Helidon Bushati, deputet i Shkodrës në Kuvend, ka dhënë dorëheqjen si drejtues politik i PD- së për Qarkun e Shkodrës. Ai u prezantua në këtë pozicion disa javë para zgjedhjeve të 25 prillit, ku kryesoi edhe listën e kandidatëve për deputetë të Qarkut të Shkodrës. Deri diku, dorëheqja e Bushatit ishte e papritur, aq më shumë kur tashmë është shpallur një datë zgjedhjesh vendore të pjesshme edhe për Bashkinë e Shkodrës.
Helidon Bushati u vetëlargua nga lista e kandidatëve të PD- së në 2017- ën për ti dhënë mundësi lidershipit të formatojë atë në funksion të ekulibrave të ndryshëm. Ardhja e tij në krye të listës së deputetëve për Shkodrën 4 vjet më pas, për ata që kanë patur një memorie politike, nuk ishte shumë e habitshme. Siç edhe në vitin 2019, Bushati do të ishte ndër kandidatët kryesorë për kryebashkiak të Shkodrës i propozuar nga PD- ja.
Me 30 qershor 2019, çeshtja e zgjedhjeve në Shkodër shkoi ashtu siç dihet tashmë dhe Presidenti Meta dekretoi si “rrufe në qiell të hapur” zgjedhje vendore të pjesshme në 6 bashki, mes të cilave edhe për Shkodrën. Në Shkodër, prej 31 vitesh, ai që është propozuar si kandidat për kryebashkiak i Shkodrës, është konsideruar i zgjedhur pa nisur fushata. Me përjashtim të një “incidenti” mes vetë demokratëve në vitin 1996. Por edhe atëherë për shkak të sistemit dhe ligjit, Këshilli Bashkiak i PD- së dhe nënkryetari demokrat i Bashkisë, drejtonin “de facto” qytetin.
Situata që i paraprim 6 marsit, nuk është më e favorshmja për PD-në. Ajo është e ndarë dhe fitorja e njërit apo tjetrit nga kandidatët e dy krahëve, nuk është 100% e garantuar. Ai që do të kandidojë nga njëri krah apo tjetri, duhet të bëjë disa llogari, me laps e me letër në fillim por më pas, edhe politikisht. Nëse situata do të ishte ndryshe, pra nëse PD do të ishte e unifikuar, Helidon Bushati do të ishte një ndër kandidatët më të mundshëm për kryebashkiak të Shkodrës.
Mirëpo, në situatën aktuale, jo vetëm Bushati por edhe shumë eksponentë të rëndësishëm politikë në PD, do të refuzonin një ofertë të tillë. Praktikisht, do të ishte një sipërmarrje e vështirë, në kufijtë e të pamundurës. Aq më tepër, për të rrezikuar duke hequr dorë nga mandati i deputetit i fituar më pak se një vit më parë. Por deri tani, askush nuk mund të pohojë se mund të ketë qenë kjo arsyeja e dorëheqjes së Helidon Bushatit nga posti politik në Qarkun e Shkodrës. Mbetemi në kufijtë e hipotezës.
Në tekstin e dorëheqjes, publikuar në Facebook, Helidon Bushati flet për përbashkim. Si drejtues politik i Qarkut të Shkodrës në PD-në, Bushati do të duhej të përballej veç socialistëve edhe me demokratë, nga ata që mbështesin Berishën. Mes tyre me shumë mundësi, edhe nga ata që e mbështetën e votuan me 25 prill në Bashkinë e Shkodrës. Sigurisht, në vendlindje, ai nuk do ta merrte përsipër këtë rol dhe dorëheqja është rruga më e mirë.
Sot po nxitohet të lexohet dorëheqja e Helidon Bushatit si në favor të Berishës pra në dëm të Bashës. Çdokush ka të drejtë të ketë një hipotezë apo edh të lexojë mes rreshtave. Të vertetën e di vetëm Helidon Bushati dhe nëse do ta rrëfejë, para apo pas 6 marsit, por vetëm ai e ka në dorë. Zëvendësimi “flakë për flakë” i Bushatit me Alibejn nga Basha është një indicie. Aq më tepër që Alibeaj nuk ka asnjë lidhje në Shkodër dhe me Shkodrën ku me shumë mundësi, nuk ia ka idenë sa rajone ka qyteti e jo më të njohë njësitë administrative.
Ditën e sotme në Shkodër, ka qarkulluar edhe një detaj tjetër, i cili ka ecur vesh në vesh, duke patur si burim fillestar dikë të pranishëm në “vendngjarje”. Natyrisht, ky informacion duhet marrë me rezerva, por sot është thënë se Bushati ka patur një debat të fortë me një kandidat të mundshëm për Bashkinë Shkodër. E përsërisim, është një informacion i pakonfirmuar në dy burime paralele por vetëm një dhe mbase nuk mund të jetë 100% i saktë.
Në aktin e sotëm publik të Helidon Bushatit, ajo që duhet të vlerësohet dhe po vlerësohet nga çdo demokrat është deklarimi në mes rreshtave, se nuk ka dashur të bëhet pjesë e thellimit të përçarjes në PD, sidomos në prag të zgjedhjeve vendore të pjesshme në Shkodër. Për herë të parë në këto 31 vite, kandidati i PD- së, asaj të Bashës apo të Berishës, nuk është 100% i sigurtë kryebashkiak i Shkodrës. Sigurisht, Helidon Bushati por edhe asnjë demokrat nuk do të kishte dëshirë ta merrte mbi vetë këtë përgjegjësi, për të rrezikuar humbjen e bastionit historik të PD- së. /Shënim i ShkodraWeb/
P.S. Jemi të hapur për zotin Bushati për çdo opinion, analizë, saktësim apo përgenjeshtrim që lidhet me analizën e mësipërme, me hipotezat apo aludimet e mundshme, duke i garantuar hapësirë dhe publikim pa asnjë lloj redaktimi që dëshiron ti bashkëndajë me lexuesit.