Këto ditë fushate, siç ndodh gjithmonë, po dëgjojmë çudi nga më të ndryshmet, premtime të bujshme, në kufijtë e Parajsës tokësore. Me ketë, shqiptarët e shkodranët janë mësuar. Pavarësisht asaj që dëgjojmë, jemi aq të zgjuar sa të kuptojmë realitetin nga fantazia, të sotmen nga e nesermja fantastiko- shkencore që na ofrohet si karamele.
Nga viti 2015- të, territori i Bashkisë Shkodër është zgjeruar ndjeshëm. Nga bashkia e “vijave të verdha” të qytetit të dikurshëm, sot bashkia nis nga Shala deri në Velipojë, nga Ana e Malit deri në Gurin e Zi. Ata që jo radhë para 1990- ës e në jo pak raste edhe pas këtij viti anatemoheshin si malësorë, katundarë, fshatarë, janë qytetarë të Bashkisë Shkodër me të gjitha efektet.
Është mirë apo është keq, kjo është çeshtje tjetër sepse po flasim bazuar mbi realitete. Siç është realitet krijimi i lagjeve të reja në zona historikisht të pabanuara në periferitë e qytetit tonë, lagje që nuk janë krijuar aq shumë me leje sa nga dëshira e nevoja e banorëve për t’ iu qasur mundësive më të shumta për të jetuar.
Nga ana tjetër, nga 1990- a e këtej, janë mijëra shkodranë e familje që janë larguar nga Shkodra. Jashtë shteti apo në drejtim të kryeqytetit, ky numër nuk është aq i papërfillshëm, teksa po krijohen komunitete të fuqishme sociale edhe ekonomike, të shkodranëve jashtë territorit të Bashkisë Shkodër.
Përgjatë shekujve, struktura sociale por edhe ekonomike e Shkodrës, ka ndryshuar shumë herë. “Shkodra dhe motet” e Hamdi Bushatit, është një referencë shumë interesante për këdo që kërkon më shumë informacion. Largimet, ardhjet, pushtimet e çlirimet, kanë qenë të shumta dhe me pasoja që tashmë dihen. Sot të flasësh mbi baza historike për “dyer” apo “familje” të mëdha është mjaft e vështirë, sidomos për të vertetuar vijimësinë e tyre të pastër dhe të pandërprerë.
Konfigurimi i Bashkisë Shkodër ka ndryshuar dukshëm, sidomos pas 2015- ës, me lëvizje të brendshme demografike nga një njësi administrative tek tjetra apo në qytet por edhe me ikje drejt kryeqytetit apo jasht vendit. Dilema që po përhapet këto ditë fushate në Shkodër, edhe pse jo zyrtarisht, lidhet me kontributet e dhëna apo të premtuara. Kush kontribuon më shumë apo më pak, duke jetuar në Shkodër, në kryeqytet apo jashtë vendit.
E Djathta e Bashkueme Shkodrane, e cila theu hegjemoninë e Partisë Demokratike në administrimin e Bashkisë Shkodër në 1996- ën, artikulonte idenë përbashkuese se “nuk asht shkodran ai që len në Shkodër por ai që ban për Shkodër”. Në fakt, lindjen nuk e ka askush në dorë por vetëm prindërit. Siç po ndodh rëndom këto kohë, prindërit mund të zgjedhin që ti të lindësh në SHBA dhe sa “bjen në tokë”, je shtetas amerikan.
Në shumë studio televizive, edhe orët e fundit, shohim të flasin me kompetencë të frikshme analistë të ndryshëm. Jo vetëm për çeshtje e tema të realitetit shqiptar por edhe si konflikti Ukrainë- Rusi e deri tek Gjiri Persik… Jetojmë në botën e qarkullimit të çmendur të informacionit dhe mund të përceptosh ngjarjet që ndodhin në Jemen, Jordani apo Afganatistan, me të njëjtin intensitet si të jesh qytetar i atij vendi.
Të jesh në korrent, në kontakt me zhvillimet e një bashkie si Shkodra, është mjaft e lehtë. Falë mediave e portaleve por sidomos nga vetë natyra që kemi ne. “Ti këndojnë letrat në xhep” apo “komshia yt e di edhe sa lugë ke në shtëpi”, janë vetëm dy nga shumë shprehje që na personifikojnë në këtë drejtim.
Përfaqësues të zgjedhur të qytetit këto 30 vite, kemi patur edhe nga ata që nuk jetonin fare ose të paktën “nuk flinin çdo natë” në Shkodër. Kjo nuk i ka bërë më pak të përgjegjshëm, më pak të informuar mbi problematikat e Shkodrës. Madje, në qasjen e tyre publike e mediatike, kanë qenë më konkretë, më të strukturuar dhe të vertetë se edhe ata që “flinin çdo natë” në Shkodër.
E për të ecur më përtej, shumë të zgjedhur të Shkodrës kanë shenjuar emrin në investimet më të rëndësishme dhe impakt që janë bërë në Shkodër, pikërisht ata që “nuk flinin çdo natë” në Shkodër. Atyre që mund të humbin kohë për të lexuar këto rreshta, mund tu vijnë në mendje mjaft emra.
Për tu kthyer pas në kohë, të paktën nga Rilindja Kombëtare e këtej, pikërisht ata që jetonin e punonin më shumë jashtë Shqipërisë, shenjuan emrin në pjesën më të rëndësishme të historisë së këtij vendi. Duke nisur nga Ismail Qemali, që njihet zyrtarisht si babai i Pavarësisë së Shqipërisë por edhe dhjetra e qindra figura të tjera para e pas tij.
Në fushatë elektorale, nuk mungojnë edhe gjetje në sherbim të qëllimit, edhe slogane që në pamje të parë “godasin” publikun. Në rastin e Bashkisë së Shkodrës, nga 2015- a e këtej, ajo tashmë është e shaljanëve, shoshjanëve, pulçakëve, postribakëve, rrethinasve (sepse nuk gjejmë emër tjetër), anamalasve, gurazezve, dajçasorëve, berdicianëve, velipojakëve dhe të gjithë bashkë, përmblidhen, e shkodranëve. Fle apo nuk fle çdo ditë të javës, të muajit a të vitit brenda territorit të Bashkisë Shkodër.
Që të gjithë këta, janë e duhet të jenë pjesë e qeverisjes së Bashkisë Shkodër, natyrisht duke u përpjekur të zgjedhësh më të mirët, të aftit, të përkushtuarit e punëtorët. Kjë është aftësia kryesore që duhet të ketë një drejtues vendor, pavarësisht nëse “fle në Shkodër”, pavarësisht nëse ka më shumë se një shtëpi dhe të dytën apo të tretën e ka brenda apo jashtë Shqipërisë.
Deri para pak viteve, krenoheshim të gjithë me rreth 2500 vjet histori të qytetërimit në Shkodër. Një ekspeditë polake (nëse nuk gabojmë) siguroi dëshmi, objekte të ndryshme, që e shtynin në kohë deri në 5000 vjet këtë qytetërim. Ndoshta në një të ardhme, një tjetër ekspeditë, mund të zbulojë të dhëna të tjera për Shkodrën. Historia e një qyteti, një kombi, nuk fillon atëherë kur duam ne. Ka ekzistuat, ekziston e do të ekzistojë pavarësisht dëshirës së secilit nga ne. /Shënim i ShkodraWeb/