Oficeri i Policisë së Shkodrës Saimir Rrustemi, nuk është i panjohur. Jo rradhë ka qenë subjekt i kronikave televizive në media lokale por edhe kombëtare. Është një nga personat më komunikues me mediat e gazetarët në Policinë e Shkodrës. Në mes gazetarëve, jo rradhë përcillet edhe me nofkën “Rambo”, të cilën realisht nuk e di nëse Rrustemi e di apo jo.
Saimiri është person mediatik. Në kuptimin që nuk është nga ata policë që u gërmushen kameramanëve “ule kameran”, “mos më filmo mua” e të tjera të ngjashme. Edhe komunikimi i tij publik është i ndryshëm nga ai i shumë kolegëve të tij. Tek pjesa e tij profesionale, aftësitë në aksione apo edhe në drejtim, nuk mund të futem sepse nuk jam specialist.
Saimir Rrustemi u kthye në protagonist të dielën e Pashkëve ortodokse. Historia është e njohur, e ilustruar edhe me video dhe nuk ka shumë interes për t’u ndalur në detaje shtesë. Edhe përgjigja përmes rrjeteve sociale e oficerit të policisë, në formën e një replike me s’di kë, është e njohur. Edhe fakti I publikimi jo menjëherë të paktën nga portalet e Shkodrës, tregon se Rrustemi nuk ka kërkuar aq shumë vëmendjen mediatike. Aq më tepër, pas publikimit të videos ku ai shfaqej civil, me kostum sportiv dhe me pistoletën e shërbimit në dorë.
Ditën kur ndodhi edhe “incidenti”, unë si shumë gazetarë të tjerë, e takuam aty ku po bëhej koncerti. Madje si me shaka, e ngacmova për veshjen dhe mungesën e maskës e të dorezave. Pa mu përgjigjur direkt, më la përshtypjen se dikush I kishte kërkuar të ishte në shesh, edhe pse jashtë shërbimit.
Opinionin tim për Saimirin, unë e kam shprehur publikisht dhe vazhdoj ti qëndroj. Ndërsa për “incidentin”, ka disa gjëra që mbase duhen sqaruar.
Deri në këto momente, nuk ka asnjë komunikatë zyrtare të Policisë së Shkodrës. Kjo, edhe pse u deklarua se makina që lëvizte me shpejtësi, nuk i është ndalur dy apo tre postbollqeve para se të arrinte tek kryqëzimi i ish- Degës së Brendshme. Pas bujës së menjëhershme mediatike, Policia e Shkodrës medoemos duhej të reagonte. Sipas gjasave, pas kësaj heshtje është detyruar të reagojë publikisht vetë shefi i Rendit të Shkodrës Rrustemi.
Në rrëfimin e tij, ai nuk flet për persona me rrezikshmëri në këtë mjet që ai ndaloi. Madje, pasi ka bërë verifikimet e para, ai e ka lënë makinën të largohet drejt Spitalit të Shkodrës, pasi ka konstatuar në të persona në gjendje jo të mirë shendetësore. Pak rreshta më pas, Rrustemi bën pohimin tjetër: Kur kanë mbërritur në spital, sipas mjekëve, askush nuk kishte probleme shendetësore, madje ishin në gjendje të deh ur. Në fakt, oficeri i policisë pohon se pavarësisht verifikimeve personale, nuk ka mundur të konstatojë avujt e rakisë në ajër dhe i ka hapur rrugën drejt spitalit, duke njoftuar kolegët të mos e ndalojnë. Ndërsa post factum, ai justifikon ndalimin e makinës dhe nxjerrjen e pistoletës pikërisht me faktin që kishte të bënte jo me të sëmurë por individë nën efektin e alk oolit.
Dakort, është kështu siç thotë Rrustemi, i mbështetur edhe nga mjekët e Spitalit Rajonal të Shkodrës. Pse nuk iu vunë prangat këtyre personave, pse Policia e Shkodrës nuk nxorri komunikatë për të sqaruar jo vetëm opinionin publik por edhe pozicionin e shefit të Rendit? Pse nuk u vunë para përgjegjësisë policët e postblloqeve që nuk zbatuan protokollin në rastin kur një makinë nuk u ndalohet?
Natyrisht, kjo histori apo ky “incident” nuk është treguar plotësisht. Kjo nuk është e vështirë të kuptohet. Pjesa më pak e rëndësishme në këtë mesele, është vetë Saimir Rrustemi. Jashtë orarit të shërbimit,i veshur civil me kostum sportiv dhe me pistoletë në dorë, nuk përbëjnë lajm. Në Shkodër por edhe përtej, e njohin të gjithë se është polic, madje drejtues i uniformave blu. Pak a shumë si gazetarët, pavarësisht se ka ndalim- qarkullim, ata lëvizin madje pa demonstruar badge-n e tyre sepse njihen dhe nuk është nevoja.
Në këtë histori problemi me i madh është mosreagimi i strukturave të policisë në momentin e duhur, pasuar nga mungesa e transparencës në komunikimin me mediat e publikun për “incidentin”. Nëse me veprimet e tij Saimir Rrustemi ka tejkaluar apo shkelur kompetencat, duhej marrë masë. Nëse uniformat blu nuk kanë reaguar ndaj personave që kanë shkelur ligjin duke u ikur dy apo tre postblloqeve, duhej zbatuar ligji. Deri tani, as Rrustemi nuk është ngarkuar me ndonjë përgjegjësi përsa ka ndodhur dhe as nuk janë vënë në pranga shkelësit e ligjit. Pse nuk reagon zyrtarisht Policia e Shkodrës?! Pse nuk e mbron zyrtarin e vet nëse nuk ka shkelur rregullat e ligjin?! Ky është problemi i vërtetë! Sepse dikush në këtë mesele, e ka shkelur ligjin: Shefi i Rendit ose qytetarët me makina! Pjesa tjetër janë perceptim dhe opinione! /Nga Blerti DELIJA/