Nëse kërkon të pamundësosh reagimet e kundërshtarit, vendose para faktit të kryer. Parimi që përdoret gjërësisht në shumë vende me demokraci të brishtë, po përdoren gjërësisht në Shqipëri nga kryeministri Edi Rama. Pasi mori 140 vota deputetesh për ndryshimet e nevojshme kushtetuese e ligjore për reformën në drejtësi, prej mëse dy vitesh po vazhdon i vetëm atë që presidenti i Republikës e quajti publikisht „Ramaforma“. Në të njëjtin drejtim po ecën mazhoranca edhe për reformën zgjedhore, falë edhe fasadës së krijuar nga “opozita e re“ në Kuvend. Kështu po veprohet edhe me Presidentin e Republikës, i cili po trajtohet me minimumin e mundshëm të respektit, thuajse kemi të bëjmë me një kryetar shteti të zgjedhur nga PD si opozitë apo më keq, sikur të jetë një president me kombësi tjetër.
Kështu ka nisur dhe po vazhdon edhe për „30 qershorin“. Duke mos marrë parasysh dekretet e presidentit Meta për datën e zgjedhjeve, Rama vazhdoi të ecë drejt 30 qershorit, i vetëm dhe sot, i dështuar edhe me fasadën që u përpoq të krijojë me „BD“-në e Patozit, i cili ka ankimuar zyrtarisht në KQZ. Nuk po e kundërshton në asnjë rresht, as ai dhe as ndonjë eksponent i mazhorancës se „Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për kushtetutshmërinë e dekreteve të presidentit“, siç deklaroi Glover e ODIHR.
Por, pavarësisht se ka minimalisht dyshime për paligjshmëri për 30 qershorin si datë e zgjedhjeve, meqenëse ato u realizuan, duhet që kryebashkiakët e dalë nga votimi, të marrin pushtetin. Kjo, në kushtet kur nuk ka një afat se kur mund të formohet Gjykata Kushtetuese pas një jave, pas një muaji, pas një viti apo tre viteve. Me këtë logjikë, teksa kjo gjykatë është e asgjesuar prej gati 32 muajve, i bie që kryebashkiakët e dalë nga 30 qershori, mund edhe të përfundojnë mandatin pa u vlerësuar kushtetutshmëria e dekreteve presidenciale. Nga ana tjetër, përpara është një datë tjetër zgjedhjesh vendore, pikërisht pas një dekreti presidencial.
Me logjikën e raportit të OSBE/ODIHR, ai është në fuqi dhe mund ta gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese. Nëse deri atëherë, kjo trupë nuk formohet, shqiptarët kanë të drejtë të votojnë edhe me 13 tetor 2019. Atëherë i bie që kryebashkiakët e rinj, të marrin zyrën me 10 gusht dhe ta dorëzojnë me 13 tetor, nëse nuk fitojnë.
Skema e Edi Ramës është e qartë. Aq më shumë, kur KZQ investohet të zbatojë me „kreativitet“ Kodin Zgjedhor e ligjet, madje edhe duke rrëzuar me arsyetim dekretin e presidentit, siç edhe Kolegji Zgjedhor bëri. Me dy institucione si Kuvendi dhe KQZ, Rama i realizon zgjedhjet atëherë kur ai mendon apo pelqen dhe nëse ia del të shkarkojë Metën dhe të emërojë një president- kukull, i mungon vetëm kurorëzimi si mbret i Shqipërisë! Sa mendohet i urti, budallai ka kryer punë. /Shënim i ShkodraWeb/