Nga 6 prilli 2020, Shkodra është nën trysninë e një propaganda të forte qeveritare në sfondin e pandemisë së korona virusit. Vizita e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj pikërisht këtë ditë dhe ajo që po pason, tregojnë qartë skenarin që po luhet në kurrizin e Shkodrës e shkodranëve. Normalisht, është një skenar që tenton të perhapë imazh të rrejshëm për shkodranët, deri në nivelin që ti paraqesin si “njerëz me bisht”.
“Qershia mbi tortë ishte pikërisht një postim i pastër për propagandë politike i ministrit të Bredshëm Sandë Lleshaj në Facebook. Në përmbajtje dhe në formë, ishte kryekëput një gjetje e dobët për propagandë.
Duke mos dashur të bëhemi pjesë e një manipulimi të mundshëm, kemi vendosur të mos e publikojmë videon por të shkëpusim dy imazhe nga ajo. Imazhi i parë që mund ta shinni më lart, është me datë 6 prill 2020. Janë pamje të tregjeve të Shkodrës, ashtu siç janë në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Titrimi, shkrimi që tregon datën, krejt “rastësisht” është ngjyrë blu me kontur të bardhë.
Pjesa e dytë e videos, tregon “mrekullinë” që ndodhi në Shkodër pas ardhjes së Lleshajt. Video tregon pamjen e disa tregjeve në Shkodër dhe të një tuneli dezinfektimi, të cilin për hir të realitetit, ata që e sollën nuk e montuan dot vetë dhe kërkuan ndihmën e UKSH-së. Krejt “rastësisht” ngjyra në këtë fragment nuk është ruajtur ngjyra blu me kontur të bardhë e titrimit, por e kuqe me kontur të bardhë.
Ideatori ka patur një synim të qartë politik, ilustruar në videon që ne nuk do ta publikojmë për të mos u bërë pjesë e manipulimit.
Tani të shkojmë tek përmbajtja, të cilën po e publikojmë të plotë. Shkruan sot ministri i brendshëm Sandër Lleshaj:
“Me vullnet pozitiv shumëçka është e mundur. Në harkun e pak ditëve, gjendja në Shkodër ka njohur përmirësim rrënjësor.
Kaosi i tregjeve i ka lënë vend standardeve të reja, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në reduktimin e riskut të përhapjes së pandemisë.
Vlerësim për zyrtarët e MB, PSH, agjencive të tjera si dhe autoriteteve vendore të Bashkisë Shkodër për bashkëpunimin në interes të qytetarëve dhe të vetë Shkodrës.”.
Kjo është propagandë infantile, të cilën vështirë ta gëlltisë dikush. Kjo për disa arsye, më saktë, fakte të njohura botërisht përmes mediave e rrjeteve sociale.
E para, Shkodra është këtu, e palëvizur, nga 9 marsi dhe deri me 6 prill kur Lleshaj e gjeti rrugën për të ardhur.
E dyta, sot e kësaj dite, nuk ka asnjë provë për infeksion masiv të COVID-19. Janë tre vatra në po kaq familje e farefis, ndërsa pjesa tjetër janë zyrtarë të shtetit nga sektorë si drejtësia, shëndetësia, policia etj.
E treta, nuk rezulton i infektuar asnjë tregtar i Zdrales apo blerës në tregjet e Shkodrës.
E katërta, statistikat tregojnë se infeksioni është përhapur në ambiente të mbyllura dhe jo të hapura.
E pesta, me 6 prill, ditën kur Lleshaj ka ardhur në Shkodër, tregjet kanë qenë në monitorim të rreptë të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake.
E gjashta, masat shtesë për COVID-19 në Shkodër, janë marrë nga Bashkia e Shkodrës. Madje KMC ka ngurruar në miratimin e tyre dhe përfshirjen si vendime nga ana e këtij Komisioni.
E shtata, Tregu i Zdrales është mbyllur dhe sistemuar më pas, nga Bashkia e Shkodrës dhe ndërmarrjen e saj të varësisë.
E teta, propozimi për përgjysmimin e tregtarëve në Merkaton e Rusit, numër tek- numër çift licence, është bërë sërish nga Bashkia e Shkodrës.
E nënta, shumë përpara 6 prillit, kur hyri në fuqi kufizimi i lëvizjes pas orës 13.00, Bashkia e Shkodrës përmes Policisë Bashkiake, ka bërë thirrje për respektim, duke dalë rrugëve të qytetit fizikisht dhe me megafon.
E dhjeta, Bashkia e Shkodrës propozoi e para në vend lehtësim të barrës fiskale vendore për individë e bisnese, projekt- vendim që as nuk u mor në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak i majtë.
Të gjitha sa më sipër, janë fakte të njohura botërisht dhe të publikuara në media e rrjete sociale. Nuk mund ti mohojë askush, as ministri Lleshaj dhe as Lamallari që siç po e tregojnë këto pak ditë, zëvendësoi prefektin Millja të funksion të intensifikimit të propagandës dhe përdorimit të pandemisë për përfitime politike.
Ndërkohë, askush nuk e merr mundimin të tregojë se nga 9 marsi e deri më sot, Bashkia Shkodër ka marrë nga qeveria përmes Rezervave të Shtetit vetëm 208 pako ushqimore për rreth 250 mijë banorë. Po ashtu, po fshihen sistematikisht nga sytë e publikut dhe medieve, shifrat reale të COVID-19, sidomos pas marrjes së “fuqisë” nga zëvendësi i Lleshajt, Lamallari. Vetëm ditët e fundit, janë bërë në Qarkun e Shkodrës mbi 100 teste dhe akoma nuk ka përgjigje për to. Si verifikohet kjo? E thjeshtë: Merrni numrin e testeve të raportuara nga KMC Qarku Shkodër tre ditët e fundit dhe krahasoni shifrat zyrtare të numrit të testeve të deklaruara zyrtarisht ditë pas dite në konferencat për shtyp nga zyrtarë të Ministris së Shëndetësisë dhe ISHP-së.
Po ashtu, janë 5 persona që kanë ndërruar jetë në këtë periudhë pandemie, por rregullisht Ministria e Shendetësisë përgënjeshtron duke thënë se vetëm 1 konsiderohet jetë e humbur nga virusi. Katër të tjerët kanë qenë pozitivë me COVID-19 por simptomatikë, pra nuk kanë patur shenja të dukshme. Nuk ka asnjë logjikë normale, përveç dëshirës për të treguar se “Shkodra u shpëtua nga qeveria!”. Sipas kësaj logjike, edhe nëse ndokush ndërron jetë nga virusi, zyrtarisht do të jetë “i shtypur nga ndonjë mainë në aksident rrugor”. /ShkodraWeb Media/