Biznesi i ndërtimit si kudo në Shqipëri, edhe në Shkodër ka njohur zhvillim të madh nga 1990- a. Veçanërisht pas vitit 1997, kur amullia e institucioneve u kthye në lajtmotiv, çdokush e nisi këtë biznes me synim fitimin e shpejtë. Fillimisht, mjaftonte një pronë- truall dhe mund të bëje biznes. Nëse ishte i yti, fitimi mandje ishte shumë i lartë. Por edhe nëse nuk e disponoje, mund të hyje në marrëdhënie- marrëveshje me pronarët e truallit me përqindje, e cila varionte deri në 30% në varësi të sipërfaqes së ndërtimit në dispozicion dhe kateve.
Sidomos pas vitit 1997, për rreth 10 vite, sigurimi i një leje ndërtimi nga qeverisja vendore, ishte sfidë e lehtë. Për të “përkulur” ligjin apo “mbyllur ndonjë sy”, duhet “lyer rrota”, sidomos për të shkelur kondicionet urbane. Nuk mbeti kush pa hyrë në këtë biznes, i cili në fakt, për tu zhvilluar, nuk ishte shumë e domosdoshme të kishe para të thata apo CASH. Metoda e kleringut, shkëmbim materialesh apo hak pune me apartamente, solli lulëzimin e ndërtimeve. Pra, individë apo firma, ofronin hekur, beton, cemento, krahë pune, specialistë dhe në këmbim, me çmime të arsyeshme e të negociueshme, merrnin metra katrorë nga pallati që pritej të ndërtohej.
Nga ana tjetër, duke luajtur me çmimin, apartamentet shiteshin në në “gropë”. Kryesisht emigrantë, blinin prona me çmime deri në 50% më lirë. Kjo, sepse ndërtuesit- investitorit, i duheshin para për shumë procese gjatë ndërtimit. Përgjithësisht, ishin të gjithë të kënaqur dhe kështu u betonizua Tirana, Shkodra e gjithë Shqipëria, në gjendjen që të gjithë e dimë dhe shohim. Me kalimin e kohës, etja për pasurim, solli shtimin e kërkesave për leje ndërtimi por edhe “betejën” për troje të lira në çdo qytet, edhe në Shkodër. Madje, biznesmenët e ndërtimit përpiqeshin të joshnin me metoda nga më të ndyshmet si përqindja, valixhja me para e deri kërcënimet për të siguruar trojet për ndërtime. Sidomos në qendër të Shkodrës apo zona që tashmë janë ndër më të preferuarat për banim si Serreqi, Gjuhadoli, Dugajët e Reja, Parruca etj.
Situata nisi të ndryshojë kur në qarkullim hynë paratë e përfituara pa shumë mund e djersë, si trafiqet e ndryshme nga droga deri tek “mishi i bardhë”, armët e minat. Po ashtu, ndikim pati edhe etja për të shtuar fitimet me ritëm gjeometrik dhe jo aritmetik. Biznesmenët nisën disa objekte njëherësh, në Shkodër e jashtë saj. Nga ana tjetër, pronarët e trojeve për ndërtim, nuk kënaqeshin më me metra katrorë apartamente apo dyqane në katin e parë e të dytë të pallatit. Nëse nuk kërkonin gjithmonë para për pronat e tyre, kërkonin edhe para përveç përfitimeve në metra katrorë apartamente. Po ashtu, individët dhe kompanitë me klering, nuk ishin më të prirur për marrëveshje me metra katrorë apartamente, duke preferuar pagesën CASH. Kjo, edhe nga rritja e pakuptimtë dhe e justifikueshme e çmimit për metër katror të ndërtimeve. Nga ana tjetër, edhe qytetarët, brenda e jashtë Shkodrës, nuk preferonin më blerjen në “gropë” për shkak të mosbesimit ndaj ndërtuesve (probleme me pronësinë e truallit, cilësinë e punimeve apo edhe dokumentacionin e shfrytëzimit të pallateve), shoqëruar edhe me çmimet e kripura që nuk kishin ndonjë diferencë të dukshme mes “gropës” dhe “çelsave në dorë”.
Ishte pikërisht momenti kur biznesi i ndërtimit nisi të futej në kolaps, i cili edhe vazhdon. Ndërtuesve, sidomos atyre që të shtrirë në shumë kantiere brenda e jashtë Shkodrës, nisën tu mungonin paratë CASH. Në shumë objekte, u ndërprerë punimet e në të tjerat ndërtimi nuk filloi asnjëherë, duke sjellë edhe skadimin e lejeve të ndërtimit. Ata pak ndërtues- investitorë që kishin prona, u detyruan ti shesin nën kosto, siç edhe po ndodh këto kohë. Përshembull, nëse çmimi real i një prone në qendër të Shkodrës është 1000 euro për m2, shitet edhe me gjysmën e çmimit. Ndërkohë, objekte të tëra, edhe pallate të papërfunduara, nxirren në shitje me synimin që investitorë të tjerë ti përfundojnë dhe të fitojnë aq sa mund të ketë ngelur pa shitur.
Kjo është situata në një pjesë të konsiderueshme të biznesit të ndërtimit në Shkodër. Është një falimentim i heshtur, pa shumë bujë por për pasoja për ekonominë. Janë miliona euro të groposura në kuptimin e plotë të fjalës, janë qindra punëtorë e specialistë që nuk punojnë më apo duhet të hedhin sytë nga Mali i Zi, është një zinxhir ti tërë i materialeve të ndërtimit që mbeten stok, nuk mund të prodhohen apo të importohen, teksa çmimet e apartamenteve kanë akoma tendencë të rriten teksa interesi po pëson rënie nga tejngopja dhe stoku i ndërtimeve që vijon të rritet. /Shënim i ShkodraWeb/