Çesk Millja është shkarkuar për herë të dytë nga detyra e Prefektit të Qarkut Shkodër. Për herë të parë Millja u shkarkua me 27 mars 2019 për ti hapur krahun Valdrin Pjetrit, i cili pas 45 ditëve, ia riktheu postin paraardhësit për të kandiduar për vete Bashkinë e Shkodrës.
Çesk Millja është ish- ushtarak i lartë, pjesë e grupit prej 12 ish- oficerëve që kryeministri Rama i emëroi prefektë pasi mori mandatin e dytë si kryeministër në shtator 2017. Këtë herë, Millja shkarkohet në një situatë të pazakontë dhe zëvendësohet nga një zëvendësministër i brendshëm, i cili përcaktohet më shumë si koordinator për situatën e pandemisë së COVID-19. Mos u habisni nëse Millja, sapo të kalojë “faza e nxehtë” e asaj që Rama e konsideron luftë, të rikthehet përsëri në detyrë.
Shkarkimi i Prefektit të Shkodrës në vigjilje të Pashkëve, bart në vetvete disa masazhe të rëndësishme. Millja mund të shkarkohej edhe të hënën, por shkarkimi ditën e sotme ka efekt të padiskutueshëm edhe për qasjen tek publiku apo PR-in e qeverisë, sektor që Rama tregon se e ka për zemër dhe prioritet edhe në këto javë të “luftës” me virusin. Nëse Millja ka qenë i paaftë në administrimin e situatës, siç e tha troç por me fjalë të zgjedhura ministri i brendshëm Lleshaj, edhe për dy ditë, deri sa të kalonin Pashkët, mund të qëndronte në detyrë. Pandemia nuk do të thellohej në shifra në Shkodër, aq më tepër kur ditët e fundit, ka reduktim drastik të rasteve të reja pozitive. Por mesazhi “qeveria nuk ka kohë për të humbur” dhe shkarkon edhe në vigjilje Pashkësh, është lehtësisht i kuptueshëm.
Mesazhi tjetër që nuk është vështirë të kuptohet ështe humbja e “betejës” së Lleshajt me Voltana Ademin. Shkarkimi i Milljas ia faturon atij të gjithë “mossuksesin” e deritanishëm në administrimin e situatës, duke e lënë “topin” në “oborrin” e qeverisë, duke i dhënë një fitore edhe kryebashkiakes së Shkodrës.
Besfort Lamallari, zëvendësministri i brendshëm që zëvendëson Milljan në krye të Prefekturës së Shkodrës, krahasuar me Çesk Milljan, është militant politik. Sigurisht, me mjaft aftësi për të kamufluar me argumenta “teknikë” militantizmin politik, Lamallari është shfaqur mjaft partizan në të gjitha studiot ku ka qenë i pranishëm dhe që sipas gjasave, është përzgjedhur në funksion të PR-it për të qenë aty.
Nga dita e sotme, edhe qasja mediatike- publike e Prefektit të Qarkut, me shumë mundësi do të ndryshojë. Për hir të realitetit, Çesk Millja nuk ka qenë një person shumë mediatik, sidomos në këto 5 javë të emergjencës së pandemisë. Natyrisht, këtë nuk mund t’ia falë Rama dhe sigurisht, as Lleshaj. Sidomos në një territor ku ka të vetmen bashki opozitare, të kryesuar nga një kryebashkiake mjaft mediatike dhe aktive në territor. Lamallari vjen edhe si kundërpeshë e Voltana Ademit në territor, në funksion edhe të një lufte mediatike- publike.
Çesk Millja, për vetë formimin si ushtarak, jo vetëm nuk ka preferuar shumë mediat e daljet publike, por nuk ka qenë një përfaqësues i mirëfilltë politik i qeverisë e më direkt, i kryeministrit Rama në territor. Të gjitha këto “pika të dobëta”, do të kërkojë ti mbulojë Lamallari, veë të tjerave, edhe me eksperiencën e akumuluar në Ministrinë e Brendshme.
Lamallari është i përkohshëm si prefekt i Shkodrës. Përmes tij, Rama synon të fitojë pikë në një terren, të cilin prej të paktën 5 javësh, e ka humbur thuajse totalisht. Kjo, për shkak të mungesës së vëmendjes që i bashkohet “pikave të dobëta” të mësipërme që nga sot, i faturohen Çesk Milljas.
Edi Rama po përpiqet të rikuperojë. Sepse nuk i dihet. Pavarësisht pandemisë, mund të ketë zgjedhje. Të pjesshme vendore për Shkodrën, ndoshta edhe të tjera. Prandaj nuk ka kohë për të humbur për Ramën. Prandaj edhe shkarkimi i Çesk Milljas në vigjilje të Pashkëve, është i justifikuar, politikisht! Me Lamallarin si prefekt i Shkodrës, starton edhe fushata në Qarkun më të rëndësishëm të Veriut. Sepse edhe skenari i përballjes së Ramës e qeverisë me pandeminë, është në funksion të fushatës! Provën e parë me Milljan kryeministri Rama e bëri me 27 mars 2019. Tani është e dyta. Ai që do ti shpëtojë pandemisë, do ta konstatojë shumë shpejt! /Shënim i ShkodraWeb Media/