Në fund të fundit e vit pas viti, Dielli me shoshë nuk mbulohet dot për gjithë jetën. Deklaratizmi i shpërlarë, apo përbetimet e rrejshme të opozitarizmit politik shqiptar, deklarata pra të fryra, të cilat rregullisht, ditë pas dite e vit pas viti, nuk ndiqen nga veprimet, por ngelen në ajër, kanë krijuar një pështjellim të madh.
Pështjellim, e thashë në mënyrë delikate, por fjala e duhur, do të duhet të ishte: “Mosbesim i thellë” në fjalët e tyre, që në të vërtetë, është “karburanti” më i mirë i harbutërisë qeveritare.
Nëse përgënjeshtrohesh njëherë, ta falin, nëse përgënjeshtrohesh dy herë, rrudhin buzët, por nëse përgënjeshtrohesh dhe vetëm përgënjeshtrohesh, njerëzit, ata të pakënaqurit që dhe janë shumica, mbyten në zhgënjimin dhe trishtimin e tyre dhe rrinë në shtëpi.
Kriza e thellë e opozitës, pafuqia dhe shpesh hipokrizia e saj, të cilën Km-ja e bën qëllimisht të dukshme, përherë më të dukshme, jep guxim, vrull dhe pordhë në krahun tjetër.
Shembja e Teatrit Kombëtar, nga ana teknike dhe urbanistike, nuk ishte fare i nevojshëm të ndodhte në këtë periudhë dhe ndoshta asnjëherë.
Por Km-ja, ay, të cilin e rrëfejnë me gisht si “frikacak!” dhe që frikacak nuk është, kishte një gudulisje të brendshme dhe një tundim të papërmbajtshëm për të póshtëruar atë fare pak fasadë të mbetur të opozitarizmit shqiptar.
Dhe e bëri në mënyrë spektakolare, duke kaluar mbi “trupat e opozitës” që nuk pati dot as idenë dhe as ngriti dot një çadër, të një ngujimi të vërtetë, nëse e kishte edhe ajo, seriozisht dhe pa komplekse “Çështjen e Teatrit!”
Aty duhet të fillonte “Përleshja!” jo në dyshekët me pupla dhe në mënyrë imagjinare.
Por puplat dhe ushqimet e zgjedhura, llastimet dhe udhëtimet, të shijuarit e jetës dhe Misioni Opozitar, janë dy gjera që nuk përputhen!
Nuk e di më, se cila është “paradigma” juaj, politikanë opozitarë, por mos merrni më përsipër “kauza” të mëdha, kur nuk keni këllqe ti mbani, se merrni në qafë ata që ju ndjekin dhe që rregullisht i çorodisni.
Rrëfehuni pra, të paktën më modestë se jeni bërë për t’ju qarë hallin. Miqësisht jua them.
Heshtni! Sepse kur flisni, duhet të dini, a keni apo jo takat të bëni, ato që thoni! /Nga Artur ZHEJI/