Sektori i ujësjellës dhe kanalizimeve pësoi një reformim të fortë menjëherë me bërjen e reformës territoriale dhe administrative në 2015-ën.
Kjo reformë bëri që SHA-të e Ujësjellësave të transferoheshin në pronësi të bashkive. Kjo ishte një qasje e mirë dhe qëndronte në frymën e decentralizimit dhe forcimit të rolit të bashkive mbi këto ndërmarrje, me qëllim shërbim sa më të mirë për qytetarët. Por, ajo që u vu re gjatë një periudhe 8 vjeçare ishte se sistemi në tërësi dhe vetë organizimi i këtyre SHA-ve nuk solli rezultatet që priteshin nga reformimi.
Qeveria e pati premtuar dhe siguruar se ky sektor është drejtë përmirësimit, dhe disa herë ndërmori disa aksione me emrin “reformin të sektorit”. Sërish, asnjë rezultat ashtu siç pritej, ndwrkohë burimet e financimit nga drejtime të ndryshme në sektor (në të 58 SHA-të e ujësjellësave në të 61 bashkitë) vazhdonin rridhnin në tubat pa ujë.
Ndërmarrjet e ujësjellësave nuk performuan siç duhet për të siguruar shërbimin për të cilën ishin krijuar dhe egzistonin – ujë në sasi dhe cilësi.
Këto nuk gjetën kurrë modelin ekonomik si ndërmarrje tregëtare me interesa publike, nga njëra anë, por nga ana tjetër u kthyen si ndërmarrje punësimi. Për vitin 2021 në të 58 SHA-të e ujësjellës kanalizimeve kanë qënë të punësuar 8,450 persona.
Nderkohë që furnizimi me ujë në shkallë kombëtare është në kufirin më të lartë mesatar, 8.5 -14.5 orë në 24 orë. Në zona rurale dhe periferi akoma dhe më keq. Ndërsa norma e ujit pa të ardhura është 65.5%, norma e arkëtimit 71,78%, ndërkohë ka pasur një rritje të konsumit të energjisë elektrike që për vitin 2021 shënoi 1.18 kwh/m3. Sektori për vitin 2021 ka konsumuar 125 mln euro investime nga qeveria dhe donatorët.
Por, ajo që është më e keqja janë humbjet financiare dhe borxhet e kompanive. Këto janë të ndara në tre grupe kryesore.
1-Detyrime ndaj OSHEE për viitn 2021 arriti në masën 100 mln euro.
2-Detyrime ndaj ministrisë së financave 65 mln euro
3-Debi ndaj operatorëve të tjerë 28 mln euro.
Pra, veç performancës administrative të ulët këto ndërmarrje janë në pikë të hallit me gropa financiare që kanë mbi vete. Këto mjete financiare dhe të tjera kanë rrjedhur nëpër tubat që kanë sjellë pikat e ujit në çezmat e qytetarëve.
Koha për të ndërhyrë. Tani më jo me aksione për të ndërprerë lidhjet e paligjshme, por me ndërhyrje ligjore, institucionale, organizative dhe strukturore e financiare.
Modele organizimi dhe praktika ka, dhe vullneti i shumëpritur nga të gjithë erdhi. Qeveria ka ndërmarrë reformimin e këtij sektori. Këshilli i ministrave ka përgatitur një projekt-vendim mbi politikat për riorganizimin e këtij sektori.
Çfarë përmban dhe përbën ky riorganizim?
Në thelb qëndron modeli i rajonalizimit të shërbimit me anë të agregimit të ndërmarrjeve të SHA-ve që vijnë si bashkim i disave të tilla në çdo bashki dhe krijimin e ndërmarrjeve të mëdha si subjekte me kompetenca të përbashkëta. Projeksioni çon në krijimin e 15 SHA-ve rajonale nga 58 SHA që ka sot.
Ajo që bie në sy në këtë reformim është fakti që bashkitë do të jenë aksionerë, por fuqia e tyre ështe e kufizuar. Sot, transaksionet e ujësjellësve zotërohen në masën 100% nga 61 bashkitë ku ato ushtrojnë aktivitetin, ndërkohë që sipas propozimit të qeverisë, Njësitë e Qeverisjes Vendore, që do të lidhin marrëveshje për riorganizimin e shoqërive që janë në pronësi të tyre do të zotërojnë jo më shumë se 49% të aksioneve. Pjesa prej 51% do t’i kalojë ministrisë në rastet kur ajo do të jetë aksionere.
Kjo, nga njëra anë çon në nota centralizimi edhe pse qeveria mund të justifikojë këtë me faktin se është ajo që merr përsipër situatën e keqe financiare që mbajnë SHA-të edhe pas riorganizimit. Duhet parë nëse në përballjen “centralizim” perkundrejt decentralizimit për këtë reformë kush do të fitojë. Por refoma kërkon para – ku do të gjenden?
Sipas të dhenava nga Agjensia Kombëtare e Ujësjellës dhe Kanalizimit, burimet e pritshme për të zhvilluar këtë reformë do të sigurohen nga: qeveria shqiptare 190 mln euro, Agjensisë e Bashkëpunimiz Japonez 19 mln euro, Banka Gjermane KFW 142 mln euro, Banka Botërore 80 mln euro dhe Agjensia Franceze për Zhvillim AFD 60 mln euro.
Pas këtyre mjeteve finanaciare që kanë rrjedhur dhe burojnë, le të shpresojmë që në çezmat e qytetarëve të mos kemi ujë me pika, por të pijshëm dhe të rrjedhshëm në 24 orë. /Nga Nga Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Monitor.al/