Nga Artur ZHEJI
E keni vënë re?! Marshalli, vërejnë edhe formatuesit e gazetave, nuk e ka më atë vetë – sigurinë fodulle!… Atë vetësigurinë pikante dhe plot batuta, ku njomej si kotoleta në vezë të rrahur, për t’u fërguar më pas plot shije…
Ay pra, Marshalli, nuk e ka më, atë hijen e gjatë, që herë i printe përpara dhe herë i vidhej nga pas siluetës së tij të gjatë… Ay pra, ah sa keq, nuk e tërheq më atë harkun e vetullës sfiduese, shoqëruar me atë shikimin e përhershëm nga lart-poshtë dhe vetëm nga lart-poshtë…
Përse tani, Marshalli hijerëndë, i gjithëditur, i gjithëkënduar, i gjithëinformuar dhe gjithëinformues, sikur ka kërrusur ca shpatullat dhe nuk lartësohet më dhe aq?!
Ç’të ketë ndodhur me të, që ne nuk e dimë?!
Përse u nervozua aq shumë në Elbasan, nga capak popull që bërtiti: “Rama ik!”, thënie kjo, e shpikur ndoshta nga vetë ay, Rama, në netët pa gjumë që harxhonte duke trajnuar “Mjaft”-in gjëmëmadh dhe anti Fatos Nano (që me sa kujtoj ishte Shefi i tij asokohe)?
“Rama ik! Rama ik!”, ishte një thirrje që atë dikur e argëtonte, edhe kur kumbonte i gjithë Bulevardi, sepse kishte ndërkohë, një shumicë që ndoshta thosh duke u përtypur në mëdyshje: “Hëmo byrazer, rri dhe ca!”
Por duket se gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë, jo në të mirë të Marshallit!…
Sepse, edhe këta të “mëdyshjes”, që në shqip-shqip do të thotë të ndarë “më dysh”, e pra të dyzuarit, sikur po mbajnë nga Luli dhe nga Opozita, përditë e më shumë…
Sondazhet thonë kështu, gjithmonë e më shpesh, pis milet!…
Përse ka shpërthyer pra, në një fushatë negativiste?! Mos ndoshta kështu ndryshohet loja? Ka vallë rrëshqitje edhe më të forta të sondazheve, që ay i di, dhe ne nuk i dimë?
Ah, çfarë mërzie, çfarë boze dhe çfarë bloze jo artistike, do të jetë politika kur ai të mos aktrojë më! (Dhe duket se si aktor shkëlqeu dhe më shumë se si piktor!…)
Dhe ky largimi i tij i trishtë, nga skenë e parë e politikës, ajme, duket se po ndodh me shpejtësi, me aq shpejtësi saqë nuk po gjejmë dot, kohë të përgatitemi psikologjikisht!
Sepse shpesh mendojmë: “Mos vallë po bëjmë një gabim të rëndë kolektiv, që po e lemë vërtetë të ikë nga Kumanda e Përgjithshme, Marshallin e Gjatë?”
“Aktorin virtuoz, që na bëri të harrojmë dhe shpërthimet e Berishës në Kuvend?!” Ah, sa gjynah do ishte sikur të pendoheshim!!! Ay, Marshalli do na kthente krahët për të na ndëshkuar përgjithmonë!