Beteja është spostuar në media. Ato tradicionale dhe ato sociale. “Loja” është ndezur, “gara” është shumë e fortë. Zyrat apo grupet e propagandës dhe komunikimit janë tendosur në maksimum. Kryefjalë janë Berisha dhe Rama. Jo rrallë, por jo me të njëjtin ritëm edhe Meta.
Është e vështirë të besohet se Sali Berisha është 78 vjeçar. Askush nuk mund ta besojë se mes këtij politikani dhe Edi Ramës, janë plot 20 vite diferencë. Ilir Meta edhe më i ri, i lindur 25 vjet pas Berishës. Dita e Berishës nis herët dhe përfundon vonë. Gjykuar edhe nga daljet publike e rrjetet sociale.
Lulzim Basha, 30 vjet më i ri si Berisha, nuk ka patur as gjysmën e agjendës publike të tij. Ish- kryeministri, në hyrjen e tij të tretë në skenën politike (1992, 2005 dhe 2021) po verteton se mosha është thjeshtë dhe vetëm një numër.
Berisha siç edhe Rama, po lëviz kudo, në mbarë vendin. Kryeministri e ka më të lehtë, me një skuadër të stërmadhe dhe të mirëkoordinuar, paguar me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Ish- kryeministri, ka natyrisht një staf më të vogël, me gjasë më pak të paguar por duket mjaft i organizuar, efikas dhe i përkushtuar. Ilir Meta përpiqet të mbajë ritmin, edhe pse duket se e ka të vështirë, për shumë arsye.
Berisha ka rikthyer vëmendjen e mediave ndaj tij. Edhe numrat e rrjeteve sociale, i japin të drejtë. Është “kokë më kokë” me Edi Ramën, kryeministrin në nisje të vitit të 10 të pushtetit të tij. Ilir Meta kërkon shkëlqimin, pas 5 viteve protagonizën në krye të shtetit. Por sigurisht, i mungon ajo që Berisha dhe Rama e kanë, i pari karizmën dhe i dyti oratorinë.
Berisha është i parashikueshëm, ngjit me nofkat e shprehjet e tij. Godet me fraza dhe fjalët mbeten në mendje. Jo rrallë kthehen në batuta që dëgjohen në eter apo përsëriten të shkruara në rrjete sociale. Rama nuk e ka humbur shkelqimin e dikurshëm të batutës, edhe pse arroganca shfaqet më shpesh në takimet e tij.
Berisha lshtë konkret, godet “pa mëshirë”, sidomos tek tema si korrupsioni, papërgjegjshmëria, abuzimi, shpopullimi. situata e rendit. Rama është perqendruar tek “non grata”, “opozita e rublave”, problemet brenda vetë PD- së duke tentuar të mbajë në këmbë tema e çeshtje të shtrira në kohë jo me muaj por me vite.
Berisha është i mirëpritur përballë audiencave publike. Nuk mund të them i dëshiruar. Ndryshe nga Basha, u thotë njerëzve atë që duan të dëgjojnë jo thjeshtë atë që u duhet thënë. Rama kërkon tu imponohet me vizionin e tij, i fton ta ndjekin në idetë e tij që në shumë raste, janë para kësaj kohe që jetojmë. Sigurisht, nuk është largpamës, më shumë pragmatist.
Të dy, Berisha dhe rama po ecin drejt finishit. Ky finish është 14 maj 2023. Aty, secili do të marrë edhe “shpërblimin”. Aty do të verifikohet edhe efikasiteti i asaj që shohim sot në media tradicionale e rrjete sociale. Fitorja e Ramës, pavarësisht se përballë Berishës, do të ishte vijimësi e 2013- ës. Ajo e Berishës ndaj Ramës, do të ishte mrekulli. Për shumë arsye, disa prej të cilave në rreshtat më sipër. Të shkruara dhe mes rardhëve. /Nga Blerti DELIJA/