Dita e sotme ka patur zhvillime intensive në kampin e demokratëve. Rreth 15 minuta para orës 14.00, Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD- së, të shoqëruar nga dhjetra mbështetës, i janë drejtuar selisë blu për të zhvilluar mbledhjen e parë pas mandatimit nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit. Siç ishte e parashikueshme, nuk ka patur asnjë problem për të hyrë në seli, hyrë në një zyrë dhe zhvilluar një takim të shkurtër e më pas një konferencë të gjatë për mediat nga Berisha. Madje, berisha ka takuar e folur me zyrtarë të aparatit të PD- së.
Basha gjatë gjithë kohës ka qenë në një zyrë tjetër, në një takim organizativ për fushatën e shpallur nga ai për ristrukturimin e FRPD- së. Edhe pse mediat e tregonin “live” se më shumë merrej me celularin dhe bënte batuta me të pranishmit, gjatë kohës që Berisha ishte në selinë e PD- së, Basha nuk ka dalë nga ambjenti ku ndodhej. Pasdite, teksa situata ishte qetësuar, Basha i rrethuar nga Grupi Parlamentar, ka zhvilluar një konferencë me gazetarët, ku tensioni edhe përballë tyre, dukej mjaft qartë.
Me shumë mundësi, vizitat e Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, do të jenë të shpeshta, mbase të përditshme në selinë e PD- së. Me gjasë, Basha por edhe askush nga administratorët aktualë të selisë blu, nuk do të guxojnë këtë ritual. Përdorimi i një skenari tjetër, do të ishte i dëmshëm për palët por edhe për vetë PD- në. Aq më shumë, kur pas Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, Berisha është futur në një rrugë të fortë legjitimiteti, të cilin mund t’ ja cënojë vetëm një Kuvend Kombëtar i 18 dhjetorit më i suksesshëm se ai i ideruar nga ish- kryeministri.
Por 18 dhjetori 2021, do të ketë dy ngjarje të rëndësishme për PD- në. Ndërsa Basha në Pallatin e Kongreseve ka thirrur Kuvendin Kombëtar, në degët e PD- së do të zhvillohet votimi referendar “një antar, një votë” për ratifikimin e vendimit të marrë me 11 dhjetor nga 4446 delegatë për shkarkimin e Bashës si kryetar i demokratëve. Çfarëdolloj rezultati të ketë Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit, referendumi i të njëjtës datë, nëse arrin kuorimin e nevojshëm dhe miraton vendimin e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, bën fakt të kryer shkarkimin e Lulzim Bashës.
Nga 10 shtatori 2021 e deri më sot, Basha është përpjekur ta devijojë krizën në PD në shinat e procedurave. Nuk është i ligjshëm procesi i mbledhjes së firmave të delegatëve për Kuvendin e 11 dhjetorit, nuk janë respektuar procedurat për thirrjen e Kuvendit, nuk mund të mblidhet Kuvend pasi para 3 muajve kryetari u zgjodh me “një antar, një votë” e të tjera si këto. Pa anashkaluar as shkarkimet nga pocizionet partiake të mbështetësve të Berishës. Gabimet më të fundit, vendimmarrjet e një kryesie me 25 vetë, e një Këshilli Kombëtar me 250 dhe nënvleftësimi i vendimeve të një trupe me 4935 demokratë, delegatë të Kuvendit Kombëtar, e njëjta trupë që i zgjodhi PD- së me 18 korrik 2021 Këshillin Kombëtar e pastaj me delegim, edhe kryesinë.
Si jurist, Basha por edhe Bardhi, nuk e kanë të vështirë të kuptojnë hierarkinë e vendimmarrjes. Për ta kontretizuar e thjeshtuar, seanca plenare e Kuvendit (Parlamenti), mund të rrëzojë çdo vendim të çdo komisioni parlamentar. Nuk ka asnjë kompetencë që një komision hetimor ka që Kuvendi në seancë plenare nuk mund t’ ia marrë apo ushtrojë. Edhe gjatë ditës së sotme, Basha dhe askush tjetër nuk vuri në diskutim legjitimitetin e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit dhe vendimmarrjet e tij.
Vula e firma e një partie politike, është shumë e rëndësishme sidomos në përcaktimin e kandidaturave në nivel vendor apo qendror (deputetë, këshilltarë bashkiak apo kryebashkiakë). Por që ajo vulë të ketë peshë e rezultat, duhet të mbështetet mbi vullnetin e antarëve, bazuar në votën e një trupe sa më të gjërë. Në situatën aktuale ku është PD, vetëm vota ka vlerë. Këto ditë që i paraprijnë 18 dhjetorit, Lulzim Basha ka një mundësi reflektimi që duhet ta shfrytëzojë. Situata aktuale, zgjidhet vetëm me votën e demokratëve, është çeshtje e tyre, as e qeverisë, as e ambasadorëve dhe as qhiptarëve që nuk kanë teserën e PD- së.
Lulzim Basha mund të mos japë dorëheqjen. Mund të kërkojë të qendrojë në post edhe përmes procedurave apo vendimeve të mundshme të gjykatave. Por nëse është lider, rruga duhet të jetë tjetër. Të ndjekë shembullin e Fatos Nanos në 2002- 2003, të japë dorëheqjen, ti drejtohet bazës dhe ta bindë për ta mbështetur atë dhe jo Berishën. Të vazhdojë akuzat dhe sulmet e forta e të paprecedent që artikuloi ndaj paraardhësit në PD, të artikulojë sërish antiamerikanizmin e Berishës e në fund, ta lërë veten në duart e antarësisë.
Rruga tjetër është më e shkurtër, më e shpejtë por me pasoja në karrierën politike të një 47 vjeçari. Lulzim Basha mund të japë dorëhqeje, të largohet nga pozicionet politike në PD dhe në vitet e mbetura të këtij mandati, të tentojë krijimin e një force tjetër politike, për tu matur me Berishën edhe brenda spektrit të djathtë të politikës. /Nga Blerti DELIJA/