KF Vllaznia i tronditur nga eliminimi në Conference League! Konstatohet lehtësisht përmes rrjeteve sociale. Njoftimi i fundit është ai për ndeshjen me Valur. Asnjë foto, asnjë njoftim për rezultatin përfundimtar. Ndryshe nga ndeshja e parë, e cila pati një jehonë të gjërë pas barazimit 2- 2 në islandë. Në këtë moment që po shkrujmë këto rreshta, postimi i fundit në faqen e Vllaznisë në Facebook është bërë para 15 orëve.
Është e qartë se presidenti Alban Xhaferi por edhe pjesa tjetër e klubit kuqeblu, nuk e kanë kapërdirë këtë katastrofë. Sepse vetëm e tillë mund të përcaktohet. Do të ishte normale të mundeshe, edhe në “Loro Boriçi” po jo me këtë rezultat, jo me lojën zhgënjyese që u pa në fushën e blertë dhe nga të gjitha repartet, nga të gjithë lojtarët.
Mungesë totale impenjimi se për shpirt ka kohë që nuk mund të flasësh tek Vllaznia. Paratë që merren përmes kontrateve janë të rëndësishme, fanela legjendare nuk ka më vlerë. Futbollistët kanë harruar se brezat para tyre, nuk guxonin as të dilnin në Piacën shkodrane pas humbjeve, sidomos në “Loro Boriçi” që për shumë e shumë vite, konsiderohej kështjellë e papushtueshme.
Direkt ose indirekt, shkarkimi i trajnerit Qatip Osmani dhe ri- punësimi i Thomas Brdariç, u justifikua në emër të një paraqitje më dinjitoze pikërisht në Kupat e Europës. Në emër të kësaj, “u harrua” se Osmani e mori në fundin e tabelës, i siguroi pjesëmarrjen në “Final Four” dhe madje, mbajti gjallë shpresln për vendin e parë në Superligë për shumë e shumë javë.
Në rrjete sociale, tifozë të thekur të Vllaznisë, të cilët janë rritur e po plaken në shkallët e stadiumeve shqiptare pas kësaj skuadre, aludojnë për “pisllëk”. Kërkohet hetimi nga UEFA, sepse u duket i pamundur jo thjesht eliminimi por rezultati i thellë dhe loja e dobët e ekipit. Sepse janë këta tifozë që kanë duatrokitur edhe Vllazninë në humbje, siç edhe mysafirët kur e kanë merituar fitoren, edhe në Shkodër.
Ky sezon për Vllazninë, është deshtim total. Në aspektin financiar të mbajtjes në nivele të larta të trajtimit të futbollistëve, presidenti Alban Xhaferi është dëmtuar rëndë. Kualifikimi me Valur do të shtonte rreth 350 mijë euro në buxhetin e kuqebluve. Xhaferi ka një dilemë jo të vogël. Pas kësaj katastrofe, shkarkimi i të gjithë stafit teknik, do të ishte një lëvizje logjike. Megjithatë, me 18 gusht starton Superliga, merkatoja nuk ofron shumë, sidomos me mundësitë e vogla financiare pas eliminimit nga Conference League. Pritshmëritë e tifozëve janë të larta, në pritje të titullit të 10- të. Pak kush do të dëshironte të ishte në vendin e Xhaferit në këtë moment, edhe pse në Shkodër, për presidentë dhe trajnerë mund të jenë të gatshëm të gjithë! /ShkodraWeb/