Ditën e djeshme ShkodraWeb ripublikoi një shkrim të para më shumë se tre muajve, lidhur me Dr. Luan Dragushën. Shkrimi u publikua në formën e një shënimi pas peripecive që doktorit i ndodhën dhe ndikuan jo pak në zgjedhjet e tij të mëpastajme. Ata që kanë interes ta lexojnë, mund të klikojnë KËTU.
Ata që nuk e kanë lexuar me vemendje, mbase kanë keqkuptuar, mes të cilëve edhe njerëz të afërm të Dr. Dragushës. Shkrimi që u ripublikua, është shkruajtur ndërsa Luani dhe kolegët e tij, ishin atje ku ky sistem i kalbur i nisi për ti frikësuar. Thjesht aludonim se pas këtij trajtimi që i’u bë, Dragusha kishte “të gjithë të drejtën e Zotit” për tu larguar nga Spitali Rajonal i Shkodrës. Asokohe, ne përmendem Amerikën si destinacion të doktorit të ri por të talentuar. Kjo, pasi që ai nga andej kishte ardhur. Ndërsa dje, ne publikuam një tjetër shkrim, sigurisht si përjetim i lidhur me shkrimin e publikuar para tre muajve, të cilin mund ta lexoni duke klikuar KËTU.
Me 14 dhjetor 2018, Dragusha e njoftoi vetë largimin nga Spitali Rajonal i Shkodrës. Fakt që u pranua edhe nga disa miq të afërm të tij të pyetur nga ShkodraWeb. Ndërkohë, të afërm të doktorit saktsuan se ai do të vazhdojë të jetë pranë Shkodrës e shkodranëve në klinikën e zemrës Dragusha…
Natyrisht, në asnjë rresht nuk kemi aluduar se doktori do të mbetej pa punë. Në asnjë gërmë nuk kemi hamendësuar se Luani nuk do të jepte kontribut për Shkodrën e shkodranët, nëes do të kishte mundësi. Madje, këtë në nisje të “aventurës” në Spitalin Rajonal të Shkodrës, Luani e ka pohuar edhe vetë: “Unë, në radhë të parë, jam shkodran. Jam nga ata shkodranët e vjetër dhe gjithë të afërmit i kam në Shkodër. Pavarësisht se në spitalet private bëhet mjekësi, mendova se në Shkodër do të merrja më tepër sadisfaksion nëse do të trajtoja njerëzit e mi. Ka shumë që thonë se e duan vendin e tyre, por gjithsesi ikin. Ndoshta këtë vendim e marrin për arsye ekonomike, por unë nuk jam në atë nivel ekonomik për të ikur jashtë. Për mua ka më tepër rëndësi marrja e sadisfaksionit kur mjekoj njerëzit e qytetit tim”, do të deklaronte Dragusha.
Mirëpo, ndryshon mënyra se si doktori do të ketë mundësi tani e në vijim, për të dhënë këtë kontribut. Nëse ai ikën në SHBA, e vetmja rrugë është “telemedicina”, dhënia e këshillava e porosive për pacientët me internet por pasi janë ekzaminuar dhe jo nga dora e Dragushës por nga dikush tjetër. Ndërhyrjet për nevojtarët, praktikisht do ta ketë të pamundur ti bëjë.
Është e vertetë që në Shkodër është klinika e zemrës Dragusha. Njerëzit e kërkonin dhe e gjenin në orare të caktuara, pasi ai përfundonte impenjimet në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Por, përtej humanizmit dhe dashamirësisë së Luanit, jemi në terrenin e ofrimit tek një privat, me tarifat që ai ka dhe krejt natyrshëm, janë më të larta se te publiku. Është e kuptueshme, doktori nuk mund të ofrojë shërbime e ndërhyrje falas për të gjithë ata që i trokasin në derë.
Alternativa e fundit, mbase më e besueshmja edhe pse e konsiderojmë të përkohëshme, është punësimi i Dragushës në një spital pribat në Tiranë. Se si fundksionojnë këto spitale, pyetni më mirë hallexhinjtë. Por ndyshimi nga 400 mijë lekë të vjetra në 5.000 euro është mjaft i lartë. Luani nuk ka asnjë mundësi të ofrojë çmime alternative, të cilat gjithsesi, janë shumë, por shumë të larta krahasuar me tarifat në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Dhe nuk po flas për personat me katë shëndeti, të cilët ligjërisht paguajnë diku vetëm 40 mijë lekë të vjetra.
Ja pse besojmë se largimi i Luan Dragushës nga Spitali i Shkodrës, drejt Amerikës, një spitali privat në Tiranë apo edhe thjesht klinikën e tij private, është humbje mjaft e madhe për shkodranët. Por edhe hallexhinjtë që vinin nga ana e anës për të marrë shërbimet e doktorit, por në një spital publik. /Shënim i ShkodraWeb/