Ka disa ngjarje që lanë gjurmë javën që shkoi, por ajo që duhet të bëhet objekt reflektimi më shumë se të tjerat, është konstatimi i shprehur me një farë nervozizmi nga kryeministri shqiptar se Europa po na largohet. Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur bisedimet për çeljen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Shqipëria jo. Çfarë po ndodh në të vërtetë ?
Paradoksi nacional romantik
Nëse e vështron këtë problem nga pikëpamja historike, do të vëresh se shqiptarët duket sikur janë kthyer në shekullin XIX, atëhere kur kancelaritë europiane, pas rënies së Perandorisë otomane, një pjesë të territoreve shqiptare ia dhuruan Malit të Zi e Serbisë, duke nënkuptuar me këtë rast nënshtrimin e shqiptarëve ndaj këtij fati.
Po të llogarisësh edhe masakrat në jug të Shqipërisë në vitet ’20 dhe pastaj genocidin çam pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, do të vëresh se fati historik i shqiptarëve, në pjesën më të madhe të tij, ka qenë produkt edhe i mbështetjes në heshtje të kancelerive të Europës. Po a e kemi bërë realisht pyetjen përse ka ndodhur kështu ? Historianët shqiptarë kanë qenë të pafuqishëm që të imponohen në skenën e dijes humane europiane dhe të tregojnë të vërtetën historike. Mirëpo problemi i copëtimit të trojeve shqiptare nuk do të përmendej sot nëse nuk do të ishte përsëri paragjykimi i kancelerive europiane për ne, shqiptarët, dhe në qoftë se sot, të përzgjedhurit për t’u bashkuar me familjen europiane janë malazezët dhe serbët. Paradoksi qëndron pikërisht në përzierjen e nacionalromantikës me pragmatikën e sotme.
Mali i Zi që aneksoi në mënyrë të dhunshme territoret shqiptare të Plavës e Gucisë, betejat e të cilave janë në qendër të monumentit epik të letërsisë shqiptare të Fishtës, « Lahuta e Malcis », sot, përsëri, është në avantazh pragmatik dhe kushtëzon Kosovën me të ashtuquajturin demarkacion. Mosplotësimi i këtij kushti, pra mosnjohja prej Kosovës e vijës së kufirit ashtu siç e përcakton Mali i Zi e ka lënë Kosovën jashtë komunikimit të lirë në Europë dhe e kushtëzon atë me të gjitha benefitet që do të rridhnin nga institucionet europiane në rast të pranimit prej saj të demarkacionit ashtu siç e pëlqen Mali i Zi.
Ndërkaq, Serbia, shkaktarja e masakrave më të llahtarshme në fund të shekullit XX, që vazhdon të mos e njohë Kosovën dhe ta kushtëzojë madje dialogun me të gjithmonë në funksion të mosnjohjes së Kosovës si shtet më vete, është përzgjedhur para nesh që të përfshihet në familjen europiane, megjithëse ajo hapur i bën karshillëk Europës duke i thënë se qendra e saj është Moska dhe se Rusia është partneri i saj i natyrshëm shpirtëror e ushtarak.
Shansi i humbur
Por nuk duhet të harrojmë se fundi i shekullit XX ishte edhe epoka e shqiptarëve. Pavarësia e Kosovës dhe shkëputja nga Serbia në historinë e Shqipërisë janë ngjarjet që, për shqiptarët, shënojnë përfundimin e epokës historike. Rënia e komunizmit në Shqipëri dhe Pavarësia e Kosovës iu dhanë shansin shqiptarëve që, më në fund, të bëhen faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe të merrnin rolin e liderit në këtë rajon, sepse ata kishin si aleatë të natyrshëm historikë SHBA-në dhe Perëndimin me Gjermaninë në ballë.
Mirëpo, pikërisht këtu, shqiptarët treguan se nuk janë ende një komb që di të qeveriset me parametrat e Perëndimit. Elitat udhëheqëse në Shqipëri e në Kosovë u lëshuan si ata qentë e tërbuar dhe e vodhën, e plaçkitën vendin e shqiponjave, ngandonjëherë, siç thotë Prof. Qosja edhe më keq se pushtuesit serbë. Shqipëria nuk arriti të kapërcejë modelin oriental të qeverisjes dhe sot alarmi i amerikanëve dhe europianëve për korrupsionin dhe kriminalitetitn po e mbajnë peng Shqipërinë dhe shqiptarët dhe Europa, gjithjë e më shumë, ka nisur që, nga realitet, të na bëhet mirazh.
Por nuk duhet të harrojmë edhe një të gjë tjetër. Pavarësisht se Shqipëria ka bërë hapa të admirueshëm dhe vendi është zhvilluar me shpejtësi, pavarësisht se shpirti europian i shqiptarëve është një gjë e pandryshueshme, pavarësisht se të gjitha mediat serioze në Europë e Amerikë kanë shkruar e po shkruajnë për vitalitetin ekonomik e modern të ndryshimeve në Tiranë, ne ende kemi një njollë që nuk po punojmë ta heqim dot. Në sytë e kancelerive europiane jemi ende një zgjatim i Turqisë myslimane. Radikalizmi islam dhe theksimi i ngulët i këtij identiteti sidomos në Kosovë apo në trevat shqiptare në Maqedoni, por edhe në Shqipëri, po na çon më shumë drejt një demokracie liberale myslimane si Turqia e para Erdoganit sesa drejt Europës. Në anën tjetër, modeli i qeverisjes jo me institucione, por me vullnetin e lidershipit të radhës, po na përafron më shumë me shtetin unitarist të Erdoganit sesa me demokracinë që drejtohet nga institucionet.
Apologjia e krimit
Të jemi realistë, krimi nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Meqenëse Italinë fqinje e kemi pasur gjithmonë si model, të gjithë ata që ndjekin jetën poltike të atij vendi apo jetën në përgjithësi aty, e dinë se edhe atje ndodhin krime të jashtëzakonshme, madje vendi fqinj ka të njohura organizata kriminale mafioze me emër e mbiemër. Ndërkaq, të gjithë e dinë se institucionet e ligjit apo ato të shtrëngimit policor janë efikase dhe veprojnë në të shumtën e rasteve vetëm në emër të ligjit. Ndërsa te ne, për fat të keq, institucionet që duhet të luftojnë e të parandalojnë krimin nuk janë efikase sepse ato janë ngritur jo në emër të ligjit, por si vullnete të lidershipit të radhës. Reforma e thellë në drejtësi është vetëm fillimi që mund të na ndihmojë të ndërtojmë shtetin e së drejtës dhe diktaturën e ligjit.
Deri tani, ne i ngjajmë Turqisë. Edhe atje ka përparim ekonomik e dinamizëm, por ligji dhe rendi, krimi dhe lufta kundër tij, janë vullnet i Erdoganit dhe jo i ligjit. Në Shqipëri, për fat të keq, betejën me krimin dhe me kriminelët nuk mund ta fitojë policia, gjykata apo prokuroria. Këto institucione nuk funksionojnë si fanatike të ligjit, por jan ende fanatike të poltikës dhe të vullnetit të liderit autoritarist. Pra, duke qenë me identitet mysliman, të drejtuar nga elita politike autoritariste që i ndërtojnë institucionet sipas vullnetit të liderit të radhës, ne, shqiptarët, mund t’i çudisim europianët me paradokset e zhvillimit apo turizmit, por do vazhdojmë t’i trembim ata si një vend që i ka të gjitha bashkë, energjinë, krimin, vitalitetin dhe mysliamnizmin.
Epilog me Butrintin
Ajo që po ndodh me Butrintin është shprehja tipike e arrogancës së pushtetit. Nuk ka nevojë të pyesësh asnjë specialist se përse brenda territorit të Butrintit nuk duhet bërë asnjë ndërtim. Është njësoj sikur brenda « Koloseut » në Romë të bëhej një restorant dhe një klub. E paimagjinueshme ! Edhe ai lokal i keq e i shëmtuar që ishte brenda duhej prishur, vendi duhej pastruar dhe brenda atij territori nuk duhet të ketë asnjë kioskë shërbimesh. Vizitorët që hyjnë aty kanë nevojë për një shishe ujë dhe për asgje tjetër.
Të gjitha shërbimet e tjera mund t’i marrin jashtë territorit të Butrintit pasi ta kenë vizituar atë. Kjo është logjika më e thjeshtë. Pra as ndërtim, as rindërtim, as mirëmbajtje, asgjë. Kështu u mbyllej goja të gjithëve. Mirëpo në logjikën e shtetit shqiptar nuk është ligji, është vullneti i njëshit. Atë ashtu e ka vendosur Edi Rama dhe ashtu do bëhet. Ministrja pa asnjë dinjitet e kulturës shqiptare do të dalë edhe një mijë herë në tv dhe në të gjitha rastet do të recitojë gënjeshtrat që e bindin atë dhe kërkojnë të na bindin dhe ne të tjerëve se… « gomari fluturon ».