“Listat e hapura” po trumbetohen prej vitesh si zgjidhje e problemit më të madh të politikës shqiptare: Depërtimi i elementëve krímìnál deri në “tempullin e demokracisë”, parlamentin e vendit.
Po çfarë janë listat e hapura?
Maarrin si shembull sqarues Qarkun e Shkodrës, i cili me sistemin aktual prodhon 11 mandate deputetësh. Deri më sot, renditja e emrave në listat e depozituara në KQZ, ka qenë e ngurtë. Ata që janë rreshtuar të parët në krye të listës, që në këtë moment janë konsideruar deputetë. Kështu, në 2017-ën pesë të parët në listën e PD-së, katër të parët në listën e PS-së dhe të parët në listat e LSI-së dhe PSD-së respektivisht.
Me listat e hapura, përveç garës mes subjekteve e koalicioneve rivale, do të ketë një garë edhe brenda vetë të njëjtit lloj. Kështu, në start, të 11 kandidatët e listës së PD-së, PS-së, LSI-së dhe PSD-së, do të kenë të njëjtat shanse për tu zgjedhur. Ndërsa mandatet i marrin ata që mbledhin më shumë vota brenda votave të subjektit apo koalicionit që i përkasin. Pra zgjedhësit, fillimisht votojnë për partinë apo koalicionin që pëlqejnë e më pas, zgjedhin edhe emrin konkret të atij që kanë qejf ti përfaqësojë.
Pse kjo skemë nuk është më e mirë se aktualja apo të tjerat?
Vazhdoj të jem i bindur se më shumë se çeshtje sistemi, është çeshtje vullneti. Vullneti të atyre që kanë në dorë përpilimin e listave, në rastin e Shkodrës për shembull, listën me 11 emra për çdo subjekt politik. Nëse Rama, Basha, Kryemadhi apo çdo kryetar tjetër, nuk vendos elementë me të shkuar krìmínale në lista, nga mund të futen ata në Kuvend si deputetë?! Sigurisht, nuk kanë asnjë mundësi.
Për nëse ata, kanë synim të vendosin “të fortë” në lista, nga ata që garantojnë vota, a e kuptoni se “lista e hapur” nuk mund ti largojë? Madje, do ti favorizojë. Tipa “të fortë”, futen në lojën e zgjedhjeve me të gjitha mjetet: Nga paratë, shit- blerja e votave dhe e varfërisë, kánòsjet e kèrcénímet, nga votuesit e deri tek grupet e numërimit. Me një përqindje të madhe, pikërisht këta do të rezultojnë “më të votuarit”, rrjedhimisht, do të futen në Kuvend.
Po a ka ndonjë zgjidhje?
Mendoj se po! Emrat e kandidatëve për deputetë, ose të paktën aspirantët për kandidatë për deputet, duhet të bëhen publikë jo më vonë se 6 muaj para datës së zgjedhjeve lokale apo kombëtare. Jo vetëm agjencitë ligjzbatuese por edhe opinioni publik, ka mundësi të bëjë “gjyqin”e tyre. Pas këtij hapi, ai i rradhës mendoj se duhet të jenë primaret. Lista e kandidatëve për deputet ti nënshtrohet votimit të gjërë. Për shembull, për Qarkun e Shkodrës, të votohet sipas 5 bashkive që e formojnë atë. Dhe jo vetëm antarët e X apo Y parti, por të gjithë ata që kanë të drejtë vote. Përzgjedhja e parafundit, ti besohet strukturave vendore të partisë respektove dhe “vulën” t’ja vendosë kryetari me kryesinë në qendër apo instanca të tjera sipas statuteve të partive.
Natyrisht, edhe kjo skemë nuk është 100% e sigurtë se do të pastrojë politikën e lartë.
Në fillim të viteve 2000, një nga miqtë e mijë shkoi si vëzhgues në një palë zgjedhje në Danimarkë. I habitur, ndiqte procesin e votimit dhe më pas numërimin e votave. Një nga antarët e komisionit të numërimit (me tre persona, zëvendësonin njëri- tjetrin vetëm për shkak të lodhjes), duke parë habinë e shqiptarit e pyet. E ky miku im, i thotë çiltër: Si ka mundësi, votohet me laps, procesverbalet me laps, rezultatet e numërimit me laps. A nuk keni frikë se dikush mund të përdorë gomën…!?
Antari i komisionit danez, zgurdudhoi sytë nga habia dhe i përgjigjet: Vetëm ta mendojmë se mund të ketë dikush një ide të tillë, është e paimagjinueshme!
Ja pse nuk është punë sistemi zgjedhjesh. Është punë vullneti politik dhe jo më shumë se 10 vetëve në të gjithë Shqipërinë! Mjafton të bëhen në një mendje dhe… Thënien e Fishtës së madh besoj se e kujtoni edhe në këtë rast! Kaq! /Nga Blerti DELIJA/