Shqipëria në zgjedhje të parakohëshme parlamentare këtë pranverë! Kjo ide po artikulohet orët e fundit, pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, në fund të një mbledhje online të Asamblesë së Partisë Socialiste. Ndërkohë, ideja ka patur jehonë edhe në Shkodër, teksa në mbledhjet e strukturave socialiste, drejtuesja politike në nivel qarku Elisa Spiropali, i është drejtuar pjesëmarrësve “punoni, angazhohuni sikur zgjedhjet të jenë në mars”.
Ndërsa deklaratat e Ramës dhe Spiropalit mund të konsideohen edhe si nxitje për të rritur performancën e strukturave të PS- së në kuadër të përgatitjeve të zgjedhjeve parlamentare të radhës, të cilat si rregull duhet të mbahen prenverën e 2025- ës, ideja e zgjedhjeve të parakohëshme të shpallura nga kryeministri, është artikuluar edhe më herët.
Në fakt, zgjedhjet në këtë pranverë, shkurtojnë me një vit mandatin qeverisës të nisur në 2021- in por garantojnë pushtetin për 4 vitet e ardhshme. Garantojnë, në kuptimin se opozita aktuale, të gjithë segmentet e saj, do të ishin totalisht të papërgatitura për të marrë pjesë në zgjedhje, duke qenë alternativë konkrete në përballjen me zahorancën.
Kushtetuta, në Nenin 104, ndryshuar me ligjin nr.9404, datë 21.4.2008, parashikon si mekanizëm për zgjedhje të parakohëshme “mocionin e besimit” për të shpërndarë Kuvendin, rrjedhimisht thirrjen e zgjedhjeve të parakohëshme. Sipas këtij neni, “1. Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri,
brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. 2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të
mosbesimit, sipas nenit 105. 3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.”.
Ndërsa Neni 65 i Kushtetutës, pika 3, përcakton se “Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më
vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij”. Por a mund të realizohet ky skenar?
Së pari, kryeministri duhet të krijojë konsensusin që pas paraqitjes së mocionit të besimit në Kuvend, deputetët e tij mbështetës, ta votojnë kundër, duke sjellë rrëzimin e qeverisë. A mund të pranojnë në rresht të gjithë deputetët të shkojnë në zgjedhje të parakohëshme, ndërsa shumë syresh mbese nuk e kanë të sigurtë rikandidimin dhe nuk kanë interes t’ ja shkurtojnë me 1 vit privilegjet jo të vogla të mandatit. Sigurisht, në kushtet kur opozita në Kuvend, për interesat e saj për të pritur zgjedhjet e zakonshme, nuk do të votonte pro mbajtjes së qeverisë me votat e saj…
Përtej procedurës së mësipërme, ka edhe llogari politike që mund të bëhen. Kodi Zgjedhor aktual lë listat e kandidatëve për deputetë në duart e kryetarëve të partive. Pra, fati i tyre politik është direkt në dorën e liderëve politikë. Nga ana tjetër, është në funksion një komision për reformën zgjedhore, i cili ia zgjati vetes mandatin me 6 muaj pak kohë më parë. A do ta ndalë këtë proces përmes zgjedhjeve të parakohëshme kryeministri i vendit?
Shpallja e zgjedhjeve të parakohëshme, përveç se do të gjente të papërgatitur opozitën, në të njëjtën linjë do të vendoste edhe faktorin ndërkombëtar. Moralisht të paktën, ky i fundit është i impenjuar të krijojë kushte gare të barabarta për të gjithë, të cilat nisin me shpalljen 9 muaj para tyre, të zgjedhjeve nga dekreti i Presidentit të vendit.
Ekziston skenari i bojkotit të zgjedhjeve të parakohshme nga opozita, njëri kreh apo të dy bashkë. Por verdikti i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore 2019, treguan se e humbur doli vetëm opozita me mospjesëmarrjen në to. Si opsion i mundsheëm para terorisë së faktit të kryer, opozita vështirë të përsërisë brenda një kohe të shkurtët të njëjtin gabim dhe me pasoja.
PD- ja e vulës sot është tkurrur më shumë me shkëputjen zyrtare të grupit që mbështet Gazment Bardhin, duke iu atashuar Rithemelimit. Kjo e fundit, në kushtet aktuale, pa njohje legale nga KQZ dhe strukturat shtetërore, pavarësisht bashkimit, do ta kishte të vështirë të ishte vertetë konkurruese, qoftë edhe përmes Federatës Opozitare të shpallur zyrtarisht tashmë. Mbase deri në zgjedhjet e zakonshme të pranverës së 2025- ës, konfiguracioni i opozitës mund të ndryshojë, për shkak të forcimit apo edhe të fatit të vulës që mund të ndërrojë krah përmes vendimeve të gjykatave. Zgjedhjet e parakohshme, do të favorizonin hapur mazhorancën aktuale në këtë garë.
Afati ligjor për shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, sipas Kushtetutës, është 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit. Në vetëm 45 ditë, çdokush mund të gjendej i papërgatitur, me përjashtim të mazhorancës qeverisëse. Por a mund ta ndërmarrë këtë hap kryeministri Rama? Është e domosdoshme të ketë konsultime brenda strukturave socialiste por edhe me aleatët ndërkombëtarë. Nëse këto dy filtra japin mbështetje apo mirëkuptim, për arsyet që u përpoqëm të sqaronim, zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në vend, nuk janë thjesht e vetëm utopi. Janë alternativë! /Nga Blerti DELIJA/