Monarkia dhe republika janë dy forma qeverisje të shteteve e kombeve aktualisht. Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, republika si formë e qeverisjes, është përhapur më gjërësisht në të katër anët e globit. Megjithatë, ka edhe monarki qindra vjeçare, siç është mbase më e spikatura Mbretëria e Bashkuar me Elizabetën në krye.
Këto ditë, pritet të nisin zyrtarisht tratativat për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë. Ndërsa procedurat ligjore tashmë dihen dhe kalojnë përmes parlamentit, si zakonisht nis publikimi i emrave. Ndër emrat e parë që kanë nisur të diskutohen, është ai i Princ Leka, trashëgimtar dhe pretendues i fronit të monarkut të Shqipërisë.
Princ Leka është trashëgimtar direkt, nip i tij, i Zogu i Parë, mbret i shqiptarëve për rreth 11 vite ligjërisht e faktikisht deri kur mbylli sytë me 9 prill 1991 në Francë. Djali i tij i vetëm, Leka i Parë, u shpall mbret pasi ndërroi jetë Zogu i Parë, por asnjëherë nuk u njoh si i tillë thuajse nga askush. Mundësia reale që ai të zyrtarizohej si monark, ishte në referendumin e vitit 1997, ku zyrtarisht humbi ndërsa edhe agjensi të huaja shtypi, njoftuan se ai fitoi por iu manipulua rezultati.
Nga viti 2002, Familja Mbretërore u vendos zyrtarisht në Shqipëri, duke marrë statusin që u takonte dhe duke qenë pjesë e protokollit shtetëror. Jeta bëri të veten dhe sot, Princ Leka, Princeshë Elia dhe princeshë Geraldina, përbëjnë Familjen Mbretërore. Si rregull, qëllimi final i Familjes Mbretërore por edhe i disa forcave politike si Lëvizja e Legalitetit, është rikthimi i Shqipërisë në monarki kushtetuese të trashëgueshme.
Megjithatë, të paktën në dy raste, Princ Leka i ka sherbyer republikës, edhe pse tingëllon si e çuditshme. Fillimisht si këshilltar në Ministrinë e Jashtme dhe më pas edhe në Presidencë, Princ Leka ka marrë pozicione republikane, duke treguar se ndjeshmëria e tij monarkiste është më e vogël se ajo për ti sherbyer vendit, edhe pse sistem republikan parlamentar.
Simeon II i Bullgarisë, ishte shembulli i kthimit të një ish- monarku në “sherbetor” të republikës. Nga viti 2001 deri në 2005, ai u zgjodh kryeministër i vendit, duke qenë edhe në krye të një partie politike të quajtur Lëvizja Kombëtare për Zhvillim dhe Stabilitet. Deri diku e ngjashme me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të krijuar dhe sot të drejtuar nga Dashamir Shehi. Por kaq ishte karriera republikane e Simeon II i Bullgarisë, për të vijuar më pas jetën e tij private.
Me përjashtim të një farë joshje për pushtet me angazhimin në Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Familja Mbretërore Shqiptare ka preferuar të mos angazhohet direkt në politikë, duke ruajtur baraslargësinë nga të gjitha partitë në vend. Në këtë kuptim, Princ Leka është figurë mjaft e përshtatshme për të qenë në krye të shtetit.
Me 26 mars të këtij viti, Princ Leka ka festuar 40 vjetorin, duke qenë i zgjedhshëm si president në bazë të përcaktimeve të Kushtetutës. Për shkak të prejardhjes, ambjentit ku u rrit dhe u edukua, parimet mbi të cilat ai është formuar dhe shkollimit, Princ Leka nuk mund të konsiderohet figurë pa eksperiencë politike. Nga ana tjetër, për shkak të statusit, lidhjet e tij janë të shumta e të forta, jo vetëm me familjet mbretërore të Europës e më gjërë.
A mund të jetë kandidat për president zyrtarisht Princ Leka? Mbetet për tu parë. Megjithatë, fillimisht ai duhet të heqë dorë nga titulli “princ”. është pak paradoksale që ai të prezantohet si presidenti i Republikës Princ Leka!!?? Nga ana tjetër, zgjedhja e tij si president, do ti jepte zyrtarisht fund mundësisë që një ditë Shqipëria të ishte monarki, nëse do të kishte vullnet popullor.
Nga ana tjetër, nuk duhet harruar aspak se si filloi monarkia shqiptare 1928- 1939. Ahmet Zogu ishte ministër, kryeministër, president e më pas mbret i Shqipërisë. A mund të përsëritet historia? Vështirë por jo e pamundur! Një referendum, mbase mund ti ishte zgjidhja më e mirë dhe Princ Leka si president, mund të ketë mekanizmat për t’ ia arritur. Ndryshon vetëm Shqipëria, ishte fillim shekulli 20- të dhe sot jemi në fillimet e shekullit të 21- të. /Nga Blerti DELIJA/