Nga Sokol N. SOKOLI
Gjithë këto javë kam ndjekur nga larg fizikisht zhvillimet politike në PD. Nuk jam antar dhe as mbështetës e aktivist i saj. Për shumë arsye por edhe sepse jetoj prej mëse 25 vitesh në emigracion. Në lojë është fati i kësaj partie por edhe i vendit tonë. Dikur, edhe pse tani duket larg, PD do të vijë në pushtet.
Kam bluar me mendje dhe sot po e shkruaj shkurtimisht atë që unë mendoj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i afërt dhe frytdhënës për Shqipërinë. Nga Presidenti Uillson e deri tek Biden, kanë kontribute të rëndësishme për Shqipërinë, shqiptarët e Kosovën. Askush nuk mund ta mohojë ndikimin e SHBA- së edhe në politikën tonë.
Nuk mund të them se Lulzim Basha e ka gabim. Teza e tij, e një personi “non grata” nga SHBA në podiumin më të lartë të PD- së siç është Grupi Parlamentar, qendron. Të paktën në opinionin tim modest. Sali Berisha “non grata” nuk është zgjedhja më e mirë për PD- në, nuk është zgjedhje shumë më e mirë se Basha, edhe pse kritikët e konsiderojnë një humbës përsëritës.
Shqipëria është pjesë e një komuniteti shtetet e kombesh ku fjala e ndikimi i SHBA- ve është jo i vogël. Të gjithë mburremi me përkrahjen e tyre dhe nga ana tjetër, kritikat e SHBA- ve për rivalët tanë politikë, i konsiderojmë jo vetëm të verteta por gati si “fjala e Zotit” në tokë. SHBA- të, në rrethana të caktuara, ofrojnë “kulaçin” e në të tjera “kërbaçin”. Qasja jonë përballë SHBA- ve, duhet të jetë e njëjtë, në të mirë e në të keq, kur na shajnë e kur na lavdërojnë.
Lulzim Basha s’e ka patur të lehtë të pezullojë Sali Berishën. Nuk e ka të lehtë as ti vihet përballë, aq më shumë kur Basha është një nga njerëzit që e njeh më mirë se askush Berishën. Mes të dyve janë 30 vite jetë, eksperiencë që në politikën shqiptare, duket se është e gjitha e mbjellë, kultivuar e përçuar nën shenjën e Berishës në këtë vend.
Lulzim Basha, në kokën e tij dhe pa një presion të jashtëzakonshëm, nuk do të guxonte kurrë ta pezullonte Sali Berishën. Për shumë arsye, por edhe si “babai” i tij politik e shpirtëror, mentori i tij nga 2005- a. Nga presioni, tashmë duket se Basha ka krijuar bindje se veprimi i tij është mëse i drejtë. Sali Berisha duhej anashkaluar, ndoshta duke e hequr nga lista e deputetëve që në 2017- ën. Ai ka pohuar se ka vendosur të parin interesin e Berishës, më pas të vetin e të PD- së në disa raste, me zgjedhjet e vendimet e tij.
Lulzim Basha sot është i bindur se Sali Berisha duhet larguar, mënjanuar nga PD- ja. Ai ia ky hyrë një lufte jo të lehtë edhe pse në librat e shkollës kemi mësuar se kauzat e drejta fitojnë gjithmonë. E kauza e Bashës, në parim është e drejtë. Berisha me gjithë asetet e tij, është më pak i rëndësishëm për PD- në se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fati i Sali Berishës nuk është ekskluzivisht në dorën e Lulzim Bashës. Ndoshta këtë Basha nuk e ka kuptuar në krye të herës apo e ka bazuar çdo gjë në mbështetjen tek SHBA- të. Ai është kryetar i zgjedhur me mbi 80% të votave të antarëve të PD- së me parimin “1 antar, 1 votë” me 13 qershor por antarësia ka të drejtë të ndryshojë opinion, sidomos kur në fushën e betejës zbret Sali Berisha.
Këto javë e muaj treguan se Berisha ka mbështetje. Edhe përballë kërcënimit nga SHBA- të për sanksione ndaj një PD- je me Berishën në krye, demokratët duket se mbështesin këtë 77 vjeçar. Basha nuk mund të tërhiqet më nga kjo përplasje, edhe po të dojë. Ai ka një mision për të përmbushur përballë të ardhmes së PD- së (siç shprehet vetë) por edhe përballë SHBA- ve. Shpresa e tij e fundit duket se janë vendimet e gjykatave shqiptare për ti lejuar vijimin e drejtimit të PD- së. Në politikë, kauzat edhe kur janë të drejta, jo gjithmonë mund të fitojnë. Sidomos kur kalojnë përmes votës. Ky është mësimi më i rëndësishëm i përballjes Basha- Berisha në PD.