“Është një brez që jeton futbollin nëpërmjet Instagramit, të papërgjegjshëm.”, me këtë shprehje trajneri i Vllaznisë Migen Memelli, u përpoq të justifikonte përveç “argumenteve” të tjera, humbjen në Kukës për Superligën. Po ashtu, Memelli lëshoi edhe një deklaratë tjetër “Detyra ime si trajner është të marr përgjegjësitë, por edhe të çoj lojtarët te porta dhe janë ata që duhet të fusin topin në rrjetë…”. E si “si qershia mbi tortë” erdhi krahasimi përçarës në ekip “Nuk e perceptoj në trurin tim që Bekim Balaj stërvitet 33 vjeçar më shumë se një 17 apo 18 vjeçar”.
Sigurisht, njerëzit gjykohen nga ajo që nxjerrin nga goja, në rastin e futbollit, edhe nga rezultatet konkrete. Ajo çfarë ke në kokë, nuk materializohet, nuk artikulohet me fjalë, me shumë gjasa nuk kuptohet as nga futbollistët në stervitje a ndeshje zyrtare e çfarë është më e rëndësishmja, nuk sjell produkt, që në sport është gjëja më e rëndësishme. Problemi i kësaj Vllaznie, ndoshta edhe i Vllaznisë së viteve të fundit, sidomos pas largimit të gjermanit Brdaric, është se nuk po prodhohet as lojë e bukur.
Gjatë historisë së saj mëse 100 vjeçare, Vllaznia ka fituar por edhe ka humbur, siç është krejt normale. Por edhe kur ka humbur, spektatorët në tribuna apo para televizorit, kanë duartokitur lojën e bukur, grintën por edhe “marren” e futbollistëve për të dalë në Piacë pas një humbje. Kohët kanë ndryshuar, rënjësisht e thellësisht. Këtë sezon, është ndërtuar një Vllazni modeste, me pak shpenzime por me pretendime për tu rreshtuar në 4 vendet e para që diskutojnë titullin në “Final 4”. Nga këtu, duhej të niste apo duhet të nisë edhe sot arsyetimi i trajnerit Migen Memelli, i cili mesa duket arritja e vetme e tij këtë sezon tek Vllaznia, do të jetë shënimi në CV- në e tij se ka qenë trajner i kuqebluve.
Përveç merkatos me emra modest, pa shpenzuar shumë lekë, Memelli është përballë edhe me mungesa në kontigjentin e tij. Për shkak dëmtimesh apo kartonësh, pak rëndësi ka por thuajse në asnjë nga 10 ndeshjet e deritanishme, nuk ka patur në dispozicion të gjithë grupin e formatuar në merkaton e verës. Por a është ky justifikim për 12 pikë nga 30 të mundshmet? Mendoj e gjykoj që jo. Trajneri është arkitekti, njësoj si për çdo sport tjetër, edhe në futboll. Cilësitë individuale duhet ti kombinojë e përshtasë në funksion të skuadrës për të arritur rezultat. Nëse nuk ia arrin, nuk merr rezultate, trajneri “hap krahun” dhe jo futbollistët.
Natyrisht, Migen Memelli e dinte së merkatoja e verës do të ishte modeste, me kosto të reduktuara, rrjedhimisht pa lojtarë që bëjnë diferencën në Supeligë. Pyetja më logjike në botë: Pse pranoi të marrë drejtimin e Vllaznisë?! Pyetje që sot e bëjnë ndoshta qindra apo mijëra tifozë të Vllaznisë anëkënd botës. Mjeshrat e kuzhinës e thonë qartë: Me miell picash është e vështirë të bësh ëmbëlsira cilësore! Aq më shumë kur Vllaznia, është një emër shumë i madh, me të cilin akoma nuk ia kanë dalë të barazohen as futbollistët e as trajnerët më të mëdhenj e të suksesshëm të këtij vendi. Pa harruar se, ndryshe nga ekipet e tjera, Vllaznia ka edhe tifozerinë jo vetëm më të zjartë por edhe më eksperte teknikisht.
Të identifikosh problemin tek Instagrami, është tregues i qartë se Migen Memelli nuk komandon më skuadrën e tij. Ekipi i ka ikur nga kontrolli. Madje, jo vetëm “big”- ët 33- vjeçarë, por edhe 17- 18 vjeçarët, që sipas tij nuk sterviten si duhet. I kujt është faji që nuk sterviten siç duhet? Mos ka faj presidenti Xhaferi, drejtori Plori apo ndonjë zyrtar tjetër i Vllaznisë? Përgjegjësia e parë dhe direkte është e trajnerit. Arsyet mund të jenë të shumta por ajo që është e dukshme, Memelli nuk motivon më ekipin. Krahasoni pak grintën e Brdaric me atë të Memellit, komentet e tjera janë të tepërta.
Në disa raste, është artikuluar problemi i rrogave të prapambetura të futbollistëve. Edhe pse nuk ka informacione zyrtare, mbase ka të verteta brenda hamendësimeve në rrjetet sociale. Por mos harroni, ka skuadra që janë shpallur kampione dhe kur ngrinin kupën lart në qiell si fitues Superlige, shpresonin të merrnin rrogat. E kjo ka ndodhur në Shqipëri, madje edhe vitet e fundit. Sigurisht që edhe futbollistët kanë nevoja ekonomike, por më të mëdha i kanë trajnerët e Akademisë, sepse edhe rrogat i kanë shumë më të ulëta. Por ata vazhdojnë të stërvisin, të prodhojnë e evidentojnë talente papushim.
Sapo ka nisur faza e dytë dhe me humbje nga Vllaznia. Në një ndeshje që siç shkoi, duhet të siguronte 3 pikë. Alban Xhaferi nuk e ka të lehtë të ndryshojë trajner në këtë moment. E vështirë të gjendet një i duhur në këtë periudhë që të premtojë ringritje me një grup që e gjen të formuar e ndoshta as në janar, nuk ka mundësi ta përforcojë me afrime cilësore. Edhe të shkëputet nga Elvis Plori, i cili në qarqe specialistësh, gazetarësh por edhe brenda vetë Vllaznisë, po shihet si përgjegjësi i situatës aktuale te kuqeblutë.
Por në finale, Alban Xhaferi duhet të bëjë llogaritë. Fillimisht financiare sepse tashmë paratë i hedh ai për Vllazninë. Më pas, edhe për pjesën sportive, të rezultateve, të cilat nëse arrihen, janë garanci e mirë edhe për financat e sezonit që vjen. Ndërsa jemi në çerek të rrugëtimit të Superligës, duhet që Xhaferi të bëjë zgjedhje të fortë. Shumë i kërkojnë largimin e Memellit, jo pak i kërkojnë largimin e Plorit. Të tjerë i kërkojnë largimin e të dyve nga drejtimi teknik i ekipit. Vendimin e di dhe mund ta marrë vetë Alban Xhaferi. Ndërkohë, ajo që po ecën kundër tij dhe Vllaznisë, është koha. Edhe përmbushja e objektivave të sezonit. /Nga Blerti DELIJA/