Pas barazimit pa ngjyra të Vllaznisë në “Loro Boriçi” me Laçin me trajner të ri edhe pse me moshë të vjetër, Vllaznia në mesjavë zbret sërish në fushën e blertë në shtëpinë e vet. Luhet ndoshta ndeshja më e rëndësishme e sezonit futbollistik 2021- 2022 për klubin shkodran, ajo e kthimit me Partizanin për Kupën e Shqipërisë.
“Të kuqtë” vijnë të karikuar, pasi kanë kaluar në Superiore pikërisht Vllazninë e duke ëndërruar pse jo, Europën e futbollit edhe përmes kampionatit. Fitorja me përmbysje me Teutën, ka rritur të paktën psikologjikisht ekipin, i cili pas një kohe luhatjesh të dukshme, ia ka dalë të ngrejë kokën. Partizani, ashtu si edhe Vllaznia, sheh Kupën e Shqipërisë si rrugën më të shkurtër për të arritur Europën.
Përkundrazi, tek Vllaznia situata është antipod i asaj tek Partizani. Kuqeblutë nuk e ndjejnë shijen e fitores prej 6 ndeshjesh. Padyshim është një “agjërim” i gjatë për ekipin, i cili në nisje të sezonit pretendonte kampionat e kupë me sloganin “Return to glory” ose në shqip “Rikthim tek lavdia”. Vllaznia e këtij sezoni, krahasuar me atë të një më parë, është zhgënjyese.
Sivjet, emrat e lojtarëve janë më të famshëm, pagesat janë më të larta dhe ekipi administrohet 100% nga një privat ashtu siç kërkonin me ngulm tifozët e specialistët e topekëmbës. “Hirushja” e kampionatit të kaluar sivjet shihej si “Shtriga” që duhej mundur, me çdo kusht, edhe me ndihmën e FSHF- së dhe të arbitrave.
Këtë sezon, pesha më e madhe e administrimit dhe sponsorizimit të Vllaznisë i ra Alban Xhaferit. Nëse një sezon më parë, maksimumi i kontributit të tij financiar sipas kontratës si sponsor me Bashkinë Shkodër ishte 200 milion lekë të vjetra, brenda një viti kalendarik, ai pagoi për kontratën me Tatimet për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës dhe për blerjen e aksioneve të KF Vllaznia sh.a. rreth 1 milion dollarë. Kjo shumë nuk është aq e papërfillshme, siç edhe rreth 500 mijë euro të fituara nga Europa, nuk kanë mjaftuar as për pagat e ekipit në sezonin aktual.
Natyrisht dhe me të drejtë, tifozëve nuk është se u intereson shumë sa më sipër. Ata kërkojnë që ekipi i tyre i zemrës të jetë gjithmonë në krye përherë pretendt, të fitojë trofe e mbi të gjitha, ti kënaqë me lojë. Sepse shkodranët, janë futbolldashësit më të paepur të topekëmbës, ndoshta të vetmit në Shqipëri që duatrokasin edhe fitoren e ekipit kundërshtar, kur ai e arrin përmes lojës në fushën e blertë.
Ndeshja e kësaj mesjave, vlen një sezon por edhe miliona lekë të hedhura nga presidenti, bashkia e sponsorët e ndryshëm. Me Partizanin, Vllaznia e Elvis Plorit është e destinuar të fitojë. Me gola, me kohë të rregullt, pa gola në 90 apo 120 minuta, me penallti, pa penallti, kundër vullnetit të FSHF- së apo arbitrave, me apo pa VAR, me tifoza apo pa tifoza, Vllaznia duhet ta kalojë Partizanin për të synuar për herë të dytë Kupën e Shqipërisë. Këtë vit, ndryshe nga sezoni i kaluar, mundësia e vertetë për të arritur në Europë, për të shpëtuar sezonin dhe për të përgatitur edhe financiarisht tjetrin.
Veç kësaj, është në lojë edhe pankina e Elvis Plorit. Prej gati dy vitesh pjesë e stafit teknik, me largimin e Brdariç atij i ra barra aspak e lehtë e drejtimit të ekipit. Largimet e trajnerëve gjatë sezonit, shoqërohen me problematika në ekipet e futbollit dhe ringritja nga pasardhësi, nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, për shumë arsye, një pjesë të të cilave i ka pohuar edhe vetë Plori, e mori përsipër këtë sfidë.
Nëse Vllaznia nuk kualifikohet me Partizanin (larg qoftë!), Plori ikën vetë, nuk besoj se ka nevojë as edhe të shkarkohet. Sigurisht, nuk do të ishte zgjidhje e mirë por as edhe mundësi reale që Vllaznia të zgjohej nga gjumi i gjatë. Por logjikisht, Vllaznia do të futej në një qerthull të rrezikshëm për të mos rrezikuar qendrimin në Superligë. Sa është larg vendit të dytë në renditje, po aq është edhe nga zona e ftohtë e saj.
Plori por edhe futbollistët, kanë në dorë në këto 90 minuta me Partizanin fatin e një sezoni, për të mos thënë në fund se ishte i dështuar. Ky është mendimi i parë dhe i fundit që duhet të udhëheqë të gjithë në këto ditë që i paraprijnë ndeshjes më të rëndësishme të sezonit. Edhe tifozët kanë shumë në dorë. Janë të zhgënjyer, të mërzitur, të pamotivuar por në këtë ndeshje, duhet të jenë realisht lojtari i 12- të i Vllaznisë në “Loro Boriçi”. Vllaznia ka nevojë për ta, Shkodra ka nevojë për ta, futbolli ka nevojë për ta! /Nga Blerti DELIJA/