Dua ta perceptoj protestën e studentëve si një dallgë apo valë të freskët njerëzore që buron nga shpirtrat rinorë, si një rrymë shpresëdhënëse për të gjithë ne njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Kështu dua ta perceptoj, edhe po qeshë i gabuar. Dhe me ç’kam parë e dëgjuar, kështu kanë qejf ta perceptojnë të gjithë të eturit për progres apo edhe revansh (pse jo?), sepse janë një mal me arsye.
Si lindi kjo protestë masive?
Nga shkaku i pikës më të lartë që çon në vlim? Nga ndikimi i stinës së protestave? Nga holizmi? Nëse flasim për pikën më të lartë të temperaturës, a jemi të sigurt se nuk ka pasur në këto vite pikë më të lartë? Për këtë duhet të sjellim kokën pas dhe secili mund të kujtohet dhe të japë përgjigjen e vet. Dhe vërtet, po qe ky shkaku, atëherë protesta e meriton perceptimin tonë fillestar. Por edhe po qe për shkaqe trendi të stinës së protestave, një “sindromë dhjetori”, prapë mirë: pra rroftë muaji i madhnueshëm i protestave! Po qe holizmi shkaku, jemi në rregull sidomos në pikëpamjen e parimeve globale. (Holizmi është uniteti universal, e kundërta e reduksionizmit. Një arsye që solli ngjarjet e viteve ’90 në të gjitha vendet, bashkë me ne.)
Ekzistenca ose mosekzistenca e liderit.
Në fillim protesta ishte ide, pastaj u bë protestë. Ideja nuk mund të lindë njëherësh në mijëra koka. Lind në kokën e një njeriu, që ka idealizëm dhe intelekt më të lartë; dhe për këtë quhet lider; e pastaj përhapet me ndihmën e të tjerëve, sepse është groteske të mendojmë mijëra vetë që zgjohen një mengjes me të njëjtin mendim apo dëshirë dhe të bashkërendohen befas në veprime të sinkronizuara. Pra, a priori, këtu ka një lider qoftë edhe të padukshëm, i cili duhej të shfaqej dhe të ishte krenar për idenë e tij. Mungesa fizike e liderit krijoi dhe po krijon kaos, paqartësi veprimesh dhe shpërdorim energjish. Tiparet e liderit, sado fshehtë të mbahen, u pasqyruan dhe po pasqyrohen në sjelljet, sloganet dhe fjalimet e studentëve.
Së pari, dallohet qartë se një masë e madhe protestuesish, pa paragjykuar asnjë nivel, nuk janë të orientuar qartë në realitetet e tyre të përditshme. Fjala vjen, thuhet se ka pedagogë që u marrin para studentëve për t’i kaluar. Në qoftë e vërtetë, ky lloj pedagogu dhe studenti janë xhelati dhe viktima dhe, si të tillë, nuk kanë pse të marshojnë së bashku vetëm për idealet e njërit. Studentët që shfaqen në këtë pamje absurde duhej ta kishin zgjidhur që në shkollë këtë konflikt, që kam frikë se është më i madhi për realitetin e tyre. Ajo rrëkeja e kristaltë e energjive studentore (siç na pëlqen ta shohim ne), është ndotur e po ndotet, është infektuar e turbulluar nga liderët politikë të opozitës dhe të mazhorancës. Mbrëmë ndodhi dekonspirimi i një pjese të studentëve në farsën televizive të Dudushit.
Kjo pjesë “renegate”, e përbërë nga studentë të majtë dhe vetë ndërhyrja e Ramës me monologun e pafund, oportunizmi i studentëve, karshillëku ndaj opozitës arriti ta lëkundë gjithë masën e protestuesve dhe të ulë ndjeshëm adrenalinën e lëvizjes. Nga ana tjetër, nuk ka simpati as dashuri ndaj opozitës që e shpëton këtë të fundit dhe veprimet e liderëve të saj që shfaqen e zhduken në mënyrat më latente dhe hipokrite para e pas studentëve, duke mbetur të pasqyruar në ato pak veprime të dhunshme të protestuesve dhe në zhargone të njohura liderësh opozitarë apo refuzimit kategorik për dialog.
Por, edhe në pastë filluar e pastër, kjo lëvizje u infektua me veset e politikanëve, të cilët shkarkuan dhe po shkarkojnë përditë shpirtin e tyre të tejndotur mbi këtë masë të pastër të rinjsh që është pjesa jonë më e çmuar dhe që sot dy forcat e mëdha politike e kanë vendosur përballë dy modeleve të tyre respektive.
Kush fiton dhe kush humbet? Fitojnë politikanët, që kanë rrëmbyer gjithçka që ndodhet në Shqipëri, me kastat e tyre të brahmanëve dhe humbasin të rinjtë që, duke mos mundur të shfaqen si një alternativë tjetër, bëhen trashëgimtarët e racës së tmerrshme të politikanëve. Por humbësi më i madh është populli, ajo pjesa që me optimizmin e saj heroik deri në absurd, shpresonte edhe kësaj radhe. Dhe thirrja e Migjenit “Të lindet një njeri” vazhdon deri tani pa përgjigje. /Nga Zija VUKAJ/