Vllaznia e futbollit ka nevojë për një shkundje të fortë! Humbja me Tiranën në Kukës, nuk është fundi i botës por është këmbanë alarmi se ekipi jo vetëm nuk është i lidhur siç duhet njëri- me tjetrin, por rrezikon të bjerë më poshtë. Për Vllazninë që synon titullin, qoftë edhe si një nga katër skuadrat e “Final Four”, 9 pikë nga 27 të mundshmet, janë shumë pak.
Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se në merkaton e verës, pas dështimit në Europë, Vllaznia u formatua duke “rrudhur dorën” financiarisht. Presidenti Xhaferi, ndoshta me të drejtë, zgjidhi këtë strategji, pasi për tre vite provoi të hedhë para pa marrë mbrapsht ndoshta as lekët e veta, për të mos folur për fitim, që pavarësisht se sport, synohet nëse konsiderohet si biznes.
Pas ikjes së 9 futbollistëve të sezonit të kaluar, disa prej të cilëve u sistemuan në ekipe me ambicje e trofe më të shumta se Vllaznia, u krijua një ekip, në rastin më të mirë, me lojtarë mesatarë. Ndërsa në futbollin e niveleve të larta, krijohet një bosht i rëndësishëm me emra të njohur dhe mbi mesataren. Pavarësisht se në hapat e fundit të karrierës, Balaj është shumë pak, ashtu siç edhe Krymi.
Futbolli botëror njeh edhe “anomali”, një ekip modest, me emra thuajse të panjohur, rrëmben edhe trofe. Rasti i Leicester në Angli në sezonin 2015- 2016, është më i njohuri i kohëve moderne dhe për një kampionat të mirënjohur e të fortë. Por a mund të jetë ky shembulli i Vllaznisë që, pavarësisht paraqitjes shumë të dobët në 9 javët e para, të bëjë “surprizë” në fund?
Nga ndeshja në ndeshje, ekipi nuk po rrit paraqitjet e tij. Në jo pak raste, futbollistët tregojnë shenja lodhje fizike në këtë start të Supërligës. Nuk ka vijueshmëri as në rezultate e as në paraqitje, të paktën për të ruajtur të njëjtin nivel. Oshilacionet tek futbollistët dhe tek i gjithë grupi, janë të dukshme edhe pa qenë specialist futbolli. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, nuk ka rezultate.
Presidenti Xhaferi, nuk e ka aspak të lehtë. Ndryshimi i trajnerit apo edhe i stafit tjetër teknik të skuadrës, është “thikë me dy presa”. Mund të sjellë ndryshimin e gjendjes për mirë por ndoshta edhe për keq. Nga ana tjetër, mundësia e zgjedhjes së trajnerit është minimale. Ata që vlejnë dhe mund të bëjnë ndyshimin e shumë kërkuar, tashmë janë të punësuar.
Në aspektin teknik, skuadra aktuale është ndërtuar sipas mundësive ekonomike por edhe përzgjedhjeve teknike të dyshes Memelli- Plori. Në mungesën e dukshme të rezultateve, përgjegjësia e parë bie pikërisht mbi ta. Por nëse ata largohen, duke u zëvendësuar nga një dyshe tjetër, çfarë garancie ka që ekipi do të marrë kurbën e ngritjes graduale apo të shpejtë? Nga ana tjetër situata aktuale ngjet me atë filmin, kur në garën mes dy kuajve ku fitonte gjithmonë i bardhi, disa spektatorë futeshin në sallë me shpresën që një herë të vetme të fitonte kali i zi…
Janë të shumtë tifozët por edhe specialistët e futbollit që kanë kontestuar afrimin e Migen Memellit si trajner tek Vllaznia. Sipas tyre, nuk ka spikatur as si futbollist dhe si trajner, ka një eksperiencë modeste. Vllaznia kërkonte apo duhej të afronte një emër më të rëndësishëm, pak a shumë si në rastin e ndërtimit të boshtit të skuadrës. Por tashmë, kjo temë është e mbyllur.
A garanton dyshja Memelli- Plori objektivin e Vllaznisë për në “Final Four”? Askush nuk mund ta thot, as vetë këta dy persona. Prandaj futbolli është i bukur sepse është i paparashikueshëm. Në kreun e klasifikimit, përballja është shumë e fortë. Ekipe që e nisën nga fundi i tabelës, tashmë e shohin veten në majë, ndërsa Vllaznia ka mbetur e salduar dhe me ndeshjet e sotme që duhen luajtur, mund të rrëshqasë edhe më poshtë.
Vitet e fundit, paratë për Vllazninë po i jep Alban Xhaferi, pronar dhe president. Nga ana tjetër, Vllaznia është përtej një buxheti apo milionave të hedhura. Është shumë më shumë se kaq. Është e vështirë por Xhaferi ka detyrimin që të vendosë apo të gjejë një ekuilibër mes këtyre të dyjave. Sepse ka edhe një tjetër këmbanë alarmi. Tifozët jo nuk po afrohen por po largohen nga ndeshja në ndeshje nga mbështetja e ekipit. Edhe hyrja falas, edhe autobuzët në dispozicion, nuk po ngrohin tifozët.
Sinjalet e para duhet të jepen në fushën e blertë, nga 11 kuqeblutë që zbresin në fushë. Por pas tyre, janë një numër jo i vogël drejtuesish teknikë, të cilët kanë detyrimin që me këtë “brumë” që përzgjodhën e gatuan vetë, ti japin tifozëve Vllazninë që ata duan, Vllazninë që duhet të mbështetet jo vetëm në shkallët e “Loro Boriçit” por në çdo impiant sportiv të vendit. /Shënim i ShkodraWeb/