Në vazhdën e urdhrave të çuditshëm që gëlojnë si kokrrat e dendura të breshërit në qiellin e vrenjtur të arsimit shqiptar, pikloi kohët e fundit urdhri për sjelljen e dëshmive të penalitetit. Sa e pashë këtë urdhër invadent, vërtetova domosdoshmërinë e mbajtjes së përhershme mbi tavolinë të librit të Sollzhenjicinit “Arkipelagu Gulag”.
Më erdhën disa mendime. Së pari e mendova periudhën nga viti 1887- deri në vjeshtën e vitit 2021 (134 vjet arsim shqiptar), si periudhë ku sistemi ynë arsimor paska qenë i zhytur në terrin e penalitetit, në muzgun e një fajësie të tmerrshme. Duke e vrarë mendjen për shkaqet e dhënies së këtij urdhri, e mendova atë si një aksion me goditje të përqendruar- ose fushatë nga ana e armatës së mësuesve, për t’i ardhur në ndihmë administratës së shtetit.
Ose… ose…; mos vallë ideatorët e këtij urdhri e shohin gjithë këtë si një goditje psikologjike me efekt paraveprues, që e bën njeriun- mësues të jetë i kujdesshëm, se ka edhe penalitet- pra një urdhër gogol! Sepse edhe një mësues i pafajshëm, që e di pafajësinë e vet, pret me ankth që këtë pafajësi t’ia konfirmojë një deklarim zyrtar dhe arrin kulmin e ekzaltimit kur ky konfirmim i vjen. Kjo, për arsye se njeriu- mësues mendon me mosbesimin e individit të shkretë që thotë me vete: “Mos më kanë ngatërruar me tjetërkënd dhe po dal i fajshëm?”- njësoj si Jozef K te “Procesi” i Kafkës, kur mendon pas ardhjes së hafijeve: “Mos jam sjellë keq me gratë”. Shkurt, një dhunë psikologjike.
Pyetjet që njeriu mësues i bën vetvetes janë disa.
1. Pse njeriut- mësues (të gjorë) i vihet përpara një formular ku të përgjigjet si para sant ufizzio-s nëse është gjykuar ndonjëherë, kur dihet se gjykimi nuk është i barabartë me penalizimin?
2. Çfarë i ndodh një mësuesi të penalizuar?
3. Çfarë i ndodh një mësuesi të papenalizuar?
4. A duhet të punojë në arsim një mësues i penalizuar?
5. Nëse varet nga krimi, a e vendos gjykata në vendimin e saj se cili nga të dënuarit nuk duhet të ushtrojë profesionin e mësimdhënies, sepse ka edhe të dënuar për mospagim dritash?
6. A i ka shteti dhe sistemi ynë i drejtësisë të dhënat për qytetarët e vet?
7. Nëse i ka të dhënat, a ka punonjës administrate që i nxjerrin e ua dërgojnë strukturave të arsimit në qendër dhe në rrethe që të pezullojnë ata që janë privuar me vendim gjykate nga e drejta e mësimdhënies.
9. A ka futje hundësh në privatësinë e individit që quhet mësues?
10. A ka humbje energjie nga njerëzit- mësues që po ngarkohen përditë me punët më absurde, duke paralelizuar me punonjësit e zyrave të gjendjes civile, të ujësjellësit të OSHE etj?
Së fundi, Alber Kamy konstatonte dikur se dënimi me punë të padobishme e kthen individin në karakter tragjik. /Publikuar në Facebook/