Vendimi i gjykatës së apelit për të legjitimuar edhe “de jure” opozitën reale të vendit ka ringjallur iluzionin se në drejtësinë e re mund të ekzistojnë edhe ishuj lirie dhe pavarësie. Rikthimi i vulës tek Sali Berisha, në një këndvështrim sipërfaqësor, mund të duket si një sfidë, në të kundërt të gjithë asaj çka donte dhe kërkonte regjimi i Tiranës.
Edi Rama ka patur si sllogan mosnjohjen e opozitës së non gratës, gjykata e çertifikoi atë si legjitime. Ai kërkon zgjedhje me një rival pa financim, pa komisionerë dhe pa emër kryetari në fletën e votimit (si në 14 maj), drejtësia i’a pamundësoi këtej e tutje këtë ëndër. Ai do në të djathtë të tij, një grup parlamentar demokrat, deputetët e të cilit i cakton vetë, ndërsa zhveshja e Lulzim Bashës nga sigla e PD-së i’a vrau këtë shpresë.
Pra, po e pe nga ky këndvështrim, të krijohet përshtypja se sot është zbrapsur autokracia dhe ka fituar drejtësia. Kjo u duk edhe në reagimet e para të disa prej eksponentëve të PD-së që ngritën dy gishtat lart, i’a morrën valles tek selia dhe filluan të lëshojnë parrulla emtuziaste për fundin e lojës së Ramës dhe fitoren e afërt të demokratëve.
Por, sado e bukur të tingëllojë kjo përrallë, sa do që të kenë nevojë për optimizëm idhëtarët e persekutuar të opozitës, fatkeqësisht e gjitha është vetëm një mirazh zhgënjyes. Një analizë e ftohtë të kthjellon se nuk ka vend për të shikuar dritë në fund të tunelit.
E para, sepse nuk mund të kesh shpresë, kur sheh se për një vendim kaq të thjeshtë forca kryesore e opozitës u sorollat në dyert e gjykatave për dy vite e gjysëm. Ajo u paraqit e çarmatosur në dy palë zgjedhje, në ato të pjesshme të 6 marsit dhe në ato të përgjithshme bashkiake të 14 majit, falë kalkulimeve të drejtësisë së re. Vendimi udhërrëfyes i Gjykatës së Lartë sipas të cilit, një palë që nuk është pjesë e procesit (Basha- Alibeaj) nuk mund të ketë të drejtë ankimimi dhe zbatimi i tij, këtë 11 qershor prej apelit, dëshmuan se gjithçka qe krejt e kollajshme dhe se e gjithë zvarritja ka pasur prapavijë politike. Rilindja e ka përdorur drejtësinë si një faktor të rëndësishëm të ndikimit mbi zgjedhjet.
Pavarësisht se në këtë moment, e la të lirë gjykatën të lëshojnë vulën, partia në pushtet njësoj si ujku ka ndryshuar vetëm qimen. Ajo nuk ka hequr dorë nga zakoni i përdorimit të prokurorëve dhe togave të zeza. Kjo fitore e vogël e berishistëve u lejua vetëm pasi drejtësia e kaloi provën gjenerale se mund të shërbejë si mashë për penalizime të reja kundër opozitës.
Së pari, në zgjedhjet e 12 majit, pushteti tregoi-, me një rast që do të njolloste çdo demokraci-, se mund të prangosë një kundërshtar vetëm dy ditë para zgjedhjeve dhe se mund të përdorë SPAK dhe GJKKO, për të penguar betimin e një kryebashkiaku të zgjedhur nga populli. Tashmë për zgjedhjet e ardhshme precedenti është i gatshëm.
E dyta dhe më kryesorja, duke i rikthyer vulën PD-së reale, duket sikur bashkë me të drejtën për të përdorur flamurin, financat dhe për të pasur komisionerë në zgjedhjet e ardhshme, gjykata i’a zgjidhi gjymtyrët asaj për të vepruar e lirshme në zgjedhje. Por nuk është kështu. Përpara së ti “dhuronte” këtë karrotë Prokuroria dhe Gjykata e Posatçme e goditën PD-në me shkop. Ato e izoluan, ende pa i shpallur dot as akuzën liderit të opozitës, duke përdorur trukun e zhveshjes së tij prej mandatit të deputetit pa kaluar përmes kuvendit.
Kështu pra, kjo drejtësi ndërsa me njërën dorë i dha atë që i takonte, me tjetrën e kish zhveshur ndërkohë nga diçka tjetër. Vertet në garën e ardhshme elektorale demokratët mund të mos privohen më nga pasja e emrit të liderit të tyre në fletën e votimit, por ama, ata nuk do ta kenë atë prezent në fushatë. Pushteti dhe drejtësia i falën atyre vulën, por i rëmbyen Berishën.
Prandaj në këto kushte, të flasësh për ishuj të pavarur drejtësie, nëse nuk është manipulim, përbën naivitet. Edhe pas këtij vendimi të Apelit, pavarësisht nga mjetet që përdoren asgjë nuk ka ndryshuar: pushteti vijon ti përdorë “heronjtë e fëmijve” tanë si leva të shkatërrimit të lojës së barabartë politike. /Nga Andi BUSHATI/