137.140 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa janë asgjësuar në 6 muaj në rajonin e Shkodrës nga policia në kuadër të operacionit kombëtar “Territor i pastër”. Shifra është zyrtare dhe është tregues i qartë se ky “biznes” vazhdon të lulëzojë me gjithë “shkëlqimin” e tij. Çdo muaj janë gjetur e asgjësuar 22.857 rrënjë bimë narktoike ose mbi 760 çdo ditë.
Pyetja më e logjikshme, përveç “guximit” për tu marrë me këtë aktivitet ilegal me gjithë trysninë e shtuar të agjensive ligjzbatuese të këtij shteti, është: Ku merren dhe ku shkojnë këto para të shumëfishuara? E mbase këtu, përveç arsyeve të tjera, mund të gjendet një përgjigje për kolapsin e valutës europiane Euro në Shqipëri, sepse “malli” është për eksport dhe në këmbim të “barit” futen në vend likujditete të monedhës zyrtare të BE- së.
Edhe në herët, kami thënë se shumë nga këto para, po futen me qëllim “pastrimin” e tyre, në biznesin e ndrëtimit, vertetuar kjo edhe me çmimet stratosferike të banesave në Shkodër. Po ashtu, “pastrimi” po bëhet përmes “investimit” të parave që burojnë nga ky aktivitet kriminal, në kriptovaluta. Një ditë të bukur, shumë gdhihen milionerë, duke deklaruar se paratë vijnë nga “investimi” i disa qindra eurove që sot janë konvertuar në qindra mijë apo milionë. Një tjetër pistë, është edhe ajo e ngurtësimit të prona të paluajtshme të parave, me synim ri-shitjen e tyre.
Sigurisht, me mundësitë e veta Policia e Shtetit shprehet se po bën maksimumin. Kjo, në kushtet kur në zonat të thella malore, aty ku mund të shihet me sy të lirë ose me dron, duhet të përdoret një helikopter që policia të asgjësojë bimët narkotike. Por sa mund të jetë realisht sasia e mbjellë me kanabis sativa në Shkodër?
Në vendet më të zhvilluara, ku lufta ndaj drogës është prioritet prej vitesh e ku shtetet investojnë resurve të jashtëzakonshme, deklarohet se zbulohet, kapet apo asgjësohet vetëm 10-15% e totalit. E ashtëquajtura pjesë e destinuar të humbasë për shkak të të papriturave. Në Shqipëri, për arsye të kuptueshme, kjo shifër mund të jetë edhe më e ulët por duke u përqendruar në këto parametra, vetëm në Shkodër i bie të jenë kultivuar rreth 1 milion rrënjë bimë narkotike. Me gjasë, Euro do të vazhdojë të bjerë, për sa kohë kanabisi do të lulëzojë, duke u kthyer në “biznes kombëtar”.