Më duhet të sqaroj që në fillim, që Sokol Berberin se kam takuar asnjëherë personalisht dhe skam njohje direkte me të.
Sigurisht, që e kam njohur atë si profesionist përmes vendimeve, sidomos në ato raste kur ka dalë pakicë, sepse aty kupton (gjithmonë sipas meje) edhe më qartë mendimin e një gjyqtari kushtetues.
Ditët e fundit, teksa shfletoja dokumenta, shkresa, ligje, etj etj, për të kuptuar më shume rreth insistimit të Ardian Dvoranit, për të qëndruar me çdo kusht në karrigen e anëtarit të gjykatës së Lartë, e për rrjedhojë edhe në krye të KED, më doli përpara syve letra e dorëheqjes së Sokol Berberit nga anëtar i gjykatës Kushtetuese në 2017.
Ja çfarë thotë ai konkretisht: “Largimin tim nga detyra e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese e mbështes në arsyet si më poshtë vijojnë: Siç jam shprehur me mendimin në pakicë në vendimin e GJ-së, 41/2012, neni 125 i Kushtetutës, duke vendosur në mënyrë të qartë një kohëzgjatje të caktuar të mandatit kushtetues, përbën një nga faktotët që garantojnë pavarësinë e gjykatës.
Një mandat kushtetues i parashikuar specifikisht në kohëzgjatje shmang rrezikun e influencës dhe presioneve politike ndaj gjyqtarit, duke qenë se këtij të fundit i garantohet kohëzgjatja dhe paprekshmëria e mandatit. Rregulli i vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të gjyqtarit Kushtetues, deri në emërimin e pasardhësit të tij, i parashikuar ne nenin 125/7 të Kushtetutës, garanton mbi të gjitha funksionimin e normal të gjykatës.
Në përputhje me frymën e Kushtetues, qëndrimi në detyrë i gjyqtarit Kushtetues deri në emërimin e pasardhësit te tij, nënkupton respektimin e tre parakushteve: Së pari, organet kushtetues, duhet të ushtrojnë vullnetin e tyre nëpërmjet akteve përkatëse, brenda kompetencave që u janë dhënë nga Kushtetuta; së dyti, këto organe duhet të veprojnë brenda një kohe të arsyeshme, dhe sipas një procedurë transparente ku janë të përcaktuara në mënyrë të qartë afatet kohore të domosdoshme për mbylljen normale të procedurës së emërimit të gjyqtarit të ri; dhe së treti, vazhdimësia e gjyqtarit në detyrë duhet të kuptohet dhe zbatohet si një vazhdimësi, brenda një kohëzgjatje të arsyeshme.
Unë, vlerësoj se deri në këto momente, nuk janë respektuar kushtet e mësipërme dhe nuk ka një situatë të parashikueshme për përfundimin e këtij procesi. Mosveprimi në kohë i organeve përkatëse të ngarkuara nga Kushtetuta, mund të bëhet shkak për krijimin e një ndikimi të papërshtatshëm të gjyqtarët kushtetues. Në këto kushte, duke patur bindjen se vazhdimi i qëndrimit në detyrën e gjyqtarit kushtetues nuk mbështetet në kërkesat dhe frymën e dispozitave kushtetuese përkatëse dhe në përkushtimin për ruajtjen e legjitimitetit dhe të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese, jap dorëheqjen nga funksioni i gjyqtarit Kushtetues”.
Të kthehemi të rasti “Dvorani”. I emëruar në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë në 2005, Ardian Dvoranit, i ka përfunduar mandati në 2014. Prej 6 vitesh, ai qëndron në detyrë pa mandat, duke argumentuar se po zbaton pikë për pikë Kushtetutën dhe ligjin, në pritje të zëvendësuesit të tij. Nisur nga letra e Berberit, kupton se nuk mjafton vetëm zbatimi pikë për pikë i neneve të Kushtetutës, pasi akti themeltar i shtetit ka edhe frymë, që shpesh tejkalon normat e ngurta. Në këto 6 vite kanë rrjedhur shumë ujëra, janë artikuluar akuza dhe kundër akuza mes palëve duke patur në fokus Ardian Dvoranin, duke e çuar atë deri në dyert e SPAK. Personalisht hyj në listën e atyre personave që mendoj se Ardian Dvorani duhet të largohet.
Më këtë nuk u jap të drejtë akuzuesve të tij (në rastin konkret Presidenti Ilir Meta apo dhe të tjerë), të cilët mund të ndodhë të kenë edhe interesa okulte. Po përpiqem ta shoh çështjen pak më gjerë. Është e vërtetë, që jo për fajin e Dvoranit, ai nuk është zëvendësuar nga një gjykatës i ri. Por, kjo nuk i jep aspak të drejtë të zaptojë një karrige. Sepse siç shkruan Berberi: “Mosveprimi në kohë i organeve përkatëse të ngarkuara nga Kushtetuta, mund të bëhet shkak për krijimin e një ndikimi të papërshtatshëm te gjyqtarët kushtetues”. Me të drejtë mua më lind dyshimi, se Ardian Dvorani mund të ndikohet në mënyrë të papërshtatshme në ushtrimin e detyrës. Duke qëndruar në detyrë në kushte të tilla, mes akuzash dhe dyshimesh të forta, qëndrimi i Dvoranit në detyrë, më shumë po e dëmton punën në Gjykatën e Lartë dhe KED, sesa po e çon përpara atë. Por më së shumti po dëmton ecurinë e Reformës në Drejtësi.
“Vazhdimi i qëndrimit në detyrën e gjyqtarit kushtetues nuk mbështetet në kërkesat dhe frymën e dispozitave kushtetuese përkatëse dhe në përkushtimin për ruajtjen e legjitimitetit dhe të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese, jap dorëheqjen nga funksioni”, arsyeton Berberi.
Në fakt, a nuk duhej që edhe Ardian Dvorani të arsyetonte në këtë mënyrë sigurisht në zbatim të Kushtetutës e ligjit? Këtë përgjigje duhet ta japë vetë ai, sikurse duhet të shpjegojë dhe arsyet përse qëndron peng i një karrigeje duke kryer një detyrë dhe “shërbim” ta pakërkuar, siç tha dje në mbledhjen online, një nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Derisa Ardian Dvorani të flasë, një gjë duhet kuptuar: Vërtetë është LIGJI, por është edhe MORALI. Disa zgjedhin të ikin më kokën lart, të tjerë….! /Nga Klodiana LALA/