Pas Habilajve si “kushërinj të largët”, në skenë dalin tashmë edhe dy ish- shoqërues të ish- ministrit të brendshëm, i dënuar jo në formë të prerë vetëm për “shpërdorim detyre”. Askush nuk mund të mohojë të drejtën e një “rastësie” tjetër. Pavarësisht se në grupin e shoqërimit, pra shumë, po shumë afër ministrit të brendshëm, ai nuk mund të ketë patur dijeni.
Pak a shumë si në rastin e makinës së shitur kushërinjve “të largët”, të cilën e mbajti në emrin e tij si ministës, sepse rrezikonte gjobë nëse deklaronte të ardhurat nga shitja e makinës. Makina, e cila u përdor disa herë për lëvizje të dyshimta brenda e jashtë vendit, përmes anashkalimit të kontrolleve në dogana.
“Rastësi” dhe këtë nuk e luan as topi, edhe pendimi i 4 bashkëpunëtorëve tashmë të drejtësisë, të cilët identifikuan pikërisht dy ish- shoqëruesit e ish- ministrit të brendshëm e pas tyre, një prokuror që e kishte ëndërr të bëhej pjesë e SPAK. Siç ndodh në shumë shtete të tjera, me grupe të strukturuara kriminale të organizuara, edhe në Shqipëri po shkojmë në atë pikë që po kërkohet infiltrimi në strukturat e larta të agjensive ligjzbatuese i përfaqësuesve të mafias.
Edhe implikimi i ish- drejtuesve e efektivë të policisë në sektorin e antitrafikut të drogës, është një tjetër “rastësi”. Por, po të përdorësh pak trurin, të hedhsësh sytë nga historia e mafias të paktën në Itali, e kupton qartë se është një skemë piramidale që kulmon me një zyrtar të lartë të shtetit, ish- ministër i brendshëm dhe një nga ish- figurat kryesore politike të partisë në pushtet në këtë vend.
Por “rastësia” më e madhe është tek mbiemrat. Në 2017- ën u kap me 863 mijë euro në makinë dhe me dy patenta lundrimi të ish- ministrit të brendshëm, madje edhe një të bashkëshortes, një shtetas në moshë të re. Asokohe u tha se paratë ishin për të blerë hekur tek “Kurum” për ta paguar cash. Sot, rezulton se “rastësisht”, një prokuror ka të njëjtin mbiemër me të riun e sipërpërmendur. Nëse ju kujtohet, ish- ministri i brendshëm e kishte pasion lundrimin me skafe, këndej e andej kufirit detar, në Itali e Malin e Zi….
Pyetja “pse u përhap me shpejtësinë e dritës” kanabizimi i vendit, sot merr më lehtë përgjigje. Siç edhe nuk është aspak e vështir të hamendësohet sot se përse kjo mazhorancë që qeveris vendin u investua fuqishëm që ish- ministri i brendshëm të mos hetoj në “arrest me burg” por në liri, që ai të pastrohetj nga çdo akuzë për të mbetur thjesht dhe vetëm tek banaliteti i “shpërdorimit të detyrës”.
Por me shumë mundësi, ka dhe do të ketë zhvillime të tjera. Janë disa vende që po bashkëpunojnë në këtë luftë, këtë herë me “armik të dukshëm”. Është folur shpesh, por mesa duket, tani jemi në prag të hapjes së “Kutisë së Pandorës”. Dhe me shumë mundësi, jo nga një vullnet brenda kufijve të Shqipërisë. Përsëri mund të jetë “rastësi”, por jo shumë vonë, do të kërcasin prangat në duart e shumë VIP- ave, nga politika por jo vetëm.
E dini pse nuk po permend emra, edhe pse të gjithë i dimë e njohim? Sepse çdokush mund ta gjejë veten të përfshirë në këto poste, pozicione e emërtesa. E keqja, nuk po i vë emër tjetër, është ulur këmbëkryq në këtë vend! Mund të jetë “rastësi” që të ndodhin të gjitha këto “rastësi” njëra pas tjetrës?!
P.S. Të gjitha këto “rastësi”, i pohonte disa vite më parë një ish- oficer policie, i cili u detyrua të kërkonte strehim dhe mbrojtje në një vend të huaj. Edhe kjo, sigurisht “rastësi”…. /Nga Blerti DELIJA/