Dikush në prapaskenë po i luan fijet. As Berisha dhe as Basha në krye. Reflektimi më i qartë kuorumi i munguar edhe në mbledhjen e deputetëve demokratë nga Alibeaj ashtu edhe nga Berisha. Asnjëherë nuk u bënë 26, gjysma e nevojshme për të marrë vendime në emër të forumit më të rëndësishëm, sidomos kur një parti është në opozitë.
Prej kohësh përflitej për një mazhorancë të heshtur brenda Grupit Parlamentar të PD- së. Shumicë që nuk mbështeste publikisht as Berishën dhe as Bashën, sidomos pas dorëheqjes së këtij të fundit nga kryetar i PD- së. Nuk është e vështirë se ka një skenar, ndoshta që në krye të herës e ndoshta i ridimensionuar. Aktor kryesor aktiv është Basha, aktor kryesor pasiv të paktën në nisje, Berisha. Edi Rama është lojtar por edhe përfitues i skemës.
Në shenjestër duket se është Partia Demokratike. Thëniet e lëshuara nga tavolinat e kafeve tek studiot televizive të tipit “partitë që inicuan tranzicionin në vendet komuniste janë shpërbërë”, tregojnë se problemi është pikërisht ky. Partia Demokratike me gjasë, ishte planifikuar të shpërbëhej. Të dilte jashtë pretendimeve për pushtet politik përmes tkurrjes së numrave në Kuvend, zhgënjimit deri në largim e braktisje nga antarët, militantët e mbështetësit, përçarjes në të gjitha nivelet e strukturat.
Sali Berisha zgjodhi rithemelimin, as transformimin e aq më pak shpërbërjen siç mbase dikush e kishte planifikuar. Ishte parashikuar që përballja Basha- Berisha përmes “Foltores”, të sillte një përçarje të thellë. Një kryetar 8 vite radhazi, duhej të kishte mbështetjen e bazës së partisë së tij përballë paraardhësit. Por mbetën të gjithë të surprizuar, edhe vetë Berisha siç e ka deklaruar më shumë se një herë.
Shenjestrimi me “non grata” i Berishës majin e kaluar, në ditët e fundit të kësaj vere zyrtare, u pasua me shenjestrimin e Bashës, me akuza më të rëndë për interesat direkte të vetë Shteteve të Bashkuara. Lobimi rus dhe financimi nga rusët, aludimet të paktën mediatike deri në spiun i Rusisë, janë ku e ku më të rënda se të Berishës. Korrupsion, minim i demokracisë e të tjera, janë ku e ku më pak të rëndësishme për interesat e SHBA- ve, sidomos në këndvështrimin global.
Me gjasë, Basha nuk ia ka dalë të përmushë pritshmëritë pas dorëheqjes, të parashikuara apo të amenduara në skenarin fillestar. Kjo është e thjeshtë të kuptohet. Shkurt, as ai nuk është i përshtatshëm apo i pranueshëm për të qenë në krye të PD- së. PD- ja e ashtëquajtur zyrtare apo e njohur nga Kuvendi dhe KQZ- ja, i ka mbetur në dorë Alibeajt, i cili është emëruar kryetar i komanduar nga Gazment Bardhi, pa mbledhur fare Këshillin Kombëtar siç e parashikon Neni 46 i Statutit të PD- së së kohës së Bashës, pika 4:
“Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.”.
Skenari parashikonte në seri dorëheqjet e të gjithë nënkryetarëve të PD- së që mbledhja e Këshillit Kombëtar të bëhej e panevojshme sepse mgelej vetëm një, ai që do të komandohej nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi. Thjesht një njoftim dhe një dalje publike, i vuri vulën Alibeajt si drejtues i komanduar i PD- së.
Të paktën deri në vitin 2025, Alibeaj mund të jetë kryetar i PD- së që njeh shteti. Ndërkohë, gjykatat nuk janë të detyruara nga asnjë afat që të shprehen lidhur me legjitimitetin e drejtimit të PD- së. Praktikisht, PD mund të mbesë pa një kryetar de facto dhe të njohur nga institucionet e shtetit për një kohë mjaft të gjatë.
Kjo ndodh kur të gjithë, duke nisur me kryeministrin, Kuvendin, gjykatat, KQZ- në, institucionet shtetërore, vetë Alibeaj e dinë se drejtuesi aktual i PD- së së njohur nga shteti, është me legjitimitet shumë të dyshimtë. Bazuar në fakte publike, të njohura e të shpallura botërisht por edhe në procedura ligjore- statutore të cunguara apo të shkelura gjatë zbatimit.
A mund të mos jetë ky një skenar?! Rastësitë, koençidencat, vakumet ligjore dhe statuore të shfrytëzuara, kanë vetëm një qëllim! Pritet që Berisha të lodhet, të dorëzohet dhe të iniciojë një parti tjetër politike. E nëse do të ndodhte, PD- ja pa të, me Alibeaj apo Bashën, praktikisht do të shkrihej, shpërbëhej, për të përmbyllur me sukses skenarin.
Berisha mesa duket ua ka prishur këtë skenar. Nga ana tjetër, gjykata pas shenjestrimit të Bashës, mbase ka më shumë frymëmarrje për të mos e shtyrë vendimmarrjen për legjitimitetin e drejtimit të PD- së kalendat greke pafundësisht. Nëse gjykatat marrin vendim deri në fund të këtij viti, ky vend mund të krenohet se ka opozitë, të paktën de jure. Nëse ndodh ndryshe, i gjithë skenari ka si efekt anësor çimentimin në pushtet të Edi Ramës.
Dhe yjet rrinë e vështrojnë… Në këtë rast shqiptarët, sidomos ata në krahun e kundërt të kryeministrit të vendit! Sa mund të zgjasë pritja? Askush nuk e di, përveç atij/atyre që sipas skenarit, luajnë fijet në prapaskenë. /Nga Blerti DELIJA/