Diplomacia është shkencë! Ajo studiohet në universitete dhe ka disa parime universale mbi të cilat funksionon. Marrëdhëniet diploamtike mes shteteve, funksioni i diplomatit në një shtet, rregullohen prej shumë e shumë vitesh nga Konventa e Vjenës.
Shoqëria njerëzore, në një moment të caktuar të ekzistencës së saj, e pa të arsyeshme që, përveç rregullit brenda një shteti të caktuar, të vendosë edhe një farë rregulli të përbotshëm. E kështu lindi Shoqëria e Kombeve, sot Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Edhe ky organizëm, nuk funksionon mbi baza barazie mes shteteve. Organi më i rëndësishëm është Asambleja e Përgjithshme e OKB- së por më i fuqishmi, është Këshilli i Sigurimit i OKB- së. Mungesa e barazisë përqendrohet pikërisht këtu. 5 shtete janë më të privilegjuara se të tjerat, kanë të drejtën e bllokimit të vendimeve përmes vetos.
“Lufta e ftohtë” gati gjysëmshekullore, krijoi një perde moskoordinimi dhe frike reciproke mes shteteve. Në fillim të viteve ’90, perdja ra dhe nisi një periudhë shtensionimi marrëdhëniesh edhe mes shteteve dikur armike. Mbi të gjitha, Rusia (që trashëgoi privilegjet e ish- Bashkimit Sovjetik) dhe SHBA- të.
Perdja ra, por lufta për “zonat e influencës” nuk pushoi asnjë ditë. Ajo vazhdon, do të vazhdojë edhe me kosto mjaft të larta. Siç është edhe lufta dymujore deri tani, në Ukrainë. Ekulibrat botërorë tashmë nga brishtësia e 30 viteve të fundit, janë lëkundur e me gjasë, do të ndryshojnë.
Shqipëria është një vend problematik, me një tranzicion 30 vjeçar që me shumë mundësi, do të vazhdojë. Ndodhur në kryqëzimin e rëndësishëm të “trafikut të influencave”, një portë as e lindjes e as e përendimit, e ka të vështirë të gjejë rrugën e duhur shpejt.
Kemi zgjedhur aleatët tanë strategjikë dhe tashmë si shtet, jemi pozicionuar. Jemi pjesë e NATO- së dhe po trokasim në deyrt e BE- së prej vitesh, por pa na hapur dyert e paradhomës të paktën deri tani. Edhe për rreth 2 vite, do të jemi pjesë e Këshillit të Sigurimit, si antëtar i përkohshëm.
Në Shqipëri, sovraniteti shtetëror prej 30 vitesh është në lëkundje të përhershme. Jemi vend i NATO-s, sot edhe kandidat për anëtar të BE- së, kemi dhënë sovranitet pikërisht për këto arsye por vazhdojmë tolerojmë. Praktikisht, nuk vetëqeverisemi, ose më saktë, qeverisemi me orientime publike e jo publike.
Që nga koha e ilirëve e këtej, nuk kujtohet qe ky vend, sot i cunguar si territor dhe me emrin Shqipëri, të ketë sulmuar me qëllim pushtimi ndonjë vend. Jemi pushtuar, asimiluar e tjetërsuar, të paktën ashtu siç kemi mësuar nga libra historie, të autorëve vendas e të huaj.
Nëse në politikën globale e rajonale roli i Shqipërisë është më pak se modest, nuk ia kemi dalë të krijojmë as standarde ekonomike për shqiptarët që nuk kanë braktisur akoma këtë vend në kërkim të një jete më të mirë. Madje, në shumë raste nuk krahasohemi as me fqinjët tanë ballkanikë.
Qeverisja e këtij vendi, ka qenë përherë e kontestuar. Pala humbëse e zgjedhjeve, ajo që quhet opozitë, historikisht nuk ka njohur asnjë “punë të mirë” të atij që qeveris këtë vend. Kështu ndodh edhe sot, siç ka ndodhur këto 30 vitet e fundit. Mospasja e një alternative qeverisëse të paktën për 50 vite diktaturë, duket se ka lënë gjurmë të forta tek ata që janë qiramarrësit e radhës të administrimit të shtetit.
Nga ana tjetër, qeveritë nuk e shohin asnjëherë si partner real e shtetformues opozitën. Megjithatë, janë përpjekur të krijojnë e të ruajnë disa ura parimore komunikimi. Në shumicën e rasteve, qeveria është përpjekur t’ ia hedhë gjithmonë opozitës kur ka patur nevojë për bashkim votash në mungesë të tyre apo kur ka marrë urdhër nga “lart”, jashtë vendit.
24 orët e fundit, ka patur një zhvillim që ka dalë jashtë këtyre linjave. Qeveria ka paralajmëruar mbyllje të çdo komunikimi me opozitën e këtij vendi, nëse në krye të saj vjen një ish- president, ish- kryeministër (nga dy herë radhazi në këtë rast). Është pozicionuar haptas në një linjë me një nga aleatët strategjikë të këtij vendi, SHBA- të.
Shpallja “non grata” solli një shkundje të fortë të opozitës, e cila nëse vazhdon trysnia publike- politike mbi të, nga jashtë dhe nga brenda vendit, me shumë gjasa do të çahet. Rrezikohet të krijohet një opozitë institucionale që njihet nga qeverisja aktuale e partnerët ndërkombëtarë si dhe një opozitë reale, mbështetur të votuesit e saj.
Diplomacia është art komunikimi që i paraprin veprimit. Vetëm një pjesë shumë e vogël e saj, duket apo “qendron mbi ujë” në sytë e njerëzve të zakonshëm. Përmes “pjesës së padukshme” mund të ndërveprohet dhe të merren rezultate më të rëndësishme përmes diplomacisë.
Në rastin e Shqipërisë, është dalë haptas, duke shpallur publikisht një “armik”, i cili është ish- presidenti dhe ish- kryeministri. Përtej çdo hamendësimi, aludimi apo akuze, çdokush e ka të vështirë ta besojë se këtë vend, Shqipërinë, e do më shumë një ambasador i huaj se një ish- president e ish- kryeministër. Aq më shumë, kur ka patur dhe ka ndikim të drejtëpërdrejtë në të gjitha zhvillimet pozitive, sigurisht edhe negative të tij.
Ish- presidentin e ish- kryeministrin, sot një deputet i thjeshtë, nuk mund ta vendos “në kandar” as kryeministri aktual e as një ambasador. “Fati” i tij është në dorën e mbështetësve të tij, të anëtarëve të partisë së tij, të cilët mund ta rrëzojnë apo mbajnë mbi supet e tyre.
“Kandari” i vetëm që mund të ndikojë në fatin e këtij ish- kryeministri e ish- presidenti, është drejtësia, sidomos drejtësia e reformuar. Edhe më herët, por sidomos këto vitet e fundit kanë treguar se persona me imunitet, deputetë, i janë dorëzuar drejtësisë pa teklif. Kryeministri e ka orientuar publikisht drejtësinë e reformuar të veprojë ndaj ish- presidentit të vendit. Kush e pengon të veprojë?! Gjithmonë nëse ka prova e fakte.
Do të ishte në nderin e kryeministrit aktual, që paraardhësin e tij në krye të qeverisë e shtetit shqiptar, të mos e shohë thjeshtë e vetëm si rivalin e mundshëm politik në zgjedhjet e radhës. Askush nuk mund ta mohojë se për rreth 13 vite, jo vetëm ka qeverisur por edhe ka patur efekte pozitive për vendin e shqiptarët, të cilat nuk është vendi ti përmendim.
Një ditë, sado larg të miund ta mendojë, edhe kryeministri aktual do të jetë thjeshtë e vetëm një ish- kryeministër. Në realitetin shqiptar, nuk është aspak e vështirë të etiketohet si i korruptuar çdo zyrtar. Nuk është e vështirë të gjendet një prokuror që hap edhe çeshtje, siç edhe është e lehtë që një ambasador apo një shtet të të vendosë një lloj etikete apo “non grata”. Çdo ish- kryeministri, do ti bëhej nder nëse pasaardhësi do ti mbronte dinjitetin, asgjë më shumë. Jo në emër të avokatisë për individin por të respektit për shtetin, vendin tënd, bashkëqytetarët e tu. /Nga Blerti DELIJA/