrë, nuk duhet harruar se shpesh herë politika është arti i arritjes së të pamundurës. Edhe këto 30 vite në Shqipëri, e kanë vertetuar jo rrallë herë këtë aksiomë. /Nga Blerti DELIJA/