Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka mohuar dje se ka dërguar në Prokurori emra lojtarësh apo ish-lojtarësh të Vllaznisë për trukime ndeshjesh për sezonin e kaluar. Kryebashkiakja i ka quajtur shpifje. Megjithatë, burimet nga mbledhja e zhvilluar një ditë më parë tregojnë të kundërtën.
Disa zëra të ndryshëm, konkretisht më shumë se pesë burime, konfirmojnë të njëjtën gjë se kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka deklaruar në mbledhje se ka bërë padi në Prokurori për lojtarë të ndryshëm. Megjithatë, deklarata e kryebashkiakes është bërë vetëm për presion, sepse s’mund të ketë arsye tjetër.
Në Prokurorinë e Shkodrës, burime bëjnë me dije se nuk ka asnjë çështje të regjistruar në lidhje me lojtarë të dyshuar për trukime. Në këtë mënyrë, kryebashkiakja ose është nxituar në deklaratën e saj duke qenë emocionale, për shkak të situatës së vështirë, ose e ka thënë për të bërë presion. Kjo nuk është një shpifje, siç Ademi pretendon, dhe mbetet në moralin e saj mohimi i një të vërtete të thënë dhe deklarata e bërë minimalisht para 8-9 personave.
PADIA
Kryebashkiakja në deklaratën zyrtare tha se e vetmja padi që ka bërë në Prokurori është për qendrën shqiptare të ndërmjetësit dhe arbitrazhit MEDART për shkak se ka marrë një vendim pro “Gea Sport”, duke thënë se Vllaznia i detyrohet 74 mijë euro kompanisë që kishte presidencën e kuqebluve para pak kohëve.
Në fakt, urdhrin e ekzekutimit për bllokimin e llogarive e ka lëshuar Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe jo MEDART. Ajo që ka ndodhur është se “Gea Sport” vendimin e MEDART e ka dërguar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka konstatuar se vendimi i MEDART është i rregullt dhe se Bashkia Shkodër duhet ta ekzekutojë këtë vendim, pra të paguajë shumën prej 76.600 euro.
Është Gjykata që e ka përcaktuar. Kryebashkiakja nuk tregoi se kur është bërë seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës, pse nuk ka marrë pjesë për të thënë këto gjëra që pretendon dhe pse është lejuar që vendimi i Gjykatës të marrë formë të prerë, duke mos pasur mundësi për ta ankimuar në Gjykatën e Apelit.
KLSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të bërë në klubin e Vllaznisë, nxori në pah shkelje, abuzime dhe vendime të kundërligjshme që shkojnë në miliona lekë apo euro. Pasi KLSH ia dërgoi bashkisë auditin e bërë, kjo dosje është dërguar edhe në Prokurorinë e Shkodrës.
Tashmë kjo çështje nuk ka qëndruar në heshtje dhe shumë shpejt pas hetimeve mund të ketë persona, drejtues aktualë apo edhe të mëparshëm që mund të ndiqen penalisht mbi shkeljet që janë bërë dhe që KLSH i ka gjetur. Burime pranë Prokurorisë së Shkodrës të rezervuar shprehen se, në një hark kohor të shpejtë, mund të ketë arrestime.
BORXHET
Vllaznia ka 356 milionë lekë të vjetër sigurime shoqërore dhe shëndetësore që nuk janë paguar për lojtarët në një periudhë 3-vjeçare kur është bërë auditi nga KLSH. Nëse kjo mund të kalohet me një gjobë dhe klubi nuk është i detyruar të paguajë krejt shumën, janë 231 milionë lekë të vjetër një tjetër detyrim që Vllaznia u ka lojtarëve që është tatim në burim i të ardhurave që nuk janë paguar.
Kjo shumë nuk është e kontabilizuar në Tatime, pra e padeklaruar. Para pak kohësh, administratori Astrit Gjyrezi deklaroi se klubi Vllaznia ka një marrëveshje me Tatimet për këto 231 milionë lekë të vjetër. Në fakt, kjo është e pavërtetë, sepse klubi Vllaznia ka një marrëveshje vetëm për 76 milionë lekë të vjetër dhe jo për 231 milionë.
Nga ana tjetër, marrëveshja me Tatimet ka qenë për periudhën mars 2016-shkurt 2017, kurse deklarata e administratorit është bërë në muajin prill të këtij viti. Kjo do të thotë se për 2017-ën nuk ka një marrëveshje me Tatimet, të paktën deri më 3 maj të 2017-ës, kur vetë klubi informon se e vetmja marrëveshje është ajo për 76 milionë lekë të vjetër deri në shkurt të 2017-ës. Ndryshe deklarojnë publikisht dhe ndryshe flasin dokumentet.
PRIVATIZIMI
Përveç këtyre borxheve, Vllaznia ka edhe 170 milionë lekë të vjetër që janë marrë në mënyrë të kundërligjshme si hua dhe 45 mijë euro, të cilat nuk janë kaluar për miratim në Këshillin Bashkiak, si i vetmi organ që ka kompetencën e huamarrjes. Këtu duhet shtuar edhe detyrimi prej 76.600 euro ndaj “Gea Sport”.
Për të mos mjaftuar, klubi Vllaznia nuk përballet asnjëherë me të vërtetën. Këtë e faktojnë dy dokumente të thjeshtë. Një kërkesë e bërë se sa është pagesa që merr secili prej anëtarëve të bordit, përgjigjja është 0 lek secili prej tyre. Përgjigjja ka ardhur në mars të 2017-ës, por një tjetër dokument në janar të 2017-ës tregon se anëtarët e bordit paguhen me 10% të pagës bruto të administratorit që i bie rreth 80 mijë lekë të vjetër në muaj.
Mungon një plan masash, ndërsa nuk ka filluar as procedura për privatizim, sepse mungon një dokument zyrtar, edhe pse fondi për këtë proces është përcaktuar. Nga ana tjetër, kryebashkiakja ka dy vite që ka deklaruar se do të bëhet privatizimi, por praktikisht këtë proces nuk e ka avancuar.
Kryebashkiakja nuk zgjidh asgjë duke mohuar vetveten dhe ato që thotë në mbledhje apo duke bërë presione se ka denoncuar lojtarë në Prokurori, kur në fakt organi i akuzës po heton mbi drejtues dhe ish-drejtues dhe askënd tjetër. Nëse Vllaznia vijon të trajtohet në këtë mënyrë, shumë shpejt do të vijë edhe fundi i saj i hidhur që nuk do të dëshironte askush.
Fshehja e të vërtetave nga bashkia nuk është zgjidhje. Në të kundërt ftojmë bashkinë të bëjë publike protokollin e mbledhjes, gjë të cilën në konferencë për shtyp kryebashkiakja e refuzoi. E gjithë kjo situatë dhe ky kaos ndikon drejtpërdrejtë te Vllaznia, duke bërë që e ardhmja të jetë në udhëkryq./panoramasport/