Nga 1992- i, Bashkia e Shkodrës është kujdesur zyrtarisht për mbarëvajtjen e aktivitetit përkujtimor për “2 Prill 1991”. Në jo pak raste, paradoksalisht, përkrah logos së bashkisë në postera e ftesa për aktivitetin, është vendosur edhe logo e PD- së. Paradoksalisht, sepse një subjekt politik, nuk mund të privatizojë asnjë event, aq më pak “2 Prill 1991” që ishte revoltë e të gjithë shkodranëve, të cilët ishin velur me diktaturën komuniste. Mes gjimnazistëve por edhe qytetarëve, ka patur komunistë, fëmijë e nipa komunistësh sepse çdokush, pasi iu hapën sytë, ishte kundër sistemit të ngritur nga E.H.
Edhe këtë vit, Bashkia Shkodër është kujdesur për mbarëvajtjen e ceremonisë së nesërme, 2 prill 2024. Edhe në orët e darkës po vijon pastrimi i sheshit “2 Prilli”, madje edhe larja me ujë. Por sivjet, bashkia nuk është e mirëpritur nga organizatorët, të cilët janë identifikuar me logon e njërës nga dy PD- të në qarkullim aktualisht, teksa kryetari i shoqatës që mban emrin e ngjarjes, Harris Murana, ka deklaruar sot dorëheqjen e parevokueshme nga ky pozicion.
Në rrjete sociale, vazhdon të tregohet akoma fabula e Gramoz Ruçit të përfshirë në masakrën e “2 Prill 1991”. Ata që kanë lindur pak vonë (jo për faj të tyre) apo që nuk kanë shfletuar (për faj të tyre), duhet të dijnë se Gramoz Ruçi është paraqitur në gjyqin e organizuar për të dënuar fajtorët e ngjarjes tragjike, madje në Shkodër, kur ndjenja e hakmarrjes ishte akoma e nxehtë. Dhe ai mbeti i lirë, siç është edhe sot. Nga 1992 deri në 1997 dhe nga 2005 deri në 2013, PD-ja e madhe (jo këto dy të përçarat e sotme), ishin në pushtet dhe sistemi i drejtësisë, ishte zgjatim i pushtetit presidencial dhe kryeministror. Gjëmb në këmbë nuk i hyri Gramoz Ruçit, edhe pse PD- ja e madhe përbetohej për zbardhjen e 2 prill 1991.
Madje, në mandatin e dytë, 2005- 2013, Gramoz Ruçi bashkë me Edi Ramën në opozitë atëkohë, ulej në tavolinë për marrëveshje shumë të rëndësishme, si ajo e 2008- ës që shqelmoi Kushtetutën, duke ndryshuar nga republikë parlamentare në kryeministrore. siç vazhdojmë të jemi edhe sot. Më herët, kur PD- ja e madhe ishte në opozitë, Sali Berisha ulej në tryezë me kryeministrin e kohës Fatos Nano, në krah të të cilit ishte sërish…Gramoz Ruçi.
Kur Gramoz Ruçi ishte partner në ndryshime të rëndësishme kushtetuese e marrëveshje, ai nuk ishte i implikuar në ngjarjet e 2 prill 1991. Tani, që ka disa vite i pensionuar nga politika, Gramoz Ruçin po e rikthejnë përsëri në skenë, sërish për 2 prill 1991, pavarësisht asaj që ka ndodhur më herët dhe telegrafikisht e përcollëm më sipër. E gjithë kjo, për të përjashtuar Bashkinë Shkodër dhe titullarin e saj aktual nga nderimi i 4 martirëve të demokracisë, vendosja e një kurore apo një tufe me lule për bijtë e Shkodrës. E gjithë kjo, për shkak të moskapërdirjes akoma të humbjes me 14 maj 2023.
Shkurt, me “2 Prill 1991”, pavarësisht se ngjarje tragjike, me 4 jetë të pafajshme të marra nga plumbat e diktaturës komuniste, po tentohet të bëhet politikë e ditës, të sulmohen kundërshtarët politikë. Sa për kujtesë, edhe kryeministri aktual Edi Rama, në kohën e ngjarjes, ishte shumë më shumë në ekstrem të djathtë se edhe vetë Berisha. Madje, ka i fundit e ka pranuar edhe vetë këtë fakt. Pra e gjitha, është një lojë politike, pragmatizëm politik i momentit, me synim përfitimin e ngushtë personal apo të një grupimi të vockël humbësish.
Nesër, çdo shkodran, pavarësisht bindjes aktuale politike, pavarësisht rreshtimit në PD- në e Rithemelimit apo PD- në zyrtare, në subjektet e tjera politike, të djathta apo të majta, ka të drejtë të nderojë 4 martirët e demokracisë. Ata nuk u flijuan në altarin e lirisë as për Berishën, as për Bashën, as për asnjë kryetar të partive politike, qofshin të majta apo të djathta. Si mijëra të tjerë, në shesh i nxorri urrejtja ndaj sistemit diktatorial, pjesë e të cilit, direkt apo indirekt, ishin edhe shumë emra që kanë parakaluar këto 34 vite në sheshet e televizionet shqiptare.
Të paktën nga qershori 1991 kur u krijua Partia Socialiste dhe deri në shtator 2021 kur filloi legjislatura e re, herë në pushtet e herë në opozitë, Gramoz Ruçin aty e kanë patur. Tani kur po kalojnë gati 3 vite nga dalja në pension politik, përsëri kujtohen për Gramozin dhe e nxjerrin si bubazhel, për të trembur kë…?! Kur uleshin në tavolinë me Gramozin për marrëveshje, nuk ishte “ai i 2 prill 1991” dhe askush nuk pipëtinte as në Shkodër. Tani kur ka dalë nga skena politike aktive, kujtohen se Gramozi qenka akoma gjallë dhe është “ai i 2 prill 1991”. Shqiptarët e sidomos shkodranët, nuk janë budallenj! Ata nuk bëhen “mish për top”! Të japin ujë në bishtë të lugës! Siç kanë dhënë jo rrallë këto 34 vite!
E fundit, askush në PD- në e Rithemelimit, as në PD-në zyrtare, as në politikën shqiptare të 34 viteve, nuk mund të jetë më demokrat se Sali Berisha. Mos u bëni më katolikë se Papa!