Kongresi i Partisë Socialiste është event jo vetëm për anëtarë, mbështetës e simpatizantë të kësaj force politike. Në përfundim të vitit të parë të mandatit të tretë qeverisës, zhvillimet e këtij kongresi, kanë ndikim në fatet e të gjithë shqiptarëve. Atyre që e votuan kundër PS- së, atyre që nuk votuan brenda vendit dhe emigrantëve që përsëri nuk mundën të jenë pjesë e vendimmarrjes politike për vendlindjen.
“Ylli” i këtij kongresi, siç edhe pritej, ishte Edi Rama. Organizatorët kishin menduar që eventi të zhvillohej në një mënyrë totalisht të ndryshme nga herët e tjera. Pjesa e parë, në sheshe të hapura, në formën e bashkëbisedimeve, në drejtimin e monitorimin e disa ministrave të përzgjedhur si moderatorë. Pjesa e dytë, brenda Pallatit të Kongreseve, ku edhe u shpalosën idetë kryesore.
Ajo që ra në sy në pjesën e parë, ishte një takim për bujqësinë, ku një pjesë e pjesëmarrësve kishin vënë të ndenjurat mbi disa dënga kashte. Ide mjaft origjinale, por nuk besoj se kishte aq shumë impakt, as në kuadër të idesë së “Akademisë së Çobenjve”. Edhe pse një nga folësit, e vlerësoi mjaft këtë ide të hedhur, për të trajnuar çobenjtë e rinj.
Në këtë pjesë të kongresit, nuk u ndje asgjë nga Shkodra. Thjesht u listua si emërtesë bashkë me qytete apo bashki të tjera. Në fakt, normale do të ishte një si lloj analize apo llogaridhënie. Me 25 prill 2021, duhej të niste ai që edhe vetë kryeministri i vendit Edi Rama, e ka cilësuar direkt apo indirekt gjatë fushatës si “mandati i Shkodrës”. Sigurisht, pasi kishte pranuar se në dy mandatet e para nuk ishte bërë sa duhej me Shkodrësn. Mesa duket, 25 prilli e mës pas edhe 6 marsi i këtij viti, e kanë lënë Shkodrën në të njëjtin pozicion si në dy mandatet e para.
Natyrisht, në këtë pjesë të kongresit në shesh, nuk munguan as edhe gafat. Si gjithmonë spikat ministrja me fytyrë fëminore Muzhaqi. “Ju kërkoj ndjesë për diellin e tepruar”, tha Bora e cila nuk vihet në dyshim se ka patur qëllimin e mirë të justifikohej se nuk ishin krijuar kushte (vendosje çadrash) që dielli të mos besdiste të tubuarit. Në fakt, nuk ishte as e para dhe sigurisht, as e fundit e ministres që nuk dihet bazuar mbi çfarë cilësish, iu dha një dikaster. Edhe pse pa staf.
Pjesa e Pallatit të Kongreseve më shumë se ideor, ishte një kongres demagogjik. Folën shumë por qartë foli “ylli” i kongresit Edi Rama. Foli gjatë, por u perqendrua në disa pika kyçe. Sipas tij, Këshillimi Kombëtar, mes të tjerave i dha të drejtë të nisë procesin e legalizimit të kanabisit për qellime shendetësore.
Për një çeshtje kaq të rëndësishme, që mund të konsiderohet edhe revolucion për një shtet, i konsideruar edhe si prodhues i kanabisit, nuk mjafton një këshillim fakultativ dhe që lë shteg për shumë dyshime. Këshillimi, me gjasë i njëanshëm, nuk mund të jetë shkak për legalizimin e kanabisit. Duhet me patjetër një instrument ligjor, referendumi, për të marrë një opinion nga qytetarët. Nëse Rama ndërmerr hapa për legalizim kanabisi pa referendum, “kultivimi për qëllime shendetësore”, është vetëm mbulesa apo kopertura e qëllimeve të tjera të mundshme.
SPAK ishte kryefjala e një pjesë tjetër mjaft të rëndësishme të fjalimit të kryeministrit. Qartas ai shprehu keqardhje për njëanshmërinë e SPAK, duke goditur vetëm njërin krah, personazhe të qeverisjes 9 vjeçare të këtij vendi. Në mënyrë të pazakontë dhe të drejtpërdrejtë, Rama orientoi SPAK të merret me Sali Berishën pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA. Ai i këroi SPAK- ut të verifikojë akuzat ndaj Berishës, në një farë mënyre, edhe duke vënë në dyshim argumentimin e DASH për “non grata”-n e Berishës.
Berisha e ka bërë të qartë se nuk ka prova kundër tij. DASH- it i janë servirur dokumente nga vetë Rama, Soros, organizata pranë qeverisë dhe madje edhe Basha, që DASH të bindej e ta shpallte Berishën “non grata”. Pak a shumë, Rama me këtë qasje në kongresin e PS- së, i tha SPAK- ut të verifikojë dosjen që ai dhe të tjerë kanë dërguar në DASH për ish- kryeministrin e ish- presidentin e vendit. Nëse nuk është presion publik i hapur, artikulimi i Ramës për këtë çeshtje, është orientim i SPAK për rrugën që duhet të ndjekë ndaj Berishës duke nisur nga e hëna, si ditë pune.
Këto deklarata të Ramës, nuk mund të shihen vetëm si orientim për linçimin e paraardhësit të tij në krye të qeverisë, as si orientim për të vertetuar “non grata”- n nga SHBA- të. Dorëheqja e Lulzim Bashës, vendimi i gjykatës që njeh Komisionin e Rithemelimit dhe Kuvendin Kombëtar i PD- së i 30 prillit, i paraprijnë rikthimit të Berishës në krye të PD- së, rrjedhimisht edhe në krye të opozitës. Edi Rama orientoi SPAK- un të linçojë kandidatin për kryetar opozite, rrjedhimisht edhe rivalin e tij për kryeministër, kurdo të ketë zgjedhje. Në një shtet demokratik, kjo është e rëndë!
Edhe pse vazhdon të konsiderohet mbështetës i palëkundur i reformës në drejtësi, Rama ka shprehur mjaft rezerva. Rezerva që shkojnë deri në veprime konkrete, të cilat ai dhe qeveria nuk kanë tagër ti ndërmarrin. “Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk justifikojnë pasurinë, të shkojnë në burg”, tha kryeministri. Parimisht, shumëkush mund të jetë dakord, por orientimi publik politik i organeve të drejtësisë e të vetting- ut nga një përfaqësues i lartë politik si kryeministri, ndot dhe paragjykon çdo proces.
E fundit që mbet në mendje, është ndërprerja e mandatit të kryetarëve të PS- së në të gjitha bashkitë. Nisma është mjaft e çuditshme, më pak se një vit nga fitorja e zgjedhjeve politike të 25 prillit 2021, e cila erdhi edhe për shkak të këtyre kryetarëve që iu ndërpre mandati. Nuk është i qartë qëllimi i kryetarit- kryeministër për këtë veprim, aq më shumë kur fiks për shkak të fitoreve në zgjedhjet politike, nuk votohet në strukturat e PS- së nga viti 2009.
Ky kongres, i cili zhduku edhe numrin 2 të qeverisë Arben Ahmetaj nga eventi, rikonfirmoi etjen e kryeministrit Rama për të qenë i tillë pambarimisht, edhe pas mandatit të katërt, të cilin ai e konsideron tashmë të fituar edhe pse është vetëm në vitin e parë të mandatit të tretë qeverisës. Shqetësimi i tij më i madh, rreziku i tij më i madh për realizimin e qëllimit, duket se është pushteti gjyqësor, sidomos në dritën e arrestimeve të fundit. Kongresi ishte tribuna e duhur që pushteti ekzekutiv ti “tregonte muskujt” pushtetit gjyqësor. Këtë Edi Rama e bëri, pritet reagimi i palës tjetër. Nëse do të ketë. /Nga Blerti DELIJA/