“Na dolle i fortë more Gjino…”, është shprehja e parë që më erdhi në mendje teksa bluaja gjithfarë ndodhi ditën e sotme në kurriz të Teatrit Kombëtar e imazhit shumë të dëmtuar të Shqipërisë në botë, nga veprime të palogjikshme të pushtetmbajtësve të rradhës.
Është e palogjikshme për shumë arsye.
E para, teatri është një “ndërmarrje” që lëndën e parë ka aktorët dhe spektatorët. Këta janë të parët e të fundit që penalizohen nga mosfunksionimi i Teatrit Kombëtar prej 27 muajsh. Pse gjithë kjo ngutje nga qeveria e bashkia e Tiranës?
E dyta, vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Prej më shumë se 2 muajsh, kjo qeveri i bën thirrje shqiptarëve të mbrohen nga korona virusi, duke qëndruar në shtëpi e ruajtur distancat sociale. Pse qeveria e hodhi në mut gjithë këtë punë apo mendoi se shqiptarët do ti pengonte virusi për të dalë në shesh?
E treta, pjesa e dukshme e ndërkombëtarëve, brenda e jashtë vendit tonë, kishte sugjeruar gjetje të zgjidhjes për ngërçin përmes dialogut e institucioneve. Çfarë e nguti qeverinë më “pro përendimore” të vepronte me nxitim edhe kundër thirrjeve të aleatëve të saj?
E katërta, për Teatrin Kombëtar janë sot e kësaj dite të paktën dy padi të Presidentit të Republikës në Gjykatën Kushtetuese. Madje, kërkohet shpallja e paligjshme e vendimit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Pse, “qeveria e përbetuar për reformën e drejtësisë”, nuk priti reagimin e institucioneve të “drejtësisë së re”?
E pesta, sot e kësaj dite, nuk ka një projekt për një teatër të ri në vendin ku sot u shemb Teatri Kombëtar. Këtë e ka pohuar edhe vetë kryebashkiaku Erion Veliaj. Pse gjithë ky turravrap për të shembur ndërtesën në qendër të Tiranës?
Mund të rreshtohen edhe dhjetra arsye të tjera, por këto veçoj si më të rëndësishmet. Ndërsa sërish më vjen në mendje “Gjinoja” i “14 vjeç dhëndërr”.
“Gjinoja” i Bashkisë së Tiranës, ia doli të bëjë në 48 orë atë që shefi i tij Edi Rama, nuk e bëri dot për 27 muaj. Ndërsa deri më sot njihej si “i pasuruari nga shitja e fiqve”, nga sot Erion Veliaj do të njihet edhe si ekzekutuesi i Teatrit Kombëtar, aty ku edhe vetë shefi i tij nuk guxoi.
Me këtë veprim të paprecedentë, Erion Veliaj kaloi “provën e zjarrit” të shefit të tij, sepse në fakt nuk kishte alternativë tjetër për ti hapur vetes rrugën e pasardhësit në PS apo Rilindje. Këtu do të jemi, me sot Erion Veliaj siguroi postin e kryetarit të PS-së, pasi shumë shpejt do ta lërë bosh shefi i tij Edi Rama. Pavarësisht se me kosto shumë, po shumë të lartë. Por për një popull me kujtesë blic siç jemi ne shqiptarët, ky nuk është problem. E na mbetet vetëm të përsërisim: Na dolle i fortë more Gjino…?! /Nga Blerti DELIJA/