Historia politike shqiptare në të ardhmen do ta identifikojë Sali Berishën si një figurë me rëndësi të madhe që deri sot ka vetëm precedentët e Xh. K. Raulings apo Dikensit, por në politikën aktive. Ai ka qenë në gjendje të kapë imagjinatën kolektive të një pjese të madhe të kundërshtarëve dhe viktimave të komunizmit dhe ia ka dalë të mbushë mendjet e tyre me përshkrime dhe shpjegime që janë shndërruar në një kuadër të përbashkët referencial për mënyrën se si shumë demokratë e shohin sot të ardhmen e tyre.
Me ligjërimin e tij prej 30 vitesh dhe me opozitën e tij të qytetarit dixhital, ai ka arritur të orientojë mendjen e një pjese të popullit opozitar drejt një revolucionarizmi që njerëz si ai e pëlqejnë. Ai gjithmonë përpiqet të reduktojë luftën e ndërlikuar politike në një betejë të thjeshtë ndërmjet të mirës dhe të keqes. Ai nuk ka bërë gjithnjë dhe vetëm politikë të ulët, ndryshe nga ç’e tregon një pjesë e ligjërimit të tij gjatë javëve të fundit. Berisha ka patur gjithmonë aftësinë të prekë sentimentet reale dhe universale të një pjese të madhe të shqiptarëve.
Ai ka një gjenialitet për të shpikur personazhe që përfshijnë përfytyrimet e njerëzve të zakonshëm dhe situata në të cilat vihen në provë në mënyrë të beftë dhe alarmuese emocionet e tyre të përditshme. Konspiracionet e Xhorxh Soros, një paranojë e përvetësuar në masë të madhe nga të djathtët në Shqipëri janë përqafuar dhe po përdoren në mënyrë agresive në foltoret e tij dy herë në javë. Dyshimi i një marrëveshjeje të fshehtë Rama-Basha, i përhapur gjithë këto vite nga proxy-t e Berishës dhe pasi është bërë mjaftueshëm frikësues, është marrë prej tij dhe është vendosur në mënyrë komode në qendër të narrativës anti-Basha.
Fabulat e Berishës mund të jenë të ekzagjëruara dhe të mbushura me gënjeshtra por ato qëndrojnë të lidhura me njëra-tjetrën dhe çdo gjë rrjedh në mënyrë harmonike nga përshkrimet tek dialogjet dhe e anasjella. Për dikë që nuk e ndjek politikën në mënyrë sistematike, rrëfimi i tij është i pakëputur dhe pa rrjedhje. Sepse ai përjashton me lehtësi dhe mjeshtëri episode, personazhe dhe marrëdhënie që do ta diskreditonin fabulën e tij anti-Basha. Ai ka një gjenialitet të llojit të Dikensit kur vjen fjala tek emërtimet. Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, karrigethyerit, bijtë e etërve, klani i Zemunit, Edvin droga, peng-kryetari dhe shumë të tjerë, janë pjesë e një arkive.
Në tërësi, do t’i njihja Berishës kontributin real në ligjërimin politik, edhe pse një ligjërim i politikës manipulative. Kjo lloj politike kornizon mendjen e thjeshtë të shqiptarit mesatar, e pasuron atë sipas qëllimeve të politikës së ditës dhe e përdor atë për të mbartur tezat e realitetit që ka nevojë të imponojë. Ky lloj ligjërimi manipulativ i kushtohet gjërave reale por të paraqitura në një mënyrë kaq të thjeshtë sa t’i përshtatet pafajësisë dhe naivitetit të shqiptarit në qendër të narrativës.
Ligjërimi politik i Berishës nuk i dedikohet realitetit siç është, por realitetit siç perceptohet nga një pjesë e mirë e të djathtëve dhe opozitarëve shqiptarë, të privuar nga njohja e plotë dhe eksperienca e njerëzve të lindur dhe rritur në demokraci. Ajo është një botë magjike e organizuar nga fuqi okulte si Sorosi dhe masonët, dhe formula magjike si reforma në drejtësi, shpallja e tij non-grata etj. Ajo është gjithaq një botë e thjeshtëzuar në të cilën e mira dhe e keqja shpalosen në terma konkretë dhe ndajnë më dysh realitetin.
Bota e Berishës, veçanërisht gjatë javëve të fundit të fushatës inatçore ndaj Bashës, është një botë pa përgjegjësi pasi të gjitha gjërat janë në dorën e tjetërkujt. Audienca që bie në një botë të tillë ka nevojë vetëm për një lloj diturie që është dija e sloganeve që mbledhin forcat e së mirës për ta shpëtuar atë dhe përzënë tutje forcat e së keqes. Kjo është bota e përshkruar dhe e pajisur në një mënyrë bujarisht manipulative nga Sali Berisha. Narrativa e tij manipulative do të fitonte lëvdatën e kujtdo që është përpjekur të zbulojë një histori pozitive për të larguar makthin që të sjell ky kuptim mbi botën.
Foltoret e Sali Berishës janë një formë e religjionit pagan pellazgjik. Ato i ngjajnë një katedraleje mesjetare madhështore por pa altar, pa himne dhe pa lutje. Po si ruhet fuqia e tyre? Përgjigjja është përmes gënjeshtrës dhe kjo gënjeshtër është një krijesë madhështore e Berishës që mbush çdo hapësirë që do të kishte zënë religjioni i vërtetë duke nxjerrë konfliktin ndërmjet të mirës dhe të keqes nga sfondi kozmik në skenën politike shqiptare. Ky konflikt shpaloset në forma dhe në fytyra, në çarje dhe kostume, në trajta dhe hije të kësaj katedre ngjethëse.
Berisha u ka dhënë asgjëve të kota një emër dhe një habitat lokal. Forma e tij e predikimit na bën të vetëdijshëm se pse feja dhe magjia kanë qenë përherë në luftë të paprerë. Siç e shpjegon shterueshëm Roxher Skruton, feja na mëson se ne nuk kemi fuqi mbi botën dhe se duhet të mësojmë të pranojmë kufizimet tona e të njohim se shpëtimi ynë varet nga Zoti. Kur lutemi, ne nuk urdhërojmë botën të na bindet. Përkundrazi, ne pranojmë me përulësi mungesën e pushtetit dhe i përgjërohemi Zotit të ndërhyjë për ne. Lutja është pranim i dobësisë tonë dhe njëkohësisht një zgjidhje për të merituar ndihmën e Zotit.
Në këtë pikëpamje, lutjet janë e kundërta kategorike e sloganeve. Kushdo që shqipton një slogan, pretendon fuqi mbi realitetin. Ai nuk ka nevojë për Zotin sepse ai është Zot për sa kohë mëton fuqitë e një Krijuesi dhe orvatet të nënshtrojë jetën dhe materien ndaj vullnetit të tij.
Refuzimi i këtij ligjërimi nga Partia Demokratike është kontributi më i mirë në braktisjen e një mënyre të të përshkruarit dhe shpjeguarit të realitetit politik e shoqëror të vendit që ushqen sentimentet dhe histerinë kolektive. Ky është hapi i parë i prodhimit të një narrative politike që synon përfaqësimin e interesave më të mira të qytetarëve dhe jo kënaqjen e psikozave kolektive. Realizmi që karakterizon pozicionin e Partisë Demokratike sot është një shtysë e madhe që populli opozitar të braktisë luftën me mullinjtë e erës dhe të nisë ta kuptojë realitetin siç është.
Kështu po ravijëzohen, më në fund, dy lloj ligjërimesh politike: një ligjërim që shfrytëzon psikozat kolektive të Sorosit, masonerisë, konspiracionit botëror dhe shpresat e rreme të një triumfi ndaj mullinjve të erës ku turmat e njerëzve të vendosur e sovranë luajnë një rol përcaktues; dhe një ligjërim që sheh me sytë e një vendi të vogël në botën reale të fuqive të mëdha dhe na fal një masë pafuqie realiste ndaj saj.
Partia Demokratike e pas 9-shtatorit është një organizatë politike e maturuar dhe realiste që po lufton kundër frymës iluzive të kultivuar brenda saj prej dekadash nga një ligjërim politik manipulativ. Ajo është një aktore e vogël përballë fuqisë politike të supërfuqive globale dhe ka zgjedhur të ndjekë një kurs veprimi e komunikimi që e bën të pranueshme për arkitekturën e fuqisë politike në botën perëndimore.
Demokratët shqiptarë duhet ta kuptojnë se është bërë jetike që ne të çlirohemi nga sëmbimi i atyre psikozave që artikulohen dhe shqiptohen në kor në takimet e z. Berisha me mbështetësit e tij. Sepse që shqiptarët të na besojnë dhe partnerët të na pranojnë si alternativë qeverisëse, ne duhet të shpëtojmë veten nga mënyra të menduari që janë në kundërkohë. Ne jemi të detyruar të pranojmë se rikthimi i Partisë Demokratike në pushtet kalon përmes durimit të bashkëpunimit me faktorë që nuk mund t’i kontrollojmë apo nënshtrojmë dhe nevojës për të kuptuar me kokë të ftohtë se ëndrrat për sovranizëm partiak i përkasin një kohe tjetër, ose ndonjë vendi krejt tjetër. /Publikuar në Facebook nga Vehap KOLA/