Ajo që përflitej, duket ka nisur të plazmohet. Media pranë të majtës dhe jo vetëm, po flasin për emisarë gjermanë të Merkel që kanë zbarkuar në Tiranë. Qëllimi i tyre është testimi i mundësisë së një koalicioni PD- PS për bashkëqeverisjen e vendit nga shtatori, nën shembullin e “Große Koalition” pikërisht të Gjermanisë. Nuk ka dyshime, ka një plan ndërkombëtar!
Në fakt, ideja është artikuluar rregullisht nga Edi Rama para dhe pas 25 prillit ndërsa po me të njëjten këmbëngulej, është refuzuar nga lideri i opozitës Basha. Politika është si ajsbergu, ku vetëm 1/7 shihet me sy. Pjesa tjetër nën ujë, edhe më e rëndësishmja, shfaqet vetëm në momentin e fundit, kur “anija” përplaset me të.
Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, opozita dhe Lulzim Basha kishin nevojë për vijueshmëri të aksionit opozitar. Natyrisht, Basha do të vazhdonte linjën publike anti- Rama, edhe në kuadër të rikonfirmimit të pritshëm që edhe ndodhi në krye të PD- së për herë të tretë radhazi. Pas kryetarit, është zgjedhur edhe Këshilli Kombëtar i ri, organi më i rëndësishëm qeverisës i PD- në mes dy Kuvendeve Kombëtare.
Ky vend, këto 30 vite, ka njohur bashkëpunime e bashkëqeverisje nga më të çuditshmet. Marrëveshjet Berisha- Nano dhe Berisha- Rama. kanë shënjuar fate të miliona shqiptarëve këtej e andej kufirit, siç edhe marrëveshje bashkëqeverisëse Berisha- Meta e Basha- Rama në 2017. Kjo për të kuptuar se nuk ka asgjë të pamundur e të habitshme në këtë vend.
Antarët, simpatizantët e mbështetësit e PD- së, madje edhe një pjesë e të paangazhuarve politikisht, nuk e shohin pozitive një bashkëqeverisje, qoftë edhe të përkohshme, PD- PS. Rreziku që vendi të mbetet pa opozitë, është qesharak, i ngjashëm me “rrezikun anglo- amerikan për Shqipërinë”. Thuajse asnjëherë, asnjë opozitë, nuk ka arritur të jetë pushtet moral që t’ja shkurtojë ditët mazhorancës qeverisëse. Në disa raste, opozitat nuk kanë patur as fjalën si pushtet.
Më pragmatistët, e shohin një bashkëqeverisje PD- PS në interes të vendit, sidomos për integrimin në Europë, reforma reale kushtetuese por edhe si mundësi përfshirje në qeverisje të vendit, në të gjitha nivelet. Pa folur këtu për idenë e “marrjes së kalasë nga brenda”. Do të ishte një pikënisje e mirë edhe për garën e zgjedhjeve vendore, të parakohëshme apo pas dy viteve, në varësi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Lulzim Basha ka qenë dhe mbetet, të paktën deri sot, kategorikisht kundër ndaj një bashkëqeverisje PD- PS. Edhe pse një zgjidhje moralo- politike, në stilin e një “deus-ex-machina” për të gjithë, mund të ishte një kabinet teknik, i mbështetur nga jashtë politikisht. Sigurisht, ka një vështirësi jo të vogël që lidhet me postin e kryeministrit. Qeveri teknike me Ramën kryeministër nuk ekziston dhe ai vështirë të ndahet nga ajo karrige. Përveç se ndonjë plani B, që lidhet me postin e Presidentit të Republikës në shtator.
Në karrierën e tij politike aktive, Berisha ka bërë marrëveshjet më të paimagjinueshme. Por asnjëherë nuk ka kërkuar apo tentuar pushtetin me bashkëqeverisje duke qenë në opozitë. Koherenca e tij është konfirmuar edhe në rastin më të fundit, duke refuzuar me forcë bashkëqeverisjen e propozuar nga Rama.
A është shpallja “non grata” e Berishës një shenjë e presionit të ndërkombëtarëve për bashkëqeverisje PD- PS? Aq më shumë kur askush, as këtej e as andej kufirit, nuk po jep të dhëna e fakte për shkaqet që Berisha u shpall “non grata”. Gjërat shpesh herë lidhen me shkak- pasojë. Me apo pa dashje, ajsbergu i politikës zbulon diçka nga pjesa e tij e padukshme. /Nga Blerti DELIJA/